Botë

Infermierja në SHBA shkarkohet pasi tha se në Gaza po kryhet gjenocid

Spitali ne new york city

Foto: Associated Press

Një infermiere është shkarkuar nga një spital i New York Cityt pasi i është referuar luftës së Izraelit në Gaza si “gjenocid” gjatë fjalimit të saj kur e pranoi një çmim, raporton agjencia “AP”. 

Infermierja Hesen Jabr, një palestineze-amerikane, u nderua nga spitali “NYU Langone Health” për kujdesin  e saj për nënat që kishin humbur foshnjat dhe dhembshurinë që kishte treguar.  Ajo gjatë fjalimit vuri një ndërlidhje mes punës së saj dhe vuajtjeve të nënave në Gazë. 

“Më dhemb të shoh gratë nga vendi im duke kaluar nëpër humbje të paimagjinueshme gjatë gjenocidit aktual në Gazë”, tha Jabr, në fjalimin e saj. “Ky çmim është thellësisht personal për mua për këtë arsye”.

Fjalimi i Jabr u publikua në rrjete sociale më 7 maj. 

Jabr shkroi në Instagram kur ajo arriti në punë më 22 maj për turnin e saj të parë që pasi mori çmimin ishte ftuar në një takim nga kreu i spitalit dhe po ashtu kryesuesi i departamentit ku punonte. 

Ajo tha se i treguan se si “kishte vënë tjerët në rrezik dhe kishte prishur ceremoninë dhe ofenduar njerëzit”. 

“Kjo sepse një pjesë e vogël e fjalimit tim ishte për nëna e pikëlluar të vendit tim”, tha Jabr. 

Ajo tha se pasi kishte kryer pjesën më të madhe të turnit, u ftua sërish në zyrë dhe iu lexua letra e shkarkimit nga puna dhe më pas me përcjellje u largua nga ndërtesa. 

Zëdhënësi i spitalit “NYU Langone”, Steve Ritea, ka konfirmua se Jabr u shkarkua pas fjalimit të saj dhe ka thënë se ka pasur “edhe një incident të mëhershëm”. 

“Hesen Jabr ishte paralajmëruar në dhjetor, pas një incidenti të mëhershëm, për të mos sjellë pikëpamje për këtë çështje përçarëse. Në vend të kësaj, ajo zgjodhi të mos e marrë parasysh këtë...Si rezultat, Jabr nuk është më një punonjëse e NYU Langone”. 

Nuk u dha detaj për incidentin e mëhershëm. 

Jabr mbrojti fjalimin e saj. Për “The New York Times” ajo shtoi se të folurit për luftën “është kaq e rëndësishme” duke pasur parasysh natyrën e çmimit që ajo kishte fituar. 

Ministria e Shëndetësisë së Gazës ka thënë se mbi 36 mijë persona janë vrarë në Gazë si pasojë e ofensivës së Izraelit të nisur më 7 tetor. Izraeli ka thënë se nuk do ta ndalë ofensivën derisa të shkatërrojë plotësisht Hamasin. Ofensiva e Izraelit nisi pas sulmit befasues të Hamasit në jug të territorit izraelit më 7 tetor ku u vranë 1200 persona dhe u morën 250 pengje. 
Jabr nuk është punonjësja e parë e spitalit që u shkarkua si pasojë e komenteve për konfliktin Izrael – Hamas. 

Një hulumtues në qendrën për hulumtime të kancerit në spital u shkarkua po ashtu pasi postoi karikatura politike anti-Hamas, përfshirë edhe karikatura të arabëve. Biologu Benjamin Neel ka paditur spitalin për këtë.