Mbështetja e protestave

Irani dënon me vdekje reperin, Toomaj Salehi

Toomaj Salehi

Toomaj Salehi

Një reper iranian i cili ishte burgosur për shkak të mbështetjes së protestave anti-qeveritare, është dënuar me vdekje, ka bërë të ditur avokati i tij.

Toomaj Salehi ka mbështetur përmes këngëve të tij protestat e vitit 2022 që shpërthyen pas vdekjes së Mahsa Aminit, gruas që vdiq në ndalim policor, pasi gjoja se kishte veshur hixhabin “në mënyrë të pahijshme”, raporton BBC.

Një nga avokatët e Salehit, Amir Raesian, ka thënë se reperi do të apelonte kundër vendimit për dënim me vdekje. Ndërkaq, autoritetet iraniane nuk kanë komentuar.

Salehi ishte arrestuar për herë të parë në tetor të vitit 2022, pasi kishte bërë publike qëndrimet në mbështetje të protestave, dhe ishte akuzuar për vepra të shumta penale.

Ai ishte dënuar në korrik të vitit 2023 me gjashtë vjet e tre muaj burgim, pasi iu shmang dënimit me vdekje për shkak të një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Por në janar, Gjykata Revolucionare e Isfahanit e akuzoi Salehin për akuza të reja, përveç atyre për të cilat ai ishte liruar më parë, ka thënë avokati i tij.