Botë

Ish-mashtruesi që ndihmon viktimat t’i rikthejnë paratë e tyre

Marwan Ouarab

Deri vetëm para gjashtë vjetëve, vetë Marwan Ouarabi ishte ai që mashtronte njerëzit. Ai u shiste atyre bileta të rreme të koncerteve duke shtypur barkode në bileta të zbrazëta. Mashtrimi funksionoi për një kohë, por në fund ai u kap nga policia. Në moshën 25-vjeçare, ai u dënua për mashtrim, me 10 muaj burgim me kusht dhe u urdhërua të paguante 11 mijë euro si dëmshpërblim për viktimat. Ai vendosi të ndryshojë jetën e tij, dhe, në vitin 2023, zyrtarisht themeloi FindMyScammer.com, për të cilën ai pretendon se është kompania e parë e përkushtuar për të gjurmuar mashtruesit e internetit

Marwan Ouarab nuk është një hero si gjithë të tjerët. I dënuar për mashtrim, për shitjen e biletave false të koncerteve, Ouarabi tani i ndihmon viktimat që bien pre e mashtruesve të internetit. Për shumë njerëz, ai është shpresa e tyre e fundit për të rikthyer kursimet e vjedhura.

“Është rruga drejt shëlbimit që kam zgjedhur”, tha Ouarabi për CNN-in duke buzëqeshur. Themeluesi 29-vjeçar i FindMyScammer.com, kompani e krijuar në vitin 2023 që gjurmon mashtruesit e internetit, është vënë në qendër të vëmendjes globale javët e fundit pasi historia e njërit prej klientëve të tij u bë virale.

Anne, e cila për arsye privatësie kërkoi që të përdorej vetëm emri i saj, është një grua franceze 53-vjeçare, së cilës iu vodhën 830 mijë euro nga mashtruesit që e bindën se ajo ishte në një lidhje prej më shumë se një viti e gjysmë me aktorin e Hollywoodit, Brad Pitt. Kriminelët e bindën atë duke i dërguar foto dhe video të rreme që supozohet se tregonin aktorin e vërtetë duke folur me Anne dhe duke i kërkuar para.

Videot që iu dërguan Anne janë tejet bindëse, të paktën në shikim të parë. Ato i tradhton vetëm audio ndonjëherë e çuditshme dhe lëvizjet e panatyrshme të syve të “Brad Pittit” të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. 

Ouarabi i cili u kontaktua nga TF1, transmetues francez që po raportonte për historinë e Anne, përdori teknika të inteligjencës me burim të hapur (OSINT) për të gjurmuar mashtruesit e saj në Nigeri.
Për të gjurmuar të akuzuarit për mashtrimin e Anne, Ouarabi u mbështet në një taktikë që ai vetë e kishte provuar: përfitimi nga lakmia e mashtruesve duke u dërguar atyre një link të maskuar në formë të një platforme bankare legjitime.  

Arti i shfrytëzimit të gabimeve të një mashtruesi

“Në thelb, (OSINT) është arti i gjetjes së një personi duke përdorur shumë pak informacion”, shpjegoi Ouarabi. Vetëm me një numër telefoni ose një e-mail adresë, 29-vjeçari mund të demaskojë mashtruesit e internetit, duke u gjetur emrin, moshën dhe vendndodhjen e tyre të vërtetë.

“Për të mbledhur të dhënat e tyre, më duhej të prisja që ata të klikonin në link”, shpjegoi Ouarabi. Kjo metodë siguron që të dhënat e marra t’i kalohen në mënyrë të ligjshme policisë. Nuk janë vetëm mashtruesit e reformuar ata që mund t’i zotërojnë këto taktika. “Çdokush mund t’i përdorë këto mjete”, theksoi ai. “Është vërtet OSINT i nivelit bazë që përdora për këtë rast”.

Ouarabi më pas ishte në gjendje që të gjurmonte IP-adresën e mashtruesve të dyshuar, t’i lokalizonte ata në një shtëpi në Nigeri dhe të identifikonte tre të rinj rreth të njëzetave që jetonin atje. “Ai i përpiloi të gjitha këto detaje në një raport, të cilin Anne e dorëzoi në polici kur ajo paraqiti ankesën”, tha për CNN-in, ish-avokatja e saj Laurène Hanna.

Autoritetet franceze që atëherë kanë nisur hetimet dhe raporti i Ouarabit po përdoret si provë. Askush nuk është akuzuar ende për këtë rast.

