Botë

Irani pritet të mbajë bisedime për çështje bërthamore me tri superfuqi evropiane

Masoud Pezeshkian

Foto: Associated Press

Irani planifikon të mbajë bisedime për programin e tij të diskutueshëm bërthamor, me tri fuqitë evropiane, më 29 nëntor në Gjenevë, ka njoftuar të dielën agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, disa ditë pasi mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së miratoi një rezolutë kundër Teheranit.

Irani reagoi ndaj rezolutës, e cila u propozua nga Britania, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Kyodo ka shkruar se qeveria e presidentit iranian, Masoud Pezeshkian po kërkonte një zgjidhje për ngërçin bërthamor përpara inaugurimit në janar të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, raporton Reuters.

Një zyrtar i lartë iranian konfirmoi se takimi do të zhvillohej të premten e ardhshme, duke shtuar se

"Tehrani ka besuar gjithmonë se çështja bërthamore duhet të zgjidhet përmes diplomacisë dhe se Irani nuk është larguar kurrë nga bisedimet".

Në vitin 2018, administrata e atëhershme Trumpit doli nga pakti bërthamor i Iranit i vitit 2015 me gjashtë fuqitë e mëdha, dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit, duke e shtyrë Teheranin të shkelte kufijtë bërthamorë të paktit, me lëvizje të tilla si rindërtimi i rezervave të uraniumit të pasuruar, rafinimi i tij në pastërti më të lartë të zbërthimit, dhe instalimi i centrifugave të avancuara për të përshpejtuar daljen.

Bisedimet indirekte midis administratës së presidentit Joe Biden dhe Teheranit për të ringjallur paktin kanë dështuar, por Trumpi ka thënë në fushatën e tij zgjedhore në shtator se “duhet të bëjnë një marrëveshje”.