Botë

Irani ekzekuton disidentin gjermano-iranian

Jamshid Sharmahd

Foto: AFP

Irani ka ekzekutuar disidentin gjermano-iranian Jamshid Sharmahd, të cilin e kishte shpallur fajtor për “udhëheqje të operacioneve terrori”, raportoi mediumi shtetëror iranian, transmeton “BBC”

Sharmahd është dënuar me vdekje vitin e kaluar për “korrupsion në botë”, pasi është akuzuar se ka udhëhequr grupin pro-monarkist “Kingdom Assembly of Iran” (KAI) me seli në SHBA. 

Ai kishte mohuar akuzat, ndërsa familja e tij insistonte se ai ishte vetëm zëdhënës. 

Organizatat e të drejtave të njeriut kanë dënuar ekzekutimin e Sharmahdit, që jetonte në SHBA. 

“I gjithë procesi, përfshirë arrestimin, dënimin dhe ekzekutimin, përbën shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare”, ka thënë Mahmood Amiry-Moghaddam, drejtor i grupit për të Drejtat e Njeriut në Iran, një grup me seli në Norvegji. 

Sharmahd besohet se i kidnapua nga agjentët iranianë në Dubai në vitin 2020 dhe me forcë u dërgua në Iran përmes Omanit. 

Në gusht të vitit 2020, Ministria e Inteligjencës e Iranit njoftoi për arrestimin e tij të cilin e quajti “operacion kompleks”. 

Amnesty International ka pretenduar se Sharmahd është detyruar të pranojë fajësinë dhe se ai dhe familja e tij janë torturuar.