Botë

Inteligjenca gjermane “besonte se COVID nisi në laborator”

Instituti i Virologjise ne Wuhan

Shërbimi gjerman i inteligjencës besonte se kishte 80-90 për qind gjasa që koronavirusi të ketë rrjedhur aksidentalisht nga një laborator kinez, raportojnë mediumet gjermane, transmeton “BBC”. 

Dy gazeta gjermane thonë se kanë zbuluar detaje të një vlerësimi të bërë nga agjencia gjermane e inteligjencës BND në vitin 2020,  i cili nuk ishte publikuar kurrë. 

Shërbimi i inteligjencës kishte indikacione se Instituti i Virologjisë në Wuhan ka kryer eksperimente, si pjesë e hulumtimeve, ku viruset modifikoheshin për t’u bërë më ngjitëse për njerëzit, është thënë në raport. 

Kina vazhdimisht ka mohuar akuzat, duke thënë se shkaku “duhet të përcaktohet nga shkencëtarët” dhe ka cekur hetimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë që kishte thënë se teoria e rrjedhjes së virusit nga laboratori është “shumë e pamundur”. 

Nuk ka një konsensus për shkakun e pandemisë Covid-19. 

Hipoteza e rrjedhjes së koronavirusit nga laboratori është kundërshtuar ashpër nga shkencëtarët, ku shumë thonë se nuk ka prova definitive për ta mbështetur atë. 

Por, agjenci të inteligjencës nëpër disa vende kanë nisur sërish t’i besojnë teorisë së rrjedhjes së koronavirusit nga laboratori. 

BND-ja gjermane është e fundit që ka mbështetur këtë teori. 

Në janar, CIA e SHBA-së tha se koronavirusi “kishte më shumë gjasë” të kishte rrjedhur nga një laborator sesa të ketë ardhur nga kafshët. 

Sipas mediumeve gjermane “Die Zeit” dhe “Sueddeutscher Zeitung”, BND u mblodh në Berlin në vitin 2020 për të parë origjinën e koronavirusit, në një operacion që u quajt “Project Saaremaa”. 

Ai vlerësoi teorinë e rrjedhjes nga laboratori si “të mundshme”, por nuk kishte prova definitive. 
BND-ja gjeti indikacione se disa shkelje të rregulloreve të sigurisë kishin ndodhur në laborator në Wuhan. 

Vlerësimi ishte porositur nga zyra e kancelares së atëhershme të Gjermanisë, Angela Merkel, por nuk ishte publikuar kurrë deri më tash. 

Sipas gazetave, gjetjet u ndanë me CIA-në vjeshtën e vitit të kaluar. 

Si BND-ja ashtu edhe kancelari në largim i Gjermanisë, Olaf Scholz, nuk pranuan të komentojnë raportimin e mediumeve gjermane. 

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Nin, tha se gjurmimi i origjinës së COVID-19 është një çështje shkencore, dhe duhet të përcaktohet nga shkencëtarët. 

“Kina kundërshton fuqishëm çdo formë të manipulimit politik për çështjen e gjurmimit të origjinës së Covid-19”, tha Ning. 

Si pasojë e COVID-19 në botë raportohet se vdiqën mbi 7 milionë persona, ndonëse vlerësohet se shifra mund të jetë dukshëm më e madhe.