Ndonëse historia e Anne duket e jashtëzakonshme, për Ouarabin dhe ekipin e FindMyScammer, fatkeqësisht është shumë e zakonshme.

Vetëm në vitin 2024, më shumë se 1 trilion dollarë u vodhën si pasojë e mashtrimeve në nivel global, sipas një sondazhi ndërkombëtar nga Global Anti-Scam Alliance.

Rritja e numrit të mashtruesve të internetit dhe nevoja urgjente për metoda më të mira zbulimi janë pjesë e agjendës së Samitit Ndërkombëtar mbi Inteligjencën Artificiale që po zhvillohet në Paris këtë javë.

Presidenti francez, Emmanuel Macron thotë se ai është i përkushtuar personalisht për të siguruar suksesin e samitit dhe liderë të shumtë botërorë po marrin pjesë, duke përfshirë kryeministrin indian, Narendra Modi, zëvendëskryeministrin e Kinës, Zhang Guoqing dhe zëvendëspresidentin e SHBA-së, JD Vance.

“Çdokush mund të bjerë viktimë e këtyre mashtrimeve”

Të biesh pre e një mashtrimi në internet nuk kërkon video të sofistikuara të krijuara nga Inteligjenca Artificiale apo taktika të thella. “Çdokush mund të bjerë viktimë e këtyre mashtrimeve”, paralajmëron Ouarabi. Ai flet nga përvoja personale: Disa vjet më parë, ai thotë se tezja e tij humbi 80 mijë euro bizhuteri Cartier derisa përpiqej që t’i shiste ato në Leboncoin.fr, faqe tregtare franceze. E dëshpëruar, ajo e pyeti Ouarabin nëse ai mund ta ndihmonte në gjetjen e mashtruesve.

“I kam mësuar të gjitha aftësitë e mija kur jetoja në anën time të errët. E kuptova se ato gjithashtu mund të përdoren për të mirë”, thotë ai. Ouarabi thotë se ai arriti të gjente mashtruesin dhe ta trembte në mënyrë që t’ia kthente tezes stolitë e vjedhura.

Deri vetëm para gjashtë vjetëve, vetë Ouarabi ishte ai që mashtronte njerëzit. Ai u shiste atyre bileta të rreme të koncerteve duke shtypur barkode në bileta të zbrazëta.

Mashtrimi funksionoi për një kohë, por në fund ai u kap nga policia. Në moshën 25-vjeçare, ai u dënua për mashtrim, me 10 muaj burgim me kusht dhe u urdhërua të paguante 11 mijë euro si dëmshpërblim për viktimat.

Ai vendosi të ndryshojë jetën e tij, dhe, në vitin 2023, zyrtarisht themeloi FindMyScammer.com, për të cilën ai pretendon se është kompania e parë e përkushtuar për të gjurmuar mashtruesit e internetit, megjithëse kompani të tjera si Forward Global ofrojnë shërbime të ngjashme në Shtetet e Bashkuara. Ajo që filloi si një operacion i vetëm është shndërruar në një biznes që ka punësuar 14 persona. Është një sukses që pritet të vazhdojë ndërkohë që shifrat e mashtrimeve në internet rriten.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara, humbjet e raportuara, të lidhura me mashtrimet u rritën nga 907 milionë dollarë në vitin 2020 në 2.9 miliardë dollarë deri në nëntor të 2023-tës, sipas FBI-së.
“Me kalimin e kohës, numri i viktimave do të vazhdojë të rritet”, tregon Ouarabi, i cili thotë se kompania e tij pranon nga 100 deri në 150 kërkesa të reja për ndihmë në lidhje me mashtrimet çdo ditë.

Pasojat e mashtrimeve në internet mund të jenë shkatërruese, duke lënë shumë prej viktimave me pak kursime, ato mund të ndajnë familje ose në disa raste mund edhe të detyrojnë viktimat që të kryejnë vetëvrasje. Çështjet që raportohen shpesh përkeqësohen kur autoritetet refuzojnë të fillojnë hetimet. “Në shumë raste, policia ka refuzuar ankesat e klientëve të mi, duke përmendur si arsye provat e pamjaftueshme”, tha avokatja Hanna për CNN-in.

