Ish-lideri i rebelëve sirianë të cilët rrëzuan Bashar al-Assad muajin e kaluar është emëruar president i përkohshëm i vendit të mërkurën, derisa ish-rebelët kanë anuluar edhe Kushtetutën duke njoftuar se një kushtetutë e re do të hartohet shpejtë.
Emërimi i Ahma al-Sharaa, ish-rebel përkrahës i al-Qaidas, si presidenti i përkohshëm i Sirisë në “fazën tranzicionale”, erdhi pas një takimit të rebelëve në Damask, kryeqytetin e Sirisë. Për këtë njoftoi përfaqësuesi për media i sektorit të ushtrisë së qeverisë de facto siriane, Kolonel Hassan Abdul Ghani, ka raportuar agjencia e lajmeve shtetërore SANA.
Abdul Ghani po ashtu ka njoftuar edhe për anulimin e Kushtetutës së vendit që kishte hyrë në fuqi në vitin 2012 nën udhëheqjen e Assadit, dhe ka njoftuar se al-Sharaa do të autorizohet të formojë një Këshill legjislativ të përkohshëm derisa një kushtetutë e re të hartohet, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Al-Sharaa , më herët i njohur si Abu Mohammed al-Golani, është lideri i Hayat Tahrir al-Sham, grupi islamik ish-rebel që udhëhoqi ofensivën që e rrëzoi Assadin në fund të vitit të kaluar. Më herët grupi ishte i lidhur me al-Qaida, por pastaj është distancuar nga lidhjet e mëhershme, dhe në vitet e fundit al-Sharaa ka synuar të paraqesë veten si kampion i pluralizmit dhe tolerancës.
Më herët Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin vendosur shpërblim prej 10 milionë dollarësh për kapjen e tij, por e anuluan muajin e kaluar pas vizitës së delegacionit nga SHBA-ja në Damask, dhe takimit me të.
Që nga rënia e Assadit, HTS është partia udhëheqëse de facto dhe ka vendosur një qeveri të përkohshme, që përbëhet nga zyrtarë të qeverisë lokale që më herët kishte udhëhequr provincën e mbajtur nga rebelët të Idlibit.