Botë

Irani paralajmëron prodhimin e armëve bërthamore nëse Izraeli ia kërcënon ekzistencën

Flamuri i Iranit

Irani do të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore nëse Izraeli kërcënon ekzistencën e tij, ka bërë të ditur njëri prej këshilltarëve të liderit suprem të Iranit.

Teherani ka thënë gjithmonë se nuk ka në plan që të prodhojë armë bërthamore, raporton Reuters. 

Në prill, në mes të një përplasjeje të tensionuar me Izraelin, i cili besohet gjerësisht se posedon armë bërthamore, një komandant i lartë i Gardës Revolucionare të Iranit pati thënë se kërcënimet izraelite mund ta shtyjnë Iranin të ndryshojë doktrinën e tij bërthamore.

“Ne nuk kemi marrë asnjë vendim për të ndërtuar ndonjë bombë bërthamore, por nëse ekzistenca e Iranit kërcënohet, nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të ndryshojmë doktrinën tonë ushtarake”, është shprehur Kamal Kharrazi, këshilltar i liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei.

Në vitin 2022, i njëjti këshilltar pati thënë se Irani ishte teknikisht i aftë të prodhonte bombë bërthamore, por nuk kishte vendosur ende nëse do ta ndërtonte një të tillë.

Khamenei, i cili ka fjalën vendimtare për programin bërthamor të Teheranit, e ndaloi zhvillimin e armëve bërthamore në një fetva, ose dekret fetar, në fillim të viteve 2000.

Ai në vitin 2019 pati thënë se prodhimi i bombave bërthamore ishte “i gabuar dhe përdorimi i tij është haram”, ose fetarisht i ndaluar.

Por në vitin 2021, ministri i atëhershëm i inteligjencës së Iranit, paralajmëroi se presioni perëndimor mund ta shtyjë Teheranin drejt armëve bërthamore.

Irani dhe Izraeli njihen prej kohësh si armiq të përhershëm.