Pasiguria është ende e përhapur. Persona të armatosur të “Boko Haramit” vazhdojnë të sulmojnë zonën, sulmi i fundit ishte në fund të vitit të kaluar
Gazetarët e takuan Lisun në fshehtësi pasi ajo thotë se autoritetet lokale nigeriane po përpiqen ta pengojnë atë të flasë me mediat.
Ajo ishte një nga 276 vajzat e rrëmbyera nga shkolla e tyre në qytetin Chibok saktësisht një dekadë më parë - rrëmbim që tronditi botën dhe aktivizoi një fushatë globale me kërkesën për “Rikthimin e vajzave” ku pjesë e saj ishte edhe ish-zonja e parë e SHBA-së, Michelle Obama.
Më shumë se 180 vajza nga 276 janë arratisur ose janë liruar, duke përfshirë Lisun, e cila lindi dy fëmijë teksa ishte peng i grupit militant islamik, “Boko Haram”, duke jetuar në një strehë në pyllin Sambisa.
Pas arratisjes, Lisu - që nuk është emri i saj i vërtetë - kaloi në programin e rehabilitimit të qeverisë, përpara se të vendosej në akomodim në grup me të arratisurit e tjerë.
“Më vjen keq që u ktheva”, thotë ajo, duke u zhvendosur në vendin e saj.
Ky nuk është pikërisht mesazhi që autoritetet dëshironin ta dëgjonin.
Qeveria e shtetit Borno ka mohuar se ua ka kufizuar lirinë e fjalës ish të rrëmbyerave.
Lisu mendon se mënyra se si trajtohet tani është më e keqe se ajo që ka jetuar më parë.
“Ndonjëherë qaj kur më kujtohet. Pyes veten: ‘Pse u largova nga Sambisa për t’u kthyer në Nigeri, vetëm për të ardhur dhe për t’u përballur me një trajtim të tillë degradues, duke u fyer pothuajse çdo ditë?’ Unë kurrë nuk kam përjetuar një dhimbje të tillë zemre kur isha në Sambisa”, ka thënë ajo.
Lisu thotë se mezi po mbijeton nën kujdesin e shtetit. Kushtet bazë të mbijetesës si ushqimi dhe sapuni nuk janë të mjaftueshme, lëvizjet e saj vëzhgohen dhe kufizohen nga afër nga rojet e sigurisë dhe ajo ka qenë subjekt i abuzimit verbal nga stafi në shtëpinë e kujdesit ku po mbahet.
“Ata na bërtasin gjatë gjithë kohës, jam thellësisht e pakënaqur”, thotë ajo. “Kam pasur më shumë liri në kampin e ‘Boko Haramit’ sesa këtu”.
Këto deklarata i ka mohuar qeveria e shtetit Borno. Në një deklaratë për BBC, ajo tha se nuk ka kufizime në lëvizjet e grave të reja, përveç kur kishte çështje të sigurisë së tyre personale. Autoritetet thanë se po siguronin gjithashtu ushqim dhe ushqim të mjaftueshëm për ish- robërit dhe fëmijët e tyre.
Premtimet e thyera
Në vitin 2016, Amina Ali u bë e para nga robërit e Chibokut që shpëtoi nga pasojat e menjëhershme të rrëmbimit.
Edhe ajo është e pakënaqur me trajtimin e saj.
Herën e fundit që ajo pa kampusin e madh të shkollës që tani qëndron përballë saj, ishte në zjarr - ajo ishte nata e 14 prillit 2014.
“Uau, kjo shkollë ekziston akoma”, thotë ajo me zë të ulët, duke parë ndërtesat e sapo rinovuara, ngjyrë kremi. “Pas gjithë asaj që na ndodhi, është ende këtu”.
“Ne uleshim nën atë pemë”, vazhdon ajo, duke treguar me gisht një pemë të lartë në cep të kompleksit.
Ajo shikon përreth, duke vënë në dukje të gjitha ndryshimet.
