Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Iranit, Email Baghaei, ka deklaruar të hënën se Izraeli nuk mund të bëjë "asnjë gjë të mallkuar" kundër vendit të tij.
Komentet e Baghaei duken si një reagim ndaj komenteve të bëra nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu të dielën.
“Kërcënimi i të tjerëve është një shkelje e qartë e kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare, dhe kur bëhet kundër një vendi si Republika Islamike e Iranit, përgjigja do të ishte se ata nuk mund të bëjnë asgjë”, ka deklaruar ai, raporton AP.
Deklarata vjen mes spekulimeve se Izraeli mund të sulmojë qendrat bërthamore të Iranit nëse nuk arrin një marrëveshje me Perëndimin.
Baghaei i kërkoi gjithashtu Libanit të mos lejojë "palët e treta" të ndërhyjnë në lidhjet e tij me Iranin, duke iu referuar një vendimi të qeverisë libaneze për të revokuar lejen për një aeroplan iranian që ishte caktuar të udhëtonte nga Teherani në Bejrut, duke lënë të bllokuar dhjetëra pasagjerë.
Tensionet e brendshme janë rritur në Liban ditët e fundit pas vendimit.
Masa është vendosur pasi Izraeli pretendonte se Irani po i dërgonte para Hezbollahut nëpërmjet fluturimeve civile.