Një gjykatë në Peru e ka dënuar ish-presidentin Alejandro Toledo me 20 vjet e gjysmë burgim për korrupsion dhe shpëlarje parash, raporton BBC.
Prokuroria ka thënë se ai i kishte marrë 35 milionë dollarë ryshfet nga një kompani ndërtimi nga Brazili, të cilën e kishte shpërblyer me kontratë për të ndërtuar një rrugë në Perunë jugore.
78-vjeçari Toledo ishte në krye të shtetit në periudhën 2001-2006.
Ai ishte arrestuar para pesë vjetëve në Kaliforni dhe u ekstradua në Peru vitin e shkuar.
Kompania braziliane “Odebrecht” ka pranuar se ka paguar miliona dollarë ryshfet te zyrtarët në Amerikën Latine dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të siguruar kontrata me qeveritë.
Toledo kishte mohuar të gjitha akuzat dhe kur u mor vendimi të hënën ai vetëm ka qeshur, sipas raportimeve në Peru.
Edhe dy ish-presidentë tjerë të Perusë, Pedro Pablo Kuczynski dhe Ollanta Humala, po hetohen për raste me “Odebrechtin”.