Kur dy gra braziliane janë zhdukur në vitin 2022, të gjitha gjurmët e kanë çuar policinë dhe FBI-në drejt influenceres së njohur braziliane, Kat Torres. Gratë janë gjetur dhe shumë të tjera e kanë raportuar shfrytëzimin seksual nga Torresi. Tani ajo është dënuar me tetë vjet burgim për trafikim të qenieve njerëzore dhe skllavëri. Por si ka arritur ish-modelja që festonte me Leonardo DiCaprion dhe që zbukuroi kopertinat e revistave ndërkombëtare, t’i manipulonte ndjekësit e saj dhe t'i joshë për t’i shfrytëzuar seksualisht?
Kur dy gra të reja braziliane janë raportuar të zhdukura në shtator të 2022-s, familjet e tyre dhe FBI-ja kanë nisur kërkimin përgjatë SHBA-së për t’i gjetur. Çfarë dinin ata ishte se gratë kanë qenë duke jetuar me influenceren Kat Torres.
Torres tani është dënuar me tetë vjet burgim për trafikim të qenieve njerëzore dhe skllavërinë e njërës prej këtyre grave. Janë ngritur akuza ndaj saj edhe për gruan tjetër.
“Ajo disi më ngjallte shpresë mua”, ka thënë Ana, duke e përshkruar reagimin kur ka gjetur faqen e Torresit në Instagram në vitin 2017.
Ana ka qenë një nga viktimat e Torresit dhe ka qenë çelësi për shpëtimin e dy grave të kërkuara nga FBI-ja. Ajo ka thënë se ishte tërhequr nga historia e Torresit nga shtëpitë e varfra braziliane, në pasarelat ndërkombëtare, duke festuar me yjet e Hollywoodit gjatë rrugës.
“Ajo dukej sikur e kishte tejkaluar dhunën e fëmijërisë, abuzimin, të gjitha eksperiencat traumatike”, ka thënë Ana.
Ajo ka qenë vetë në situatë të cenueshme. Ajo ka thënë se ka vuajtur nga fëmijëria e dhunshme, është larguar nga Brazili jugor për në SHBA vetë dhe ka qenë në një lidhje abuzive.
Torres kohëve të fundit ka publikuar autobiografinë “Zëri”, në të cilën pretendon se mund të parashikojë gjëra si rezultat i fuqive shpirtërore dhe është intervistuar në shfaqje të mediave braziliane.
“Ajo ka qenë në kopertina të revistave. Ajo është parë me njerëz të famshëm si Leonardo DiCaprio. Gjithçka që kam parë dukej e besueshme”, ka thënë ajo.
Ana ka thënë se është tërhequr nga qasja e Torresit me anën shpirtërore. Çfarë nuk ka ditur Ana është se historia frymëzuese e Torresit ka qenë e bazuar në gënjeshtra dhe gjëra gjysmë të vërteta.
Ish-bashkëjetuesi i Torresit në New York, Luzer Twersky, ka thënë se shoqëria e saj e Hollywoodit e ka njoftuar me drogën halucinogjene ayahuasca dhe se ajo nuk ka qenë e njëjtë pas saj.
“Ky ishte momenti kur ajo filloi ta humbiste veten”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se gjithashtu beson se ajo ka qenë duke punuar si dashnore – e paguar për përfshirjen me burra të pasur dhe të fuqishëm, të cilët e kanë paguar edhe banesën që ndanin bashkëjetuesit.
Shërbimi i uebfaqes së mirëqenies dhe abonimit i Torresit u ka premtuar konsumatorëve: “Dashurinë, paratë dhe vetëbesimin që e keni ëndërruar”. Videot ofronin këshilla për lidhjet, mirëqenien, suksesin në biznes dhe natyrën shpirtërore – duke përfshirë hipnozën, meditimin dhe programet e ushtrimeve.
Për 150 dollarë ekstra klientët e kanë pasur mundësinë për t’u konsultuar me video me Torresin, në të cilat ajo supozonte se do ua zgjidhte problemet.
Amanda, ish-kliente tjetër që jeton në kryeqytetin brazilian, thotë që Kati e ka bërë të ndjehet e veçantë.
“Të gjitha dyshimet, pyetjet, vendimet: Gjithmonë ia kam treguar asaj të parës, në mënyrë që të merrnim vendimet së bashku”, thotë ajo.
