Botë

Italia miraton ligj të ri për ta shpëtuar politikën e transferimit të migrantëve në Shqipëri

Migrantet e rikthyer ne Itali

Foto: EPA

Qeveria e Italisë, e drejtuar nga kryeministrja Giorgia Meloni, ka miratuar ligj të ri për ta shpëtuar politikën e transferimit të migrantëve në Shqipëri, transmeton “The Guardian”. 

Kjo lëvizje e kryeministres së Italisë e përmbys një vendim të gjykatës në Romë që mund të kishte bllokuar marrëveshjen për të frenuar ardhjen e migrantëve. 

Qeveria e ekstremit të djathtë e Italisë ka miratuar ligjin e ri për ta tejkaluar një vendim të gjykatës që rrezikonte bllokimin e marrëveshjes multimilionëshe me Shqipërinë që kishte synim ta frenonte ardhjen e migrantëve. 

Të premten, një gjykatë në Romë vendosi që të riktheheshin në Itali 12 azilkërkues që ishin dërguar në qendrën e re italiane të migracionit në Shqipëri. Vendimi hodhi dyshime mbi ligjshmërinë e planeve të Bashkimit Evropian për të eksploruar mënyra që të krijohen qendra për t’i përpunuar kërkesat dhe për t’i ndaluar migrantët jashtë bllokut, si pjesë e një qasjeje të re të masave më të ashpra kundër migracionit. 

Grupi i migrantëve, që kishin arritur në portin shqiptar të Shëngjinit nga Lampedusa me një anije ushtarake javën e kaluar, ishin në mesin e 16 personave të parë që u transferuan në objektin e ri në Gjadër sipas marrëveshjes mes kryeministres së Italisë, Meloni dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. 

Katër nga 16 burrat u dërguan menjëherë në Itali të enjten, përfshirë dy të mitur dhe dy që u konsideruan të cenueshëm. 

12 tjerë, të cilët gjyqtarët në Romë urdhëruan të ktheheshin në Itali, u kthyen në portin e Barit të shtunën. 

Ishte një goditje ndaj planit të Melonit. 

Partia e Melonit reagoi ashpër në rrjete sociale, duke e quajtur vendimin si të motivuar politikisht dhe që donte të shfuqizonte kufijtë e Italisë. 

Madje edhe ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, sulmoi gjyqtarët, duke thënë se “përkufizimi i një vendi të sigurtë s’mund të varet nga gjyqësori”. 

Mosmarrëveshja që kishte shkaktuar reagime ishte lidhur me përkufizimin e asaj që përbën “vende të sigurta” të origjinës. 16 azilkërkuesit vinin nga Egjipti e Bangladeshi, vende të konsideruara të sigurta nga Italia, dhe për këtë arsye, sipas Qeverisë, ata duhet të ishin riatdhesuar në vendet e tyre të origjinës. 

Megjithatë, gjyqtarët urdhëruan kthimin e tyre në Itali, duke thënë se burrat mund të rrezikoheshin nga dhuna nëse riatdhesohen. 

Të hënën Qeveria miratoi një ligj të ri. Këshilli i ministrave aprovoi dekretin pas një mbledhje urgjente të hënën pasdite. 

Qëllimi i ligjit të ri është të hartojë një listë të re të vendeve të sigurta, që mund të përditësohet çdo gjashtë muaj, dhe t’i lejojë një gjykate të apelit t’i rishqyrtojë vendimet për transferimin e azilërkuesve në Itali. 

Tash e tutje vendi i origjinës do të jetë kushti parësor për riatdhesim. Qeveria e Melonit shpreson që me këtë vendim të lidhë vendimin e gjykatësve me dekretet qeveritare. 

“Ne do të vazhdojmë punën tonë pa ndalur për t’i mbrojtur kufijtë tanë”, tha Meloni.