Botë

Irani mbështet Libanin në bisedimet e armëpushimit, kërkon t’i jepet fund konfliktit

Pamje nga sulmi në Bejrut

Irani do ta mbështesë çdo vendim të marrë nga Libani në bisedimet për të siguruar armëpushim me Izraelin, tha të premten një zyrtar i lartë iranian, duke sinjalizuar se Teherani dëshiron ta shohë fundin e një konflikti që i ka dhënë goditje të rënda aleatit të tij libanez, Hezbollahut.

Ali Larijani, këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, foli gjatë një vizite në Bejrut gjersa Izraeli vazhdoi bombardimet e zonave të kontrolluara nga Hezbollahu në kryeqytetin libanez.

E ambasadorja e SHBA-së në Liban, Lisa Johnson, ia paraqiti një projekt-propozim armëpushimi të enjten kryetarit të parlamentit të Libanit, Nabih Berri, i cili mbështetet nga Hezbollahu për të negociuar, thanë për Reuters dy burime të larta politike libaneze.

Drafti është propozimi i parë me shkrim i Uashingtonit për të ndalur luftimet midis aleatit të tij Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani.