Botë

Ish-shefi i NATO-s emërohet ministër i Financave në Norvegji

Jens Stoltenberg

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, është emëruar ministër i Financave në Norvegji të martën, raportoi Reuters.

Emërimi i tij sjell në kabinetin e Norvegjisë një diplomat me përvojë në një kohë tensionesh tregtare globale. 

“Ky ekip është gati të udhëheqë Norvegjinë në kohë të vështira. Do të ofrojmë politika që do të ndikojnë në jetën e përditshme të njerëzve dhe jemi të vetëdijshëm për paqëndrueshmërinë në botë nga e cila është prekur edhe Norvegjia”, ka thënë kryeministri Jonas Gahr Stoere.

Stoltenbergu ka qenë kryeministër i Norvegjisë në vitet 2000-2001 dhe 2005-2013. Ai drejtoi aleancën ushtarake perëndimore për një dekadë, përfshirë edhe gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan Donald Trump, duke u larguar vitin e kaluar.

65-vjeçari është me profesion ekonomist dhe ka qenë ministër i financave në vitet 1996-1997. 

Në vitin 2022, Stoltenberg do të bëhej shef i bankës qendrore të Norvegjisë, por nuk e mori këtë rol pasi presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Joe Biden, i kërkoi atij të vazhdonte si shef i NATO-s.