Por këto këshilla kanë pasur anën e errët. Ana, Amanda dhe ndjekësit e tjerë të Torresit kanë thënë se e kanë parë që janë bërë të izoluar psikologjikisht nga shoqëria dhe familja dhe të gatshëm të bënin çfarë u sugjeronte Torresi.
“Më përdorte si skllave”
Kur Torresi i ka kërkuar Anas të shkonte në New York në vitin 2019 për të punuar si asistente e saj, ajo ka pranuar. Ajo ka qenë duke studiuar nutricionin në një universitet në Boston, por ka arritur të studionte online. Prandaj e ka pranuar ofertën për t’u kujdesur për kafshët e Torresit – bashkë me gatimin, larjen dhe pastrimin – për rreth 2000 dollarë në muaj.
Megjithatë, kur ka arritur në apartamentin e Torresit, ajo shpejt e ka kuptuar se nuk e jetonte jetën e përkryer të influenceres së Instagramit.
“Ishte tronditëse meqë shtëpia ishte rrëmujë, shumë e pistë, me erë të keqe”, ka thënë ajo.
Ana ka thënë se Torresi dukej e paaftë për t’i bërë gjërat bazike për të, si të bënte dush, sepse nuk duronte të ishte e vetmuar. Ajo e ka përshkruar se i është dashur të ishte vazhdimisht në dispozicion për Torresin, të flinte vetëm disa orë, në një divan të mbuluar me urinë maceje.
Ajo ka thënë se disa ditë fshihej në palestrën e ndërtesës, për të fjetur disa orë.
“Tani e shoh se më përdorte si skllave... kënaqej nga kjo”, ka thënë ajo.
Ana ka thënë se nuk ishte paguar kurrë.
“Jam ndjerë sikur, ‘Kam ngecur këtu, nuk kam si të dal’”, ka thënë ajo. “Ndoshta kam qenë viktima e parë e saj në trafikimin e qenieve njerëzore”.
Ajo ka lëshuar apartamentin në Boston, prandaj nuk kishte ku të shkonte dhe nuk kishte para për ta paguar një apartament.
Ana ka thënë se kur është përpjekur të fliste me Torresin, ajo është bërë agresive, duke i kujtuar historinë e dhimbshme të dhunës në familje.

Në fund, pas tre muajve, Ana ka gjetur një mënyrë për t’u arratisur duke shkuar te i dashuri i ri.
Por ky nuk ka qenë fundi i rolit të Anës në jetën e Torresit. Kur familjet e dy grave të tjera braziliane i kanë raportuar të zhdukura në shtator të vitit 2022, Ana e ka ditur se duhet të vepronte.
Në këtë pikë, jeta e Torresit ishte zgjeruar. Ajo është martuar me një burrë të quajtur Zach, 21-vjeçar nga Kalifornia, dhe jetonin me qira në një shtëpi me pesë dhoma gjumi në periferi të Austin, Texas.
Duke përsëritur metodën e Anas, Torresi ka shënjestruar ndjekësit më të dedikuar, për të punuar për të. Si shkëmbim, ajo u ka premtuar t’i ndihmojë në realizimin e ëndrrave, duke i përdorur detajet personale të ndara gjatë sesioneve.
Shfrytëzimi seksual dhe skllavërimi
Desirrê Freitas, grua braziliane që jeton në Gjermani dhe Letícia Maia – zhdukja e të cilave nxiti hetimin e FBI-së – kanë shkuar të jetojnë me Torresin. Një grua tjetër, Sol, është punësuar gjithashtu.
Desirrê ka thënë se në rastin e saj, Torresi i ka blerë biletën e avionit nga Gjermania, duke i thënë se është afër vetëvrasjes dhe ka nevojë për ndihmën e Desirrês.
Torresi është akuzuar gjithashtu se ka bindur Letícia, atëherë 14-vjeçare, për të shkuar dhe jetuar me të në SHBA për një program dhe pastaj ta linte shkollën për të punuar për të.
Ndërsa Soli ka thënë se ka pranuar të jetonte me Torresin pasi mbeti e pastrehë dhe është punësuar për të bërë lexim tarrot dhe klasa të jogës.
Por grave nuk u është dashur shumë për ta kuptuar se realiteti ishte krejt ndryshe.
Brenda disa javëve, Desirrê ka thënë se Torres e ka detyruar të punonte në klub striptizi, duke thënë se nëse nuk e bën këtë do i duhet t’i ripaguajë të gjitha shpenzimet e bëra nga Torresi: fluturimin, akomodimin, mobiliet. Desirrê është frikësuar nga fuqitë shpirtërore të supozuara të Torresit, prandaj ka filluar të punojë si striptizere.
Menaxheri nga klubi i striptizit, James, ka thënë se ajo punonte shumë orë gjatë ditës, çdo ditë.
Desirrê dhe Soli kanë thënë se gratë në shtëpinë në Austin kanë pasur rregulla të rrepta. Ato e kanë pasur të ndaluar të flasin me njëra-tjetrën, u është dashur leja e Torresit për të dalë nga dhoma dhe u është dashur t’ia jepnin të gjitha përfitimet.
“Ka qenë e vështirë të dalësh nga kjo situatë meqë ajo i merrte paratë”, ka thënë Soli. “Ishte e tmerrshme. Mendoja se mund të më ndodhte diçka, meqë kishte informacionet e mia, pasaportën, lejen e vozitjes”.
Por Soli ka thënë se e ka kuptuar se duhej të arratisej pasi ka dëgjuar një telefonatë, ku Torres ka thënë se Soli duhet të punojë si prostitutë në Brazil si “ndëshkim”. Ajo ka arritur të arratiset me ndihmën e një ish-të dashuri.
Ndërkohë, armët e burrit të Torresit kanë filluar të dalin në Instagramin e saj dhe janë bërë burim i frikës për gratë e tjera.
Gjatë kësaj kohe, Desirrê ka thënë se Torresi është përpjekur ta shtyjë të punojë si prostitutë. Ajo ka thënë se ka refuzuar dhe ditën tjetër Torresi e ka dërguar në poligon si befasi.
E frikësuar, Desirrê ka thënë se në fund i është nënshtruar Torresit.
“Shumë pyetje më shkuan në mendje: ‘A do mund të ndaloja?’”, ka shkruar Desirrê në librin e saj. “Dhe nëse griset kondomi, a do më binte ndonjë sëmundje? A mund të jetë klienti polic dhe të më arrestojë? Çfarë nëse më vret?”
Nëse gratë nuk e arrinin kuotën e fitimit të Torresit, që u rrit nga 1000 dollarë në 3000 në ditë, nuk janë lejuar të riktheheshin në shtëpi atë natë.
“Kam fjetur në rrugë disa herë sepse nuk e arrita kuotën”, ka thënë Desirrê.
Nga deklaratat e bankës, Desirrê ka transferuar më shumë se 21 mijë dollarë në xhirollogarinë e Torresit në qershor dhe korrik të 2022-s. Ajo thotë se i është dashur t’ia japë një shumë më të madhe të parave në dorë.
Prostitucioni është ilegal në Texas dhe Desirrê ka thënë se Torresi e ka kërcënuar se do ta raportonte në polici nëse ajo do të kërkonte të ndalonte.
Në shtator, shoqëria dhe familja e Desirrês dhe Letícias në Brazil ka nisur fushata nëpër rrjetet sociale për t’i gjetur, meqë janë shqetësuar nga mungesa e kontaktit.
Gratë tashmë mezi njiheshin. Flokët kafe u janë lyer të bardha për t’u dukur si Torresi. Kontaktet e telefonit të Desirrês janë bllokuar dhe ajo ndiqte urdhrat e Torresit pa bërë pyetje.
Shoqëria e Desirrês janë shqetësuar mos e kanë vrarë dhe familja e Letícias ka kërkuar dëshpërimisht kthimin e saj në shtëpi.
Meqë Ana ka jetuar me Torresin në vitin 2019, kur ka parë lajmet është alarmuar. Ajo menjëherë ka hamendësuar se “Torresi është duke i mbajtur vajzat tjera”.
Së bashku me ish-klientët e tjerë, Ana ka filluar të kontaktojë agjenci të zbatimit të ligjit, duke përfshirë FBI-në, për ta arrestuar influenceren.
Llogaritë e grave të zhdukura janë zbuluar në uebfaqe të eskortave dhe prostitucionit. Dyshimet për shfrytëzim seksual janë konfirmuar.
E stresuar nga vëmendja e mediave, Torresi dhe gratë kanë udhëtuar më shumë se 3.219 kilometra nga Texasi në Maine. Në video të Instagramit, Desirrê dhe Letícia kanë mohuar se po mbaheshin peng dhe kanë kërkuar të ndalojë kërkimi i tyre.
