Botë

Ish-gruaja e francezit që solli 50 burra për ta përdhunuar: Ndihem e poshtëruar

Gisele Pelicot

Ish-gruaja e një francezi të akuzuar se kishte ftuar burra të panjohur për ta përdhunuar ndërkohë që ajo ishte e droguar, deklaroi në gjykatë se nuk ka pranuar asnjëherë me dëshirë një gjë të tillë.

“Kurrë, as për një moment, nuk i kam dhënë pëlqimin ish-burrit tim apo atyre të tjerëve”, ka thënë Gisele Pelicot për ish-bashkëshortin Dominique dhe rreth 50 burra që ai i ftoi ta përdhunonin.

Dominique pranoi se e drogoi gruan me qetësues dhe ilaçe kundër ankthit dhe ftonte burra që ta përdhunoni. Sipas akuzës, kjo ka ndodhur midis viteve 2011 dhe 2020.

Burrat që u ftuan nga Dominique ishin të moshës midis 26 dhe 74 vjeç. Disa prej tyre pranuan se e dinin para kohe se ajo ishte e droguar, ndërsa disa të tjerë kanë besuar se po merrnin pjesë në një “lojë çifti”.

Gisele ka thënë se ndihej e poshtëruar nga marrja në pyetje nga avokatët mbrojtës, të cilët argumentuan se burrat “ndoshta bënë gabim në gjykimin e tyre ose menduan se ishte e dehur ose pretendonte se ishte në gjumë dhe ishte bashkëpunëtore”.

“U ndjeva e poshtëruar derisa isha në këtë sallë gjyqi”, ka thënë ajo, duke kujtuar se në atë periudhë ishte pa ndjenja, gjë që e dëshmojnë edhe videot.

“Këta njerëz janë të degjeneruar. Kanë përdhunuar... Kur shohin një grua duke fjetur në shtratin e saj, askush nuk mendoi të pyeste? A nuk kanë tru?”, ka thënë Gisele duke iu drejtuar burrave.

Edhe pse përjetoi probleme të kujtesës dhe probleme gjinekologjike për vite me radhë, Gisele u shpreh se nuk dinte për përdhunimet derisa policia gjeti imazhet në kompjuterin e ish-burrit të saj.

Ish-bashkëshorti i kërkoi sërish falje në gjykatë, por Gisele e shikoi dyshemenë pa reagim.