Sot në Iran janë duke u mbajtur zgjedhjet e parakohshme presidneciale.
Ato janë organizuar pasi që presidenti i ndjerë Ebrahim Raisi, kishte vdekur si pasojë e një aksidenti me helikopter.
Kandidatët për president janë përzgjedhur nga pushteti politik i republikës islamike.
Kandidati i vetëm reformist në këto zgjedhje është Masoud Pezeshkian, i cili është zotuar se do të kërkojë “marrëdhënie miqësore” me Perëndimin në një përpjekje për të nxitur fushatën e tij.
Deklaratat e Pezeshkian që është kirurg i zemrës, vijnë pasi ai dhe aleatët e tij u vunë në shënjestër të një paralajmërimi nga lideri suprem i vendit, Ayatollah Ali Khamenei, për vizitën e tyre në Shtetet e Bashkuara, raporton Associated Press.
Komentet e Pezeshkianit, të bëra pasi ai hodhi votën e tij, dukej se synonin rritjen e pjesëmarrjes pasi apatia publike është përhapur në Republikën Islamike pas viteve të vështirësive ekonomike, protestave masive dhe tensioneve në Lindjen e Mesme.
Votuesit përballen me një zgjedhje midis kandidatëve të linjës së ashpër dhe Pezeshkianit pak të njohur, i cili i përket lëvizjes reformiste të Iranit që kërkon të ndryshojë teokracinë shiite.
Asnjë prej kandidatëve nuk pritet të sigurojë vota të mjaftueshme për t’u shpallur fitues i garës presidenciale, pasi duhen së paku 50 për qind të votave. Një balotazh i mundshëm është caktuar për 5 korrik.
Votimi vjen pasi tensionet më të gjera kanë kapluar Lindjen e Mesme lidhur me luftën Izrael-Hamas në Rripin e Gazës. Në prill, Irani nisi sulmin e tij të parë të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit për luftën në Gaza, ndërsa grupet e milicisë që Teherani armatosur në rajon - si Hezbollahu libanez dhe rebelët Houthi të Jemenit - janë përfshirë në luftime dhe kanë përshkallëzuar sulmet e tyre.