Zyrtarët iranianë dhe ata amerikanë do të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë rreth programit nuklear të Teheranit zyrtar gjatë ditës së shtunë, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar për veprime ushtarake nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje.
Sipas raportimeve, delegacionet e të dyja vendeve kanë mbërritur në qytetin e Muscatit në Oman, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.
Ekipi iranian udhëhiqet nga ministri i Punëve të Jashtme, Abbas Araqchi, ndërsa ekipi amerikan kryesohet prej të dërguarit të posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.
Në mandatin e tij të parë si president, Trumpi kishte tërhequr SHBA-në nga një marrëveshje e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore, që vendoste kufizime të rrepta për aktivitetet e diskutueshme nukleare të Teheranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.
E Teherani nga ana tjetër, vazhdon të përsërisë prej kohësh se programi i tij nuklear është krejtësisht për qëllime energjetike civile.