Zëdhënësi i Gardës Revolucionare të Iranit është zotuar se Izraeli së shpejti do të marrë “goditje më vdekjeprurëse” pas sulmit ajror izraelit që goditi Konsullatën e Iranit në kryeqytetin sirian të Damaskut, e si pasojë e të cilit 12 persona u vranë, duke përfshirë dy gjeneralë iranianë dhe një anëtar të grupit militant libanez Hezbollah.
“Së shpejti do të shohim goditje më vdekjeprurëse ndaj regjimit sionist dhe fronti i rezistencës do të kryejë detyrat e tij në këtë drejtim”, është shprehur gjenerali Ramezan Sharif gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Teheran, raporton AP.
Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare i Iranit, një organ kyç vendimmarrës, ka mbajtur takim vonë të hënën dhe ka vendosur që t’i përgjigjet sulmit, ka njoftuar televizioni shtetëror i Iranit.
Takimi u kryesua nga presidenti Ebrahim Raisi, por nuk u dhanë detaje të tjera.
“Ne do t’i bëjmë ata që të pendohen për krimin dhe aktet e ngjashme”, ka thënë Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet shtetërore në Iran.