Botë

Italia kërkon garanci sigurie për trupat italiane në Liban

Giorgia Meloni

Foto: Associated Press

Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni ka kërkuar garantim të sigurisë të martën, për të gjithë trupat italiane të rekrutuara në Liban, ku paqeruajtësit e Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë plagosur gjatë konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut, raporton Reuters.

Italia ka dërguar trupa në misionin paqeruajtës të OKB-së, të njohur si UNIFIL dhe në një mision tjetër të njohur si MIBIL, i cili trajnon forcat e armatosura lokale. Ka mbi 1000 trupa italiane në Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban.

Këshilli i Sigurisë së OKB-së ka shprehur shqetësime të hënën, pasi disa pozicione të paqeruajtësve të OKB-së janë sulmuar në jug të Libanit dhe u ka kërkuar të gjitha palëve ta respektojnë sigurinë e personelit dhe ambienteve të UNIFIL-it.

“Ne besojmë se qëndrimi i forcave izraelite është plotësisht i pajustifikuar”, ka thënë Meloni, duke e përshkruar si “shkelje të hapur” të rezolutës së OKB-së, për përfundimin e armiqësive midis Hezbollahut dhe Izraelit.

Në një fjalim para Senatit të Italisë, ajo ka thënë se veprimet e Izraelit nuk janë të pranueshme dhe se ia ka shprehur këtë edhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu. Meloni u ka thënë gazetarëve se është duke e konsideruar udhëtimin për në Liban.

Netanyahu ka mohuar se trupat izraelite i kanë shënjestruar qëllimisht paqeruajtësit e UNIFIL-it në Liban dhe ka kërkuar që paqeruajtësit të largohen nga zonat e luftimeve.

Italia ka protestuar ndaj Izraelit dhe është bashkuar me aleatët për t’i dënuar sulmet ndaj paqeruajtësve.

Meloni ka thënë se Hezbollahu gjithashtu ka shkelur rezolutën e OKB-së dhe kishte kërkuar “ta militarizonte zonën nën juridiksionin e UNIFIL-it”, duke shtuar se Italia dëshironte t’i forconte aftësitë e UNIFIL-it dhe Forcave të Armatosura Libaneze.