“Ne e kemi thirrur numrin e emergjencës në Ambasadën indiane në Moskë. Sapo u kam thënë emrin Asfan në telefon, ata më kanë thënë se ai ka vdekur. Nuk e gjeja fuqinë të vazhdoja të flisja me ta”, ka thënë ai. “Nuk doja t’u besoja fjalëve të tyre”.
Ata kanë hapur një arkivol në fund të marsit për ta parë Asfan Mohammedin për herë të parë që nga largimi i tij nga India për në Rusi katër muaj më herët.
Ai ishte i veshur më mirë sesa kur ishe larguar – një kostum të zi, këmishë të bardhë, kravatë dhe këpucë, duke e zëvendësuar stilin me të cilin janë mësuar ta shohin familja dhe shoqëria.
Por atij i është dashur të varrosej sipas rregullave të besimit mysliman, kështu që trupi i tij duhej të bëhej gati, rrobat t’i hiqeshin.
Në atë moment Imran Mohammadi, 41-vjeçar, e ka parë se çfarë i kishte ndodhur vëllait të tij 31-vjeçar gjatë luftimeve për forcat e armatosura ruse në Ukrainën e pushtuar nga Vladimir Putini.
“I kam parë vrimat pas shpatullave të tij, të brinjëve deri në pjesën e poshtme të shpinës”, ka thënë Imrani. “Kishte gjashtë ose shtatë vrima të shkaktuara nga një sulm me dronë. Sulmi ia kishte copëtuar trupin. Kishte dëmtime të brendshme. Dy dhëmbë i ishin thyer”.
Tani, familja nga Hyderabadi i jugut të Indisë ishte shkatërruar gjithashtu. Një burrë, baba dhe sigurues i të ardhurave të familjes nuk është më.
Biznesi i Imranit ishte gjithashtu i rrënuar, i kalbur nga neglizhenca ndërsa ai kishte fokusuar të gjithë energjinë e tij për të gjetur se çfarë i kishte ndodhur vëllait të tij në fushëbetejën më gjakatare të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.
Imrani kishte shikuar orën.
“Unë kam hapur arkivolin në orën 11 të mëngjesit, të dielën. Kur e kam parë trupin e tij për herë të parë, më ka goditur realiteti dhe e kam kuptuar që ai nuk ishte më”, ka thënë ai. “Përpjekjet e mia për ta gjetur vëllanë tim, lufta ime dymujore për ta gjetur vëllanë, kanë rezultuar në një fund të hidhur. Unë kam dashur të reagoja kur kam parë kufomën e tij, por nuk kam mundur. Jam ndier i mpirë plotësisht”.
Një ëndërr e humbur
Asfani ka pasur një fat të hidhur – një që familja e tij kurrë nuk do ta kishte imagjinuar kur Putini i ka urdhëruar trupat ruse të hyjnë në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.
Në atë kohë, babai i dy fëmijëve ishte duke menaxhuar një dyqan rrobash, një nga gati 300 përgjatë Indisë në zinxhirin e “Allen Solly”, që shet rroba të fëmijëve, kostume të dasmave dhe gati gjithçka tjetër.
Ai kishte punuar atje për tetë vjet, ka thënë vëllai i tij.
Nuk ishte puna më e keqe, por Asfani ka dashur më shumë të largohej për gruan dhe dy fëmijët e tij, të moshave 2 dhe 8-muajsh. Dhe ai ka ëndërruar t’i largonte nga Hyderabadi.
“Ai ka dëshiruar të punonte në Australi”, ku jeton kunata e tij dhe familja e saj, ka thënë Imrani. “Ata e kanë ftuar atë dhe familjen e tij atje”.
Por kjo do të thoshte se Asfanit do t’i duhej rezultat i lartë në Sistemin Ndërkombëtar të Testimit të Gjuhës Angleze (IELTS), i cili e vlerëson aftësinë e folësve joamtarë.
“Ai e ka bërë testin IELTS dhe nuk ia ka dalë mirë aty”, ka thënë Imrani. “Ai është ndier i demoralizuar. Ka provuar përsëri”.
Kjo nuk ka funksionuar, ka thënë Imrani.
Por videot në Youtube për mundësi pune në Rusi i kanë dhënë Asfanit shpresë të re dhe ai ka kontaktuar një agjenci punësimi, ka thënë vëllai i tij.
