Irani do t’i ndjekë hapat që janë në përputhje me interesat e veta, ka thënë zëdhënësja qeveritare, Fatemeh Mohajerani të martën, kur është pyetur nëse do të ketë bisedime direkte me administratën e Trumpit.
“Çfarëdo që i siguron interesat e vendit dhe vlerat e revolucionit, do të ndiqet nga qeveria”, ka thënë Mohajerani për një gazetar, sipas Agjencisë iraniane të Lajmeve të Studentëve.
Nuk ka pasur raportime se Donald Trumpi ose ekipi i tij janë duke planifikuar bisedime të tilla, teksa përgatitet t’i rikthehet presidencës së SHBA-së, raporton Reuters.
Trumpi e ka tërhequr SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e 2015-s me fuqitë botërore, gjatë mandatit të tij të fundit në vitin 2018 dhe ka rivendosur sanksione të cilat kanë ndikuar rëndë në ekonominë e Iranit.
“Fushata me presion maksimal e Trumpit ka dështuar, edhe nëse njerëzit janë ndikuar nga ajo. Çfarë janë të rëndësishme janë veprat dhe jo fjalët, por ia rekomandojmë Trumpit t’i rishikojë dështimet e politikave të tij të kaluara”, ka shtuar Mohajerani.
Bisedimet indirekte mes Washingtonit dhe Teheranit për ta rikthyer marrëveshjen bërthamore janë nisur nën administratën e presidentit aktual, Joe Biden, por kanë ngecur. Irani është akoma formalisht pjesë e marrëveshjes, por i ka pakësuar angazhimet për shkak të sanksioneve amerikane të vendosura ndaj Republikës Islamike.