Bari është i më i gjelbëruar, pllakat në vendkalime janë të reja. Porta kryesore në ngjyrë ndryshku është zhvendosur dhe konviktet nuk ekzistojnë më. Kur terrenet u rindërtuan, ajo u rihap si një shkollë ditore në vitin 2021.
Ndërsa ndryshimet kozmetike në shkollë janë të rëndësishme, jashtë portave pak ka ndryshuar në Chibok.
Pasiguria është ende e përhapur. Persona të armatosur të “Boko Haramit” vazhdojnë të sulmojnë zonën, sulmi i fundit ishte në fund të vitit të kaluar.
Rrugët e parregulluara janë të mbushura me pika kontrolli dhe ka një prani të madhe ushtarake në qytet.
Pastaj janë plagët emocionale.
Amina kaloi dy vjet si peng në Sambisa.
Ashtu si shumë prej robërve, ajo u detyrua të “martohej” me një militant dhe të konvertohej në Islam.
Kishte një rutinë të jetës në pyll; gatimi, pastrimi, mësimi i Kuranit, por Amina nuk i hoqi kurrë shpresat se një ditë do të shpëtonte.
“Thjesht mendova se edhe nëse kaloj 10 vjet si peng, një ditë do të shpëtoj”, thotë ajo.
Dhe një ditë, shpëtoi.
U deshën javë të tëra ecjeje nëpër shkurre të dendura në temperatura të larta, me pak ushqim dhe me fëmijën e saj dy muajsh të lidhur pas shpinës, por ajo ia doli.
Por më shumë se 90 vajza janë ende të zhdukura. Një prej tyre është edhe shoqja e saj, Helen Nglada.
Biseda e fundit
Amina dhe Helen ishin shoqe klase. Ato ishin të dyja këngëtare në grupin e kishës që drejtonte Helen.
Pas rrëmbimit, të dyja u afruan në pyllin Sambisa, duke kaluar sa më shumë kohë së bashku. Biseda e fundit që Amina kishte me Helenën ishte për Chibokun dhe sa shumë dëshironin të ktheheshin atje.
Agonia e shkaktuar nga mungesa e vazhdueshme e Helenës është skalitur në fytyrat e prindërve të saj, Saratu dhe Ibrahim, të cilët janë ulur jashtë shtëpisë së tyre modeste, pak larg nga shkolla.
Nëna e saj shtrëngon fort dy fotografi të Helenës dhe motrës së saj. Vajzat kanë veshur veshje të ngjashme, shami dhe pamje serioze.
“Unë thjesht do të doja ta ktheja shoqen time”, thotë Amina, “që të mund ta ndajmë lumturinë me të”.
Saratu përpiqet të përmbajë emocionet e saj.
“Sa herë vjen në shtëpi dhe të shoh, mendja më shkon te vajza ime”, i thotë ajo Aminës.
Ajo shpërthen në lot dhe Amina vendos një dorë mbi supin e saj për ta ngushëlluar.
“Unë thjesht dua që shteti të bëjë diçka dhe të shpëtojë fëmijët tanë”, thotë Ibrahimi me pak zë. “Ai duhet të bëjë më shumë përpjekje për të shpëtuar fëmijët e tjerë”.
Arratisja e Aminës në vitin 2016 u shoqërua me bujë dhe lehtësim të madh.
Pasi u informua nga ushtria, ajo u takua me zyrtarë qeveritarë, përfshirë presidentin e atëhershëm Muhammadu Buhari, i cili tha se rrjedha e jetës së saj do të ndryshonte për mirë.
“Presidenti tha se ai do të kujdeset për ne dhe do të na dërgojë në shkollë dhe madje edhe fëmijët tanë”, kujton Amina.“Sepse nuk është faji ynë që jemi gjendur në atë situatë dhe fëmijët gjithashtu, ata nuk dinë asgjë. Janë të pafajshëm. Kështu që ai do të kujdeset për ta”.
Jeta sot nuk duket si ajo që u premtua.
Amina tani jeton në Yola, rreth pesë orë larg nga Chiboku me rrugë, dhe ndan një dhomë të vogël me vajzën e saj. Ato ndajnë një banjë në natyrë me një fqinje. Ajo gatuan me dru zjarri jashtë.
