Ish-ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, ka tentuar t’i japë fund jetës së tij derisa ka qenë në paraburgim, ka thënë shërbimi korrektues të mërkurën, ndërsa vendi ka hyrë në krizë politike pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake nga presidenti.
Ish-ministri ishte arrestuar në Seul të dielën, duke u bërë figura e parë politike që u arrestua lidhur me rastin. Ai pretendohet se rekomandoi vendosjen e ligjit ushtarak dhe dha dorëheqje si ministër të enjten, raportoi CNN.
Nga shërbimi korrektues kanë thënë se Kim tentoi ta vriste veten në një banjo dhe kur një zyrtar ishte futur brenda, ai kishte hequr dorë.
Kim është vendosur në një dhomë izolimi.
Ndërkohë, policia jugkoreane ka bastisur zyrën presidenciale të mërkurën si pjesë të hetimit ndaj presidentit Yoon Suk Yeol. Yoon është ndaluar të largohet nga vendi ndërsa prokurorët ka mundësi që të ngrehin akuzë për kryengritje.