Irani ka nisur të premten votimet në balotazhin presidencial, të cilësuar si test për sundimtarët klerikë, në një kohë tensionesh rajonale dhe përplasjeje me Perëndimin për programin bërthamor të Teheranit.
Qendrat e votimit hapën dyert në orën 8 të mëngjesit dhe pritet që votimi të përfundojë në orën 18:00 ndonëse zakonisht zgjatet deri në mesnatë. Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen të shtunën, megjithëse shifrat fillestare mund të publikohen edhe më shpejt.
Balotazhi pason votimin e 28 qershorit, i cili u karakterizua me pjesëmarrjen më të ulët të votuesve në historinë e Iranit, meqë mbi 60% e votuesve iranianë abstenuan zgjedhjet e parakohshme pas vdekjes së ish-presidentit, Ebrahim Raisi, në një aksident me helikopter.
Pjesëmarrja e ulët shihet nga kritikët si votë mosbesimi ndaj Republikës Islamike.
Balotazhi i së premtes shënon një garë të ngushtë midis ligjvënësit, Masoud Pezeshkian, dhe ish-negociatorit për programin bërthamor, Saeed Jalili, raporton “Reuters”.
Presidenti do të jetë i përfshirë nga afër në zgjedhjen e pasuesit të Ayatollah Ali Khamenei-t, liderit suprem 85-vjeçar të Iranit, i cili merret me të gjitha çështjet kryesore shtetërore.
Khamenei pranoi të mërkurën se ka pasur pjesëmarrje më të ulët sesa që pritej në votimet e mëparshme dhe e ka quajtur gabim supozimin se ata që abstenuan në raundin e parë të zgjedhjeve janë kundër sundimit islamik.
Pjesëmarrja e votuesve ka rënë gjatë katër viteve të fundit.
Vetëm 48% e votuesve morën pjesë në zgjedhjet e vitit 2021, që sollën Raisin në pushtet dhe pjesëmarrja ishte 41% në zgjedhjet parlamentare në muajin mars.
Zgjedhjet përkojnë edhe me përshkallëzimin e tensioneve rajonale për shkak të luftës midis Izraelit dhe aleatëve iranianë, Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban, si dhe presionit të shtuar perëndimor ndaj Iranit lidhur me programin e tij bërthamor që po përparon me shpejtësi.
Presidenti i ardhshëm nuk pritet të ofrojë ndonjë ndryshim të madh të politikave të programit bërthamor të Iranit, por ai mund të ndikojë në fushën e politikës së jashtme dhe të brendshme të Iranit.
Të dy kandidatët rivalë, janë njerëz besnikë të sundimit teokratik të Iranit, por analistët thonë se fitorja e mundshme e anti-perëndimorit Jalili, do të sinjalizonte një politikë të brendshme dhe të jashtme potencialisht edhe më antagoniste.
Ndërsa triumfi i mundshëm i Pezeshkianit mund të nxisë një politikë të jashtme pragmatike, të lehtësojë tensionet mbi negociatat tashmë të ngecura me fuqitë e mëdha dhe të përmirësojë perspektivat për liberalizimin social dhe pluralizmin politik.
Megjithatë, shumë votues janë shprehur skeptikë në lidhje me aftësinë e Pezeshkianit për të përmbushur premtimet e tij, pasi ish-ministri i shëndetësisë ka deklaruar publikisht se ai nuk e ka ndërmend që të përballet me udhëheqësit e fuqishëm të sigurisë dhe pushtetarët klerik.
Të dy kandidatët janë zotuar të ringjallin ekonominë, ta luftojnë korrupsionin dhe sanksionet e rivendosura që nga viti 2018, pas heqjes dorë të SHBA-së dhe gjashtë fuqive botërore nga pakti bërthamor i Teheranit i vitit 2015.