Paratë janë të pakta.
Ajo merr 20 mijë naira (15 dollarë), në muaj për të mbuluar shpenzimet e përditshme, por asgjë për arsimimin e vajzës së saj, pavarësisht premtimeve të qeverisë. Ajo e paguan vetë me ato pak para që fiton nga bujqësia.
“Është e vështirë për mua të kujdesem për vajzën time”, thotë ajo. “Çfarë mund të bëj? Nuk ka kush të më ndihmojë”.
Vijimi i studimeve
Amina po e rrit vajzën teksa vetë studion në Universitetin amerikan të Nigerisë (AUN), një institucion privat dhe elitar.
AUN është opsioni i vetëm që iu dha Aminës dhe vajzave të tjera të Chibokut për të rifilluar studimet e tyre, por shumë prej tyre kanë luftuar për të vazhduar dhe disa e kanë braktisur.
“Ne nuk zgjodhëm AUN-në sepse e dimë se standardet e shkollës janë të vështira për ne, ne vajzat vijmë kemi prejardhje të varfër”, tha ajo. “Ish-ministri na detyroi të vijmë në këtë shkollë”.
Vajzat thanë se do të kishin dashur më shumë të drejtë në zgjedhjen e vendit ku mund të studionin dhe pyesnin nëse disa nga paratë e qeverisë të shpenzuara për të mbuluar tarifat e larta të AUN-it mund të ishin shpenzuar më mirë për t’i mbështetur drejtpërdrejt ato.
Amina ka ndjekur AUN-in që nga viti 2017, por nuk është afër diplomimit. Vetëm një nga vajzat që ishte rrëmbyer është diplomuar.
Ministrja e Çështjeve të Grave të Nigerisë, Uju Kennedy-Ohanenye thotë se qeveria ka paguar AUN-in rreth 350 mijë dollarë në vit për vajzat dhe arsimimin e tyre gjatë gjashtë viteve të fundit.
Është një marrëveshje që ajo thotë se do të rishikohet.
“Vajzat duhet të merren parasysh para së gjithash. Shkolla është e rëndësishme, para së gjithash. Por nuk mund të shkoni në shkollë me stomakun bosh”.
Rakiya Gali është një tjetër vajzë e Chibokut - ajo u arratis nga “Boko Haram” në vitin 2017. Ajo ishte studente në AUN për një kohë të shkurtër, por e braktisi për shkak të shëndetit të dobët.
Rakiya thotë se nuk merr asnjë mbështetje financiare dhe ashtu si Amina paguan shkollimin e djalit të saj me paratë që fiton nga bujqësia, pavarësisht premtimeve nga qeveria.
“Qeveria ka qenë e padrejtë me ne”, thotë ajo. “Ata e dinin që ne shkuam në pyllin Sambisa dhe u kthyem me fëmijë. Nëse ata nuk mund të na ndihmojnë, atëherë kush do të na ndihmojë?”.
Përveç barrës financiare, Rakiya jeton në frikë, pasi qyteti i saj ende sulmohet nga Boko Haram. Ajo thotë se militantët së fundmi dogjën shkollën e djalit të saj.
“Sa herë që dëgjoj ndonjë zë, mendoj se është një e shtënë armësh”, thotë ajo.
Rakiya dëshiron dëshpërimisht të ecë përpara me jetën e saj dhe të sigurojë arsimimin më të mirë të mundshëm për djalin e saj, por mungesa e mbështetjes i bën gjërat të duken të pamundura.
Zhgënjimi me shtetin
Aq e parealizueshme i duket gjithçka, saqë beson se po ta shihnin gjendjen e saj vajzat e tjera të rrëmbyera, që nuk janë kthyer, më dëshirë do të qëndronin në pyllin Sambisa.
“Kur vajzat të kthehen, do në na bashkohen në këtë situatë”, thekson ajo.
“Dua të them se është më mirë të qëndroja në pyllin Sambisa më fëmijën dhe babai i tij do të siguronte mbështetje, në vend që të kaloj nëpër këto telashe”.
