Teherani u ka thënë shteteve arabe të Gjirit se do të jetë “e papranueshme” nëse e lejojnë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore ose bazave ushtarake kundër Iranit dhe ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të marrë përgjigje, ka thënë një zyrtar i lartë iranian.
Komentet vijnë në mes të shqetësimeve të shtuara për hakmarrjen e mundshme izraelite ndaj sulmit iranian të javës së kaluar, teksa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi është nisur për në Arabinë Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit për bisedime të mërkurën.
Diskutime u mbajtën edhe javën e kaluar midis Iranit dhe kryeqyteteve arabe të Gjirit në margjinat e një konference aziatike në Katar, ku shtetet e Gjirit e siguruan Iranin për neutralitetin e tyre në çfarëdo konflikti midis Teheranit dhe Izraelit.
“Irani e ka bërë të qartë se çdo veprim kundër Teheranit nga një vend i Gjirit Persik, ose përmes përdorimit të hapësirës ajrore ose bazave ushtarake, do të cilësohet nga Teherani si vepër e ndërmarrë nga i gjithë grupi dhe Teherani do të përgjigjet në mënyrën e duhur”, ka thënë për Reuters një zyrtar i lartë iranian. “Mesazhi theksoi nevojën për bashkim rajonal kundër Izraelit dhe rëndësinë e sigurimit të stabilitetit. Gjithashtu e ka bërë të qartë se ndihmat ndaj Izraelit, siç është lejimi i përdorimit të hapësirës ajrore për vepra kundër Iranit, janë të papranueshme”.
Presidenti amerikan Joe Biden pritet të mbajë takim online të mërkurën me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu. Bisedimet do të përfshijnë diskutimin e planeve për ta goditur Iranin, sipas një personi të afërt me këtë çështje.
Bideni ka thënë të premten e kaluar se do t’i mendojë alternativat sa i përket goditjes së fushave të naftës iraniane, duke shtuar se mendonte që Izraeli nuk ka arritur në përfundimin se si t’i përgjigjej Iranit. Javën e kaluar, Bideni ka thënë gjithashtu se nuk do ta mbështeste vendimin e Izraelit për t’i goditur objektet bërthamore iraniane.
Zyrtari iranian ka thënë se Teherani nuk e ka diskutuar çështjen e rritjes së prodhimit të naftës nga prodhuesit arabë në Gjirin Persik, nëse prodhimi iranian ndërpritet gjatë ndonjë përshkallëzimi.
Agjencia e lajmeve amerikane, Axios, duke i cituar zyrtarët izraelitë, ka raportuar javën e kaluar se Izraeli mund t’i shënjestrojë objektet iraniane të prodhimit të naftës, si hakmarrje ndaj Iranit.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, OPEC, e cila de-facto udhëhiqet nga Arabia Saudite, ka mjaftueshëm kapacitet rezervë të naftës për ta kompensuar çdo humbje të furnizimit iranian nëse hakmarrja izraelite ia shemb disa nga objektet.
Shumica e kapacitetit rezervë të OPEC-ut është në rajonin e Gjirit të Lindjes së Mesme. Irani nuk ka kërcënuar me sulm ndaj objekteve të naftës së Gjirit, por ka paralajmëruar më herët se nëse “mbështetësit e Izraelit” ndërhyjnë drejtpërdrejt, interesat e tyre në rajon do të jenë në shënjestër.
Eksportuesi kryesor i naftës, Arabia Saudite ka pasur afrim politik me Teheranin gjatë viteve të fundit, gjë që ka ndihmuar në zbutjen e tensioneve rajonale, por marrëdhëniet mes tyre mbeten të vështira.
Arabia Saudite ka qenë e kujdesshme ndaj sulmeve iraniane në objektet e veta të naftës, që kur një sulm në vitin 2019 në rafinerinë e saj kryesore në Abqaiq ka ndaluar për pak kohë më shumë se 5 për qind të furnizimit global të naftës. Irani e ka mohuar përfshirjen.
Një diplomat perëndimor në Gji ka thënë se gjatë takimit të javës së kaluar mes Gjirit dhe Iranit në Doha, Irani e ka bërë të qartë se Teherani ka bërë thirrje për bashkim rajonal kundër një sulmi izraelit dhe se e konsideron neutralitetin e shteteve të Gjirit si një gjë minimale.
Diplomati ka thënë se Irani e ka bërë të qartë se Teherani do të vëzhgojë nga afër se si çdo vend i Gjirit do të reagojë në rast të një sulmi izraelit dhe gjithashtu se si po përdoren bazat e SHBA-së të vendosura në vendet e tyre.
Bahrejni, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të gjitha kanë objekte ose trupa ushtarake të SHBA-së.