Luca, i cili nuk dëshiron ta përdorë emrin e tij të vërtetë për arsye sigurie, është një ish-klient i Ouarabit dhe ndau një histori të ngjashme me CNN-in. Ai humbi 67 mijë euro si pasojë e mashtrimit në internet dhe u ndje i pafuqishëm kur autoritetet franceze refuzuan ta hetonin çështjen. 

“Isha krejtësisht i pafuqishëm. Kur shkova në polici për të bërë denoncimin, ata më thanë se nuk mund të bënin asgjë për mua”, tha Luca.

Në vitin 2022, Luca u takua me “Zaran” në Tinder dhe të dy krijuan shpejt një lloj marrëdhënieje në internet. Ata i dërgonin njëri-tjetrit mesazhe me tekst dhe flisnin edhe me video lidhje. Ata nuk u takuan kurrë personalisht, pasi “Zara” pretendonte se punonte në Londër dhe Luca ishte në Paris.
Pas katër muajsh, ajo i tha atij se po fitonte para meqë po investonte në një platformë të kriptovalutave dhe i sugjeroi që ta provojë.

Luca investoi fillimisht 10 mijë euro dhe arriti t’i dyfishojë të ardhurat e tij. Më pas ai investoi 40 mijë euro dhe pas dy muajsh portofoli i tij virtual vlente 100 mijë euro. Kur ai deshi të tërheqë disa nga paratë e tij, iu kërkua që të paguajë 17 mijë euro, tha ai. “Zara” e siguroi që kjo ishte një procedurë normale për të paguar tatimin mbi fitimet e realizuara. Luca i pagoi por ai nuk pa më kurrë asnjë nga paratë ose “Zaran”.

Për një tarifë prej 2.500 eurosh, Ouarabi identifikoi “Zaran”, mashtruesen e Lucas, dhe e gjurmoi atë në Dubai. Ajo dyshohet se është pjesë e një rrjeti më të madh mashtrimi, sipas Ouarabit. Me këtë informacion, Luca ishte në gjendje të kërkonte nga banka e tij rimbursimin e gati gjysmës së humbjeve të tij dhe hapi edhe një hetim zyrtar për rastin e tij.

Bankat kanë detyrime të caktuara ndaj klientëve. Sipas Louis Audibert, drejtor i departamentit të hetimit në Forward Global, “nëse transferoni para te dikush, banka duhet të sigurohet që emri i mbajtësit të llogarisë bankare të përputhet me numrin e llogarisë bankare”. Në rastin e Annes, tha ai, kjo do të thotë se ata kishin detyrim që “të verifikonin nëse llogaria bankare i takonte vërtet Brad Pittit”.

Ata duhet të merren edhe me parandalimin. “Nëse unë, si dikush që marrë rrogë në Francë, filloj të dërgoj shuma të mëdha parash jashtë vendit, banka duhet t’i hetojë ato transaksione sepse ato janë të parregullta”, tha Audibert.

Luftimi i rrjeteve të prostitucionit

Jo çdo rast do të rezultojë në një histori suksesi, por FindMyScammer.com heton një gamë të gjerë mashtrimesh. Nga mashtrimet “romantike” deri te shantazhet mbi fotot intime dhe mashtrimet financiare, puna e kompanisë tani shtrihet përtej klientëve individualë.

Korporatat po punësojnë Ouarabin dhe ekipin e tij për të testuar sigurinë e tyre kibernetike. Edhe institucionet publike, bashkëpunojnë me FindMyScammer.com për të luftuar rrjetet e prostitucionit të të miturve, tha ai.

“Ne punojmë për të identifikuar drejtuesit e këtyre rrjeteve të prostitucionit. Ka qenë shumë efektive”, tha Ouarabi, dukshëm krenar për ndikimin e gjerë të kompanisë së tij.

Gjurmimi i mashtruesve vjen me rreziqet e veta. Ouarabi dhe ekipi i tij kanë marrë kërcënime të shumta, dhe kjo është arsyeja pse identitetet e të gjithë punonjësve, përveç atij të Ouarabit, mbahen sekret. Ai vetë kujdeset që të mbajë të fshehtë vendin se ku jeton, pasi është detyruar të zhvendoset disa herë për arsye sigurie.

“Duhet të jem shumë i kujdesshëm, por e di që është për një kauzë të mirë”, tha ai. “Kam qenë një mashtrues më parë dhe më vjen shumë keq për këtë”.

“Nëse ky është çmimi që duhet të paguaj për ta çliruar veten, atëherë le të mbetet kështu”.