Dy ish-agjentë të inteligjencës izraelite kanë zbuluar sesi anëtarët e grupit militant Hezbollah në Liban përdorën pejxherë dhe radiolidhje të prodhimit izraelit, në të cilat kishte të fshehur eksploziv për 10 vjet përpara se ato të shpërthenin në një sulm të befasishëm në shtator të këtij viti.
Dy ish-agjentët e Mossad-it i kanë thënë “CBS News” se si shërbimi mashtroi Hezbollahun që të blinte mijëra radiolidhje dhe pejxherë pa e kuptuar se ato ishin prodhuar në Izrael.
Një nga agjentët, i emëruar si Michael, ka thënë se Mossadi kishte fshehur një pajisje shpërthyese brenda baterive që përdornin telekomandat, të cilat sipas tij, zakonisht do të mbaheshin në një jelek më afër zemrës së përdoruesit.
Sipas tij, Hezbollahu kishte blerë pa dashje mbi 16,000 radiolidhje me "një çmim të mirë" nga një kompani e rreme 10 vjet më parë.
"Ne kemi një sërë mundësish të pabesueshme për të krijuar kompani të huaja që nuk mund të gjurmohen në Izrael. Ne krijojmë një botë të pretenduar. Ne jemi një kompani globale prodhimi. Ne shkruajmë skenarin, ne jemi regjisorët, ne jemi producentët, ne jemi aktorët kryesorë dhe bota është skena jonë”, ka deklaruar Michel.
Më 17 shtator 2024, mijëra pejxherë shpërthyen njëkohësisht në të gjithë Libanin, kryesisht në zonat me një prani të fortë të Hezbollahut. Shpërthimet plagosën ose vranë përdorues dhe njerëz të tjerë aty pranë, duke përhapur panik dhe konfuzion.
Të nesërmen, radiolidhjet shpërthyen në të njëjtën mënyrë, duke vrarë dhe plagosur qindra të tjerë.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu pranoi dy muaj më vonë se Izraeli ishte përgjegjës për sulmet.
Sipas agjentëve, Mossad kishte zbuluar në atë kohë se Hezbollah po blinte pejxherë nga një kompani tajvaneze e quajtur Gold Apollo. Agjencia ngriti një kompani të rreme e cila përdorte emrin Gold Apollo në pejxherët e montuar me eksploziv, pa e kuptuar kompania mëmë.
Agjenti i emëruar si Gabriele ka thënë për CBS se Mossadi vendosi eksplozivë në brendësi mjaftueshëm sa për të dëmtuar vetëm përdoruesin.
"Ne testojmë çdo gjë trefish, dyfish, shumë herë, në mënyrë që të sigurohemi se ka dëm minimal”, wshtw shprehur Gabriele.
Hezbollahu kishte blerë 5,000 nga pejxherët në të cilët kishte të instaluar bombë, deri në shtator të vitit 2024.
Ato janë aktivizuar nga Izraeli kur Mossadi kishte nisur të druhej se Hezbollahu filloi të kishte dyshime, sipas agjentëve.
Shpërthimet shkaktuan valë tronditëse në të gjithë Libanin, dhe luftime më të ashpra ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut. Të dy palët ranë dakord për një armëpushim më 26 nëntor.