Policët e kanë pasur të mundur ta thërrisnin Torresin në FaceTime për t’i parë gratë. Por para se të fillojë kjo, Torresi dëgjohet duke thënë:
“Ai do të fillojë të bëjë pyetje. Ata janë mashtrues. Është detektiv, jini të kujdesshme. Pasha Zotin, do t’ju nxjerr nga shtëpia nëse thoni gjë. Do bërtas”.
Në nëntor të vitit 2022, policia e ka bindur Torresin dhe dy gratë për të marrë pjesë personalisht në kontrollin e mirëqenies në Zyrën e Sherifit të Qarkut Franklin në Maine.
Detektivi që i ka marrë në pyetje, David Davol, ka thënë se ai dhe kolegët kanë qenë të shqetësuar nga shenjat, duke përfshirë mosbesimin ndaj zbatimit të ligjit, izolimin dhe hezitimin e tyre për të folur pa lejen e Torresit.
“Të trafikuarit nuk janë gjithmonë si në filma. Është më e zakonshme të jetë dikush që e njeh”, ka thënë Davoli.
Në dhjetor të 2022-s, dy gratë janë rikthyer të sigurta në Brazil.
Sipas Davolit, trafikimi i qenieve njerëzore është duke u rritur. Observimet e tij janë të mbështetura nga OKB-ja, e cila thotë se është krim në rrije, duke bërë rreth 117 miliardë dollarë fitim në vit.
Ai beson se rrjetet sociale i japin platformë për të lulëzuar, duke e bërë më të lehtë për trafikuesit gjetjen e viktimave dhe të të trafikuarve.
“Historia ime të shërbejë si paralajmërim”
Në prill të këtij viti, ekipit të BBC-së i është dhënë leje për ta intervistuar Torresin në burg. Ajo ka qenë duke pritur për vendimin e gjyqit në lidhje me trajtimin e saj ndaj Desirrês.
Duke buzëqeshur, ajo u është afruar intervistuesve e qetë dhe me sjellje të matur. Ajo ka këmbëngulur se ishte e pafajshme, duke mohuar se ka jetuar me gra ose se e ka detyruar dikë në prostitucion.
“Kur i shihja njerëzit duke dëshmuar, thoshin kaq shumë gënjeshtra. Aq shumë gënjeshtra saqë në një moment nuk munda të ndaloja së qeshuri”, ka thënë ajo. “Njerëzit thonë se unë jam influencere e rreme, por në të njëjtën kohë, ata thonë gjithashtu se... ‘Ajo është rrezik për shoqërinë sepse ajo mund ta ndryshojë mendjen e njerëzve me fjalët e saj’”.
Kur intervistuesit ia kanë treguar provat e tyre, ajo është bërë më armiqësore, duke i akuzuar edhe ata se gënjejnë.
“Ju besoni çfarëdo që zgjidhni të besoni. Mund t'ju them se jam Jezusi. Dhe ju mund ta shihni Jezusin, ose mund të shihni djallin, kjo është ajo. Është zgjedhja juaj. Është mendja jote”, ka thënë ajo duke u rikthyer në qeli dhe duke lëshuar një kërcënim. Ajo ka bërë me gisht nga një intervistuese dhe ka thënë: “Nuk më ka pëlqyer ajo”.
Sipas BBC-së, Torresi është dënuar nga një gjyqtar brazilian me tetë vjet burgim, për nënshtrimin e Desirrês ndaj trafikimit të qenieve njerëzore dhe skllavërisë. Ai ka arritur në përfundimin se ajo e kishte joshur gruan e re në SHBA për shfrytëzim seksual.
Më shumë se 20 gra kanë raportuar të jenë mashtruar ose shfrytëzuar nga Torresi, shumë prej të cilave janë në terapi psikiatrike për ta tejkaluar atë që kanë kaluar.
Një hetim është duke u mbajtur për pretendimet e grave tjera në Brazil.
Ana beson se do të ketë viktima tjera, pasi të lexohet për krimet e Torresit. Kjo është hera e parë që Ana ka folur publikisht. Ajo dëshiron që njerëzit ta kuptojnë se krimet e Torresit janë serioze dhe jo “dramë Instagrami”.
Në faqen e fundit të librit të Desirrês reflektohen eksperiencat e saj.
“Nuk jam rikuperuar ende plotësisht, kam pasur një vit sfidues. Jam shfrytëzuar seksualisht, skllavëruar dhe burgosur. Shpresoj që historia ime të shërbejë si paralajmërim".