Muhammad Alli, ish-luftëtar i “Boko Haram-it” i cili ishte i përfshirë në rrëmbimin e Chibokut, tani po jeton në Maiduguri me familjen e tij – përfshirë tetë fëmijë. Ai ishte pjesë e grupit militant për 13 vjet dhe u ngjit në gradën e komandantit, madje u “martua” me forcë me një nga vajzat e Chibokut.
“Në kohën kur u martova me një nga vajzat, nuk ndjeva asnjë faj”, thotë ai. “Por kur vendosa të dorëzohesha, fillova të kuptoj se keq duhet të jenë ndjerë ato duke u detyruar të bëjnë këto gjëra”.
Ashtu si mijëra luftëtarë të tjerë, Muhamedit iu dha amnisti dhe përfundoi programin e rehabilitimit të qeverisë. Ai ka një fermë, por gjithashtu punon me ushtrinë për të ndihmuar në shpëtimin e vajzave të rrëmbyera.
Vitin e kaluar ai ishte pjesë e një grupi që shpëtoi disa nga të njëjtët njerëz që ai kishte ndihmuar në rrëmbimin.
“Ato ishin në një gjendje të tmerrshme kur i gjetëm”, thotë ai. “Qava kur i pash”.
Programi i amnistisë nuk është pa polemika, me disa që thonë se ish-militantë si Mohammad duhet të vuajnë dënimin me burg dhe të mbajnë përgjegjësi për krimet e tyre të shumta.
“Gjithçka që mund të them në këtë drejtim është të kërkoj falje”, thekson Mohammed.
Rrëmbimet e tjera
Gjatë raportimit të kësaj historie, kishte tre rrëmbime të veçanta në Nigerinë verilindore, një nga këto sulme ishte në një shkollë dhe ishte më i madhi i këtij lloji që nga viti 2021.
Mohammad thotë se “suksesi” i rrëmbimeve të Chibokut ka inkurajuar këto lloj sulmesh.
“Ne e kuptuam se ngjarja tronditi të gjithë kombin dhe Afrikën në tërësi”, thotë ai. “Dhe misioni kryesor i ‘Boko Haramit’ për udhëheqësin e grupit, Abubakar Shekau, ishte të siguronte që aktivitetet tona të tërhiqnin vëmendjen”.
Ai gjithashtu mori para nga disa nga këto aksione, të cilat ndihmuan në pagesën e transportit dhe ushqimit, dhe kjo është arsyeja pse ata vazhduan rrëmbimet.
Pyetje serioze mbeten rreth ushtrisë së Nigerisë dhe aftësisë së saj për të trajtuar kryengritjen që ka zgjatur më shumë se një dekadë dhe ka lënë qindra mijëra njerëz të vdekur, veçanërisht pasi pasiguria përhapet në pjesë të tjera të vendit.
Gjenerali Christopher Gwabin Musa, shefi i mbrojtjes i Nigerisë, ka pranuar sfidat “të mëdha” me të cilat përballet ushtria, duke e quajtur gjendjen aktuale të pasigurisë në vend një “tronditje të madhe”.
Sa i përket 91 vajzave nga Chiboku që ende mbahen rob, gjenerali Musa thotë se ushtria nuk ka hequr dorë nga shpresa se ato do të shpëtohen.
Pavarësisht pakënaqësisë së saj me situatën aktuale, edhe Amina është shpresëdhënëse.
Ajo shpreson që një ditë të bëhet gazetare, të jetë zëri i viktimave të rrëmbimit, të jetë lidere. Ajo gjithashtu shpreson që vajza e saj të përfundojë shkollimin e saj dhe të ketë një të ardhme të ndritshme dhe të sigurt.
Mbi të gjitha, ajo shpreson që shoqet e saj të klasës një ditë të lirohen.
“E vetmja gjë që duhet të bëjë qeveria është të lirojë disa nga motrat e mia që janë ende në robëri. Unë kam ende shpresë”, thotë ajo.
“Derisa të jenë gjallë, shpresa nuk do të shuhet, se ato do të kthehen një ditë”.
Përgatiti: Blerta Haxhiu