Inkursioni i Ukrainës në Rusi ka nxjerrë në pah vetëkënaqësinë e dukshme të zyrtarëve rusë përgjegjës për kufirin. Shumë banorë vendës akuzojnë qeverinë për minimizimin e sulmit ukrainas ose keqinformimin e tyre për rrezikun. E për ditë të tëra, televizioni shtetëror ka shfaqur buletinet ushtarake, duke raportuar sulme të suksesshme ruse ndaj trupave ukrainase në “zonën kufitare” pa specifikuar nëse një ushtri e huaj ishte ende në tokën e saj.
Lyubov Antipova foli për herë të fundit me prindërit e saj të moshuar pothuajse dy javë më parë, kur dëgjoi për thashethemet për një ndërhyrje ushtarake ukrainase dhe iu lut të largoheshin nga fshati në rajonin Kursk të Rusisë.
Kërcënimi dukej joreal – toka ruse nuk kishte parë forca pushtuese që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore – dhe media shtetërore ruse fillimisht e hodhi poshtë pushtimin si një “përpjekje për infiltrim”, kështu që prindërit e Antipovës, të cilët mbajnë pula dhe një derr në një fermë të vogël, vendosën të qëndrojnë në Zaoleshenka.
Të nesërmen, Antipova pa foto në internet të ushtarëve ukrainas që pozonin pranë një supermarketi dhe zyrës së një kompanie gazi. Ajo e njohu vendin menjëherë: prindërit e saj jetojnë rreth 50 metra larg.
“Gjithë ato vite prindërit e mi nuk mendonin se do të prekeshin”, i ka thënë Antipova “Observerit” me telefon nga Kursku, duke shmangur me kujdes përdorimin e fjalës “luftë”, e cila është shpallur zyrtarisht e jashtëligjshme në Rusi. “Ne ishim të sigurt se ushtria ruse do të na mbronte. Jam e habitur se sa shpejt përparuan forcat ukrainase”.
Ndërhyrja e Ukrainës në Rusi ka nxjerrë në pah komoditetin e zyrtarëve rusë përgjegjës për kufirin. Shumë banorë vendës e akuzojnë qeverinë për minimizimin e sulmit ukrainas ose keqinformimin e tyre për rrezikun.
Deri të premten, ushtria e Ukrainës pretendoi se kishte dërguar rreth 10 mijë trupa për të kapur rreth 1.100 kilometra katrorë të rajonit të Kurskut, kryesisht rreth qytetit të Sudzhas. Nëse kjo është e vërtetë, ndërhyrja kapi më shumë territor sesa ai i kapur nga Rusia në Ukrainë këtë vit, sipas Institutit për Studimin e Luftës.
Aksioni i Kurskut e gjeti Alexander Zorin, kujdestar i Muzeut Arkeologjik të Kurskut, në një vend gërmimi në fshatin Goçevo.
Zorin mendoi se zhurma e dronëve, avionëve dhe goditjeve të artilerisë ishte rutinë pasi aktivitete të ngjashme ka parë edhe gjatë dy verave të mëparshme. Sudzha, epiqendra e ofensivës, ishte 40 km larg.
“Raportet e zyrtarëve nuk ishin aspak të frikshme: “100 diversantë hynë” – por më pas u rritën në 300, 800… Ishte e pamundur të kishim një pamje të qartë”, ka treguar ai. “Vendosëm të largoheshim vetëm pasi pamë vendësit që ishin evakuuar dhe na thanë të shkonim”.
Evakuimi zyrtar nga zona u shpall një ditë më vonë.
Shumë banorë në Kursk fajësojnë qeverinë dhe mediat shtetërore për mbajtjen e tyre në errësirë përballë rrezikut vdekjeprurës, me banorët e indinjuar që ndajnë mesazhe në mediat sociale.
Për ditë të tëra, televizioni shtetëror ka shfaqur buletinet ushtarake, duke raportuar sulme të suksesshme ruse ndaj trupave ukrainase në “zonën kufitare” pa specifikuar nëse një ushtri e huaj ishte ende në tokën e saj. Media shtetërore ka mbuluar gjendjen e dhjetëra mijëra rusëve të zhvendosur që u larguan nga shtëpitë e tyre përpara se të organizohej ndonjë evakuim – por TV shtetëror kryesisht i quan ata “njerëz të evakuuar të përkohshëm” e jo refugjatë.