Botë

Ishulli turistik grek i tronditur nga tërmetet përgatitet për një verë më ndryshe

SAntorini

Midis 26 janarit dhe 22 shkurtit, më shumë se 20 mijë tërmete të vogla me magnitudë 1 ose më të lartë u regjistruan në ishullin grek Santorini. Tani me afrimin e stinës së verës, kur hotelet e ishullit zakonisht janë të mbushura, Santorini po përgatitet të shohë se si tërmetet do të ndikojnë në kulmin e sezonit të tij turistik

Kohët e fundit, problemi kryesor me të cilin përballet ishulli piktoresk i Santorinit në Greqi kanë qenë turmat e turistëve që përpiqen të gjejnë hapësirë ​​midis mureve të zbardhura të qytetit Oia, teksa kërkojnë vendin më të mirë për selfie në perëndim të diellit.

Më pas, në fillim të këtij viti, një problem tjetër doli në shesh - një problem i cili ka qëndruar i fshehur thellë nën Santorini miliona vjet përpara se telefonat me kamera ta kthenin atë në një shesh lojërash në Instagram.

Midis 26 janarit dhe 22 shkurtit, më shumë se 20 mijë tërmete të vogla me magnitudë 1 ose më të lartë u regjistruan në ishullin mesdhetar, sipas Komitetit Ndërdisiplinor për Menaxhimin e Rrezikut dhe Krizave në Universitetin e Athinës. Njëri prej tyre ishte 5.3 në shkallën Rihter.

Familjet lokale me fëmijë të vegjël dhe punonjës sezonalë u evakuuan nga ishulli vullkanik pas një gjendje të jashtëzakonshme që preku edhe ishujt e afërt Anafi, Amorgosi dhe Iosi. Puna e ndërtimit u ndërpre dhe sezoni i qetë i ishullit u bë edhe më i qetë.

Forcat sizmike ishin një kujtesë se sa afër çarjeve gjeologjike qëndron ky vend.

Që atëherë nuk u regjistruan më tërmete dhe urgjenca u hoq në fillim të marsit. Të evakuuarit janë kthyer, shkollat ​​janë rihapur dhe ndërtimi i hoteleve ka rifilluar.

Tani me afrimin e stinës së verës, kur hotelet e ishullit zakonisht janë të mbushura dhe  mbërritja e trageteve dhe anijeve turistike shpeshtohet, bashkë me turmat nëpër rrugët e tij të ngushta, Santorini po përgatitet të shohë se si tërmetet do të ndikojnë në kulmin e sezonit të tij turistik

“Rikuperim i shpejtë”

Banori i Santorinit dhe pronari i biznesit të menaxhimit të makinave dhe vilave me qira, Filaretos Dimoglou, tha se familja e tij mbeti në ishull gjatë periudhës aktive sizmike.

“Shumë punëtorë që vijnë në ishull në dimër u larguan sepse ndërtimi i ndërtesave u ndal. Ata u larguan sepse nuk kishin punë”, tha ai. “E kuptoni se gjithçka është në rregull nëse shkollat ​​janë të hapura. Nëse diçka shkon keq diku, gjëja e parë që bën shteti është mbyllja e shkollave, për shembull, në borë të madhe ose zjarre”. Babai i dy fëmijëve, tha se nuk do të rrezikonte jetën e fëmijëve të tij nëse do të besonte se situata ishte e pasigurt për ta.

Ajo që nevojitet tani, tha Dimoglou, është një fushatë e promovimit të turizmit të financuar nga shteti për të përhapur fjalën se Santorini është sërish i hapur për biznes.

Petros Zissimos, drejtor menaxhues i Hellenic Holidays me qendër në New-York, tha se ai kishte pranuar pyetje rreth Santorinit nga klientët, megjithatë, ai nuk beson se situata po ndikon në numrin e rezervimeve.

“Njerëzit kanë përjetuar mjaftueshëm në Santorini. Kanë përvojë në vizitat e ndonjë gjëje këtu, degustimin e verës ose udhëtimet me vela”, tha ai.

“Santorini duhet ta përmirësojë imazhin e tij përsëri. Çdo pronar biznesi, restorant, kompani lundrimi, operator i klasës së gatimit, të gjithë duhet të japin një kontribut në krijimin e një mjedisi që tregon se Santorini është përsëri fantastik”.

Hotelierët në ishull i janë përgjigjur kërkesës së ultë në prill dhe maj, dy muajt e parë të sezonit, me çmime tërheqëse dhe fleksibilitet më të madh në rezervime.

Markos Chaidemenos, familja e të cilit zotëron pesë hotele në Santorini, tha se nuk kanë pasur anulime. Megjithatë, sipas tij, rezervimet u ngadalësuan gjatë kulmit të aktivitetit sizmik.

“Për një kohë të gjatë, kishte shumë lajme të rreme … Natyrisht, njerëzit kishin mëdyshje dhe nuk ishin shumë të sigurt në rezervim”,  tha ai.

“Tani që besimi po ringjallet shpejt, veçanërisht për një destinacion kaq të dashur si Santorini, ne po shohim që bëhen më shumë rezervime. Njerëzit duan të udhëtojnë në ishull për perëndimet e jashtëzakonshme të diellit, përvojat e paharrueshme dhe mikpritjen e klasit botëror”.

Ai tha se zinxhiri i hoteleve Canaves do të lejojë anulimet e rezervimeve edhe një javë përpara dhe se i ka bërë të rimbursueshme disa rezervime që më parë nuk ishin, “si një masë paraprake, për të treguar besim”.

“Nëse do të isha udhëtar, do të doja të isha në gjendje të vendosja dy ose tre javë përpara, apo edhe në minutën e fundit, nëse vërtet dua të shkoj, bazuar në faktet”,  tha ai. “Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm se gjithçka është kthyer në normalitet”.

Më pak njerëz, më shumë bukuri

Teksa qiratë e jahteve në përgjithësi nuk njihen për fleksibilitet, kompanitë si Kensington Tours thonë se gjejnë zgjidhje për klientët e tyre të pasur, aty ku është e nevojshme.

Edita Sgovio, nënkryetare e kompanisë së jahteve dhe vilave, me bazë në Toronto, tha se nuk kishte parë ndonjë ndikim në numrin e rezervimeve.

“Besimi i konsumatorit është mjaft i lartë... Santorini është një destinacion i listës së dëshirave. Nëse do të shkoni në Greqi, është një nga ato pika që dëshironi të shihni”, tha ajo.

Philip Dragoumis është një menaxher pasurie me bazë në Londër, gruaja e të cilit vjen nga Santorini. Ata zotërojnë Serapias Suites, një hotel i vogël i emëruar bazuar në një lloj orkideje lokale që mbin në toka shkëmbore, në fshatin Exo Gonia.

“Vjehrri i tij, 98 vjeç, dhe vjehrra, 92 vjeçe, qëndruan në fshatin e tyre Vothonas gjatë kohës së tërmeteve”, tha ai. “Ata ishin mjaft të qetë. Ne ishim më të shqetësuar se ata”.

“Është ndoshta një kohë e mirë për të rezervuar një pushim tani. Çmimet janë ulur pak, ka më pak kërkesë, kështu që duhet të ketë disa mundësi më të mira”, tha Dragoumis.

“Kushdo në industrinë e turizmit që mendon se do të jetë një vit i mrekullueshëm po e mashtron veten. Megjithatë, këto gjëra priren të harrohen”, tha ai. “Ju mund të shihni një rritje të rezervimeve të vonuara në prill, maj, qershor”.

Dragoumis tha se ai besonte se Santorini mund të mos ishte aq i zënë sa vitet e mëparshme të thyerjes së rekordeve, ku shifrat e vizitorëve u rritën në 3.4 milionë. “Kur ka më pak njerëz, është një vend i bukur për të qenë”, tha ai.

“Anulimi nuk është në plan”

Diane Mick-Feldman dhe burri i saj Henry, të dy pensionistë, janë të emocionuar për të kaluar tre net në Santorini si pjesë e një udhëtimi të parë të shtyrë për në Greqi. Gjëja e fundit në mendjen e tyre ishin tërmetet e fundit që prekën destinacionin kryesor të vendit, tha ajo.

“Unë mendoj se ne jemi tipikë njujorkezë. Henry tha ‘pse të shqetësohemi për këtë tani? Ne do të jemi atje në qershor’”, tha Mick-Feldman për CNN. “Nuk e kemi menduar shumë”.

Mick-Feldman tha se miqtë që u kthyen kohët e fundit nga lundrimet në Santorini u thanë atyre se destinacioni ishte “një ishull që duhet parë”.

Tani është pjesa qendrore e pushimeve të tyre madhështore greke. Mick-Feldman vuri në dukje se ndërsa ata ishin të shqetësuar për mirëqenien e banorëve të Santorinit, ata kuptuan se aktiviteti sizmik ishte “një ngjarje gjeologjike që ndodh atje herë pas here”.

“Dëgjuam se shumë vizitorë dhe vendas u larguan nga ishulli sepse lëkundjet ishin të frikshme”, tha ajo. “Ne jemi optimistë. Menduam se nëse do të ndodhte diçka katastrofike, o do të ndodhte atëherë o fare. Pastaj dëgjuam se aktiviteti sizmik po pakësohej dhe njerëzit po ktheheshin”.

Mick-Feldman tha se ata nuk e kishin konsideruar anulimin e udhëtimit të tyre për shkak të tërmeteve.

Kur u pyet për sigurimin e udhëtimit, ajo tha se ata kishin marrë mbulim gjithëpërfshirës. “Jo vetëm për shkak të lëkundjeve në Santorini, por sepse jetojmë në një botë ku ka viruse dhe gjëra. Ne duam të sigurohemi”, tha ajo.

Planet e sigurisë në vend

Për të shfaqur mbështetjeje për industrinë e udhëtimeve në Santorini, ministrja e Turizmit e Greqisë Olga Kefalogianni u takua me autoritetet lokale dhe përfaqësuesit e biznesit më 17 mars, ku ajo përcolli një mesazh optimizmi.

“Santorini është një nga destinacionet kryesore turistike në botë. Një tokë me bukuri unike, trashëgimi të pasur kulturore dhe mikpritje të jashtëzakonshme”, tha ajo në një përgjigje dërguar CNN-it.

Kefalogianni tha se pavarësisht aktivitetit të tërmetit të muajve të fundit, ishulli po kthehej gradualisht në normalitet. Ajo tha se shteti ka një plan, duke garantuar sigurinë e banorëve dhe vizitorëve.

“Komitetet shkencore vazhduan të monitorojnë nga afër situatën dhe tashmë janë zbatuar masat e nevojshme parandaluese dhe të sigurisë”, tha ministrja. “Infrastruktura është përforcuar, planet e mbrojtjes civile janë përditësuar dhe veprimet e synuara për të mbështetur sektorin e turizmit po zbatohen”, shtoi ajo.

“Mesazhet nga tregu global i turizmit janë inkurajuese, duke konfirmuar se Santorini mbetet një destinacion i sigurt dhe i mirë organizuar, i gatshëm për të mirëpritur vizitorë nga e gjithë bota”.

Kryetari i bashkisë së Santorinit, Nikos Zorzis i tha CNN-it se tërmetet nuk shkaktuan dëme, por vuri në dukje se nga kjo fatkeqësi, tash po kryheshin punime parandaluese për t’i frenuar rrëshqitjet e dheut në zona të caktuara, si ato që shihen në anë të rrugëve në mbarë botën. Ai tha se priste që viti 2025 të ishte “një vit shumë i mirë për vizitorët pasi ata duhet të jenë në gjendje të lëvizin nëpër ishull pak më lehtë”.

“Studentët e gjeologjisë dhe arkitekturës ishin veçanërisht të mirëpritur”, tha ai. “Ne jemi të interesuar të presim vizitorë me zona specifike interesi … Santorini është, në fund të fundit, rezultat i forcave të mëdha gjeofizike”, tha Zorzis.

Në shkurt, videopostimet në mediat sociale të krijuara nga AI që përshkruanin shpërthime vullkanike në Santorini u shfaqën në TikTok dhe X, duke irrituar njerëzit si gjeologia Evi Nomikou, e cila ka prejardhje nga ishulli.

Duke folur për CNN-in, ajo rezervoi gjithashtu kritika për shkencëtarët që folën për aktivitetin sizmik dhe potencialin për një tërmet të fuqishëm pa të dhëna për të mbështetur pretendimet e tyre, duke shkaktuar shqetësim te disa vendas.

“Kur filloi vala e tërmeteve, shumë besuan se vullkani nënujor i Santorinit, Kolumbo, do të shpërthente”, tha ajo. Nomikou tha se ajo ka studiuar vullkanin, e vendosur 7 kilometra në verilindje të ishullit në një thellësi prej 500 metra, që nga viti 2001.

“Vendasit u ndjenë të qetësuar duke ditur se shkencëtarët ishin atje dhe vazhduan të studionin Kolumbon dhe vullkanin Nea Kameni, një atraksion popullor vizitorësh në tokë”, vuri në dukje Nomikou. “Ne i mbajmë gjithmonë të informuar vendasit”,  tha ajo. Pas një vizite në fillim të marsit në Santorini, shkrimtarja nga Athina, Eleni Kefalopoulou, shprehu një këndvështrim më romantik për fenomenin sizmik.

“Nëse është koha ime për të vdekur, do të preferoja më mirë të ndodhte në Santorini, ku mund të më zbulonin mijëra vjet më vonë, në stilin e Pompeit, në vend që të më godiste një makinë në Athinë”,  tha ajo.