“Ai do të punonte si vozitës taksie ose dërgues i ushqimit në Rusi – ky ishte procesi”, ka thënë Imrani. “Dhe disa ditë më vonë, agjentët i kanë thënë se kishe vende të lira për punë ndihmëse në ushtrinë ruse. Agjentët e kanë siguruar se kjo ishte puna më e mirë. Ata i kanë thënë se ai do të mund ta merrte pasaportën ruse dhe kartën kombëtare brenda një viti përmes së cilës do të mund të udhëtonte nëpër vendet fqinje”.
Asfani ka menduar se kjo do të ishte guri themeltar i jetës së ëndrrave të familjes së tij në Australi, ka thënë vëllai i tij.
Në vend të kësaj, zgjedhja e tij e ka çuar në peizazhin e ftohtë të fushëbetejës së Ukrainës.
Ia shpërlanë trurin
Asfani i ka mbajtur sekret planet e tij nga familja dhe shoqëria derisa ishte shumë vonë për t’u kthyer, sipas Imranit, i cili ka thënë se ka mësuar se vëllai i tij po largohej tri ditë para se të nisej për Rusi, më 9 nëntor të vitit të kaluar.
Deri atëherë, Asfani i kishte paguar rekrutuesit më shumë se 1.800 dollarë, të cilët i kanë thënë atij të mos fliste me askënd, madje as me familjen, për arsyen e udhëtimit të tij.
“Ata ia kanë shpëlarë trurin shumë atij ... Ata e kanë paralajmëruar se mund të dëbohet nga Rusia, nga aeroporti”, ka thënë Imrani. “Jam përpjekur shumë për ta ndaluar atë”.
Pas një rrugëtimi me plot ndalesa, ku ai ka kaluar përgjatë qyteteve të tjera indiane dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Asfani ka arritur në Moskë më 12 nëntor.
Një ditë pas kësaj, ai i ka nënshkruar dokumentet – në rusisht, të cilën nuk mund ta lexonte – duke u detyruar të punojë, ka thënë vëllai i tij.
“Ai u ka besuar agjentëve pak më shumë se ç‘duhej”, ka thënë Imrani.
Luftëtarët e huaj në luftën e Putinit
Sipas disa vlerësimeve, Rusia ka qenë duke dërguar mijëra burra të huaj për të luftuar në Ukrainë që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.
Shumë nga ata janë burra të rinj nga Azia Jugore, të joshur nga perspektiva e punësimit të qëndrueshëm dhe pagat më të larta në Rusi. Në Nepal, ligjvënësi i shquar i opozitës dhe ish-ministri i jashtëm, Bimala Rai Paudyali, i ka thënë parlamentit në fillim të këtij viti se midis 14.000 dhe 15.000 nepalezë ishin duke luftuar në vijën e parë të frontit, duke i cituar dëshmitë e burrave që ktheheshin nga Ukraina.
Qeveria ruse vitin e kaluar ka shpallur një pako fitimprurëse për luftëtarët e huaj për t'u bashkuar me ushtrinë e vendit, duke përfshirë pagën mujore prej të paktën 2.000 dollarësh dhe shpejtësi në marrjen e nënshtetësisë ruse – por Kremlini nuk ka thënë se sa të huaj ka rekrutuar sipas planit.
Nju-Delhi ka lidhje të forta me Moskën, që datojnë që nga Lufta e Ftohtë, dhe i është larguar kryesisht dënimit të plotë të fillimit pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e cila mbetet furnizuesi më i madh i armëve në Indi.
Në ndërkohë, India, e cila nuk ka ligj për ndalimin e qytetarëve të saj nga shërbimi në ndonjë ushtri të huaj, është në dijeni se një numër i madh i vendasve të saj ka qenë duke luftuar për Rusinë në Ukrainë.
Në një deklaratë në shkurt, ministri indian i Punëve të Jashtme ka thënë se heqja e hershme e indianëve nga ushtria ruse ishte “prioritet kryesor”. Ministria ka thënë se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet ruse për ta bërë këtë gjë të mundur.
Por për disa, këto përpjekje ishin të vonuara. Një zëdhënës i ministrisë ka thënë se të paktën dy indianë kanë vdekur në konflikt.
Në fillim të marsit, Byroja Qendrore për Hetime e Indisë (CBI) ka thënë se ka zbuluar dy rrjete kryesore të trafikimit të njerëzve që po dërgonin burra në Rusi për të kryer punë ushtarake, me 35 raste të tilla të identifikuara.
“Vendasit indianë të trafikuar ishin trajnuar në role luftarake dhe janë vendosur në baza të frontit në zonën e luftës Rusi-Ukrainë kundër dëshirës së tyre”, ka thënë deklarata e CBI-së.
Në vijën e frontit
Asfani nuk i kishte treguar vëllait të tij kur do të dërgohej në Ukrainë, ka thënë Imrani, por ai ka arritur ta kontaktonte më 1 dhjetor, gjatë rrugës së tij për në fushëbetejë.
Asfani ishte duke kërkuar një rrugëdalje jashtë kësaj situate, ka thënë Imrani.
“Më ka kërkuar mua të flisja me agjentët”, ka thënë Imrani. “I kam premtuar se do të bëja më të mirën”.
Kjo ishte hera e fundit që ata të dy kanë folur së bashku.
“Personeli ushtarak nuk kishte kontakt me këta agjentë”, ka thënë Imrani.
“Këta ndërmjetës i kanë gënjyer djemtë dhe ua kanë vendosur jetën në rrezik”, ka thënë ai, duke iu referuar Asfanit dhe indianëve të tjerë të dërguar në luftë.
Pasiguria dhe mosbesimi
Më 23 janar, Imrani ka marrë një mesazh me zë nga indianët të cilët ishin në vijën e frontit së bashku me Asfanin.
Burri, i cili ka thënë se ishte plagosur në betejë, i kishte thënë Imranit se e kishte gjetur Asfanin, gjithashtu të plagosur, brenda një shtëpie në Ukrainë një ditë më parë.
Imrani ka thënë se burri i kishte treguar se nuk ka arritur ta merrte vëllanë e tij “për shkak të dronëve rreth tyre”, por i ka treguar për gjendjen e Asfanit ekipit mjekësor rus.
Forcat ukrainase kanë përdorur dronë kundër kundërshtarëve rusë me efekt shkatërrues në vijën e frontit, ose duke lëshuar granata nga qielli ose duke i përdorur si bomba të kontrolluara me telekomandë.
Dy ditë më vonë, Imrani ka thënë se e ka vizituar një deputet parlamenti në përpjekje për t’i shtyrë zyrtarët indianë ta ndihmojnë vëllanë e tij të plagosur. Por lutjet ndaj qeverisë nuk i ishin përgjigjur, ka thënë ai.
Ambasada Indiane në Moskë në fund i është përgjigjur duke i thënë se janë duke e shikuar rastin.
Në vizitën e 6 marsit në zyrën e deputetit, Imrani ka marrë lajmin të cilit ia kishte frikën.
“Ne e kemi thirrur numrin e emergjencës në Ambasadën indiane (në Moskë). Sapo u kam thënë emrin Asfan në telefon, ata më kanë thënë se ai ka vdekur. Nuk e gjeja fuqinë të vazhdoja të flisja me ta”, ka thënë ai. “Nuk doja t’u besoja fjalëve të tyre”.
Ai akoma nuk kishte provë vizuale të vdekjes së Asfanit, por atij i duhej t’i tregonte familjes së tij atë që kishte mësuar.
Gruaja e Asfanit “ishte pa vetëdije për tri orë”, ka thënë Imrani. “Ajo ka qarë tërë natën”.
Familja e Asfanit e ka varrosur trupin e tij, por ata janë të prekur nga një luftë që po ndodh larg tyre.
Imrani thotë se ndien dhimbje sa herë shikon fëmijët e vegjël të vëllait të tij, të cilët nuk do ta njohin kurrë babanë e tyre. Dhe ai thotë se e ardhmja e tij duket e pasigurt.
“Kjo ka qenë jeta ime për katër muaj, për 24 orë në ditë”, ka thënë ai. “Kjo ka qenë faza më e keqe e jetës sime. Nuk kam më jetë personale. Nuk më ka mbetur asnjë shok. Jam duke u kujdesur vetëm për familjen time”.