Botë

India ripërsërit mbështetjen për Filipinet

Ministrat e Jashtëm të Indisë dhe Filipineve

Ministri i Jashtëm i Indisë, Subrahmanyam Jaishankar, ka zhvilluar bisedime të martën me homologun e tij filipinas, Enrique Manalo në Manila. Jaishankar ka theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtës ndërkombëtare tek ka komentuar incidentin e fundit midis Filipineve në Kinë, në Detin e Kinës Jugore. 

“Përfitoj nga ky rast për të përsëritur me vendosmëri mbështetjen e Indisë për Filipinet për ruajtjen e sovranitetit të saj kombëtar”, ka thënë Jaishankar në një konferencë të përbashkët shtypi me Manalon. Javën e kaluar, Filipinet bënë të ditur se anijet e rojës bregdetare kineze të mbështetura nga një helikopter ushtarak u përpoqën të bllokonin dy anije të qeverisë filipinase që po transportonin shkencëtarë. 

Konfrontimet e përsëritura në det të hapur që nga viti i kaluar kanë ngjallur frikën e një konflikti më të madh që mund të përplasë Kinën dhe Shtetet e Bashkuara. SHBA-ja nuk ka pretendime për këtë rