Alexei Navalny

Inteligjenca amerikane beson se Putini ndoshta nuk urdhëroi që Navalny të vritej

Nga varrimi i Alexei Navalnyt

Vdekja e Alexei Navalnyt

Foto: Associated Press

Agjencitë amerikane të Inteligjencës kanë përcaktuar se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me gjasë nuk ka urdhëruar vrasjen e liderit opozitar, Alexei Navalny në burgun e Arktikut në shkurt, ka raportuar Wall Street Journal (WSJ) të shtunën.

Kur Navalny, 47-vjeçar vdiq, ai ishte kritiku më i ashpër i Putinit. Aleatët e tij, të cilësuar si ekstremistë nga autoritetet, akuzuan Putinin për vrasjen e tij, dhe kanë thënë se do të ofrojnë prova për të mbështetur pretendimet e tyre.

Kremlini e ka mohuar përfshirjen e shtetit në vdekjen e Navalnyt. Muajin e kaluar, Putini e ka quajtur vdekjen e tij “të trishtë” dhe ka deklaruar se ai kishte qenë gati ta dorëzonte politikanin e burgosur në Perëndim në një shkëmbim të burgosurish, me kusht që Navalny të mos kthehej më në Rusi. 

Edhe aleatët e Navalny kanë thënë se bisedime të tilla ishin duke u zhvilluar.

WSJ ka raportuar të shtunën, duke cituar njerëz të afërt me çështjen, se agjencitë e Inteligjencës të SHBA-së, kanë ardhur në përfundim se Putini me gjasë nuk ka urdhëruar që Navalny të vritej. 

Sipas raportit, Uashingtoni megjithatë nuk e ka liruar liderin rus nga të gjitha përgjegjësit për vdekjen e Navalnyt, duke thënë se opozitari ka qenë cak i autoriteteve ruse për vite të tëra, dhe i burgosur nën akuzat për të cilat Perëndimi beson se ishin të motivuara politikisht, dhe se është helmuar në vitin 2020 me agjent nervor.