Inflacioni në Gjermani është zvogëluar më shumë se sa pritej në muajin mars, i ndihmuar edhe nga rënia e çmimeve të energjisë, sipas të dhënave paraprake nga Zyra Federale e Statistikave.
Inflacioni në ekonominë më të madhe të Evropës ka arritur të zvogëlohet në 2.3%, niveli i tij më i ulët që nga qershori i vitit 2021, raporton Reuters.
Ekonomistët i kushtojnë vëmendje të dhënave të inflacionit në Gjermani, pasi vendi publikon shifrat e tij një ditë përpara publikimit të të dhënave të inflacionit në eurozonë.
Inflacioni i Eurozonës pritet të jetë 2.6% në muajin mars, i pandryshuar nga muaji i kaluar, sipas një sondazhi të Reutersit me ekonomistët.
Banka Qendrore Evropiane ka rritur normat e interesit për ta zvogëluar inflacionin.
Presidentja e BQE-së, Christine Lagarde, ka thënë se norma e inflacionit të eurozonës do të vazhdojë të zvogëlohet, ndërsa zhvillimi ekonomik do të fillojë të rritet gjatë vitit.
Inflacioni bazë në Gjermani, i cili përjashton çmimet e paqëndrueshme të ushqimeve dhe energjisë, ishte 3.3% në muajin mars, krahasuar me 3.4% në muajin e kaluar.
Çmimet e energjisë në mars të vitit 2024 ishin 2.7% më të ulëta se në të njëjtin muaj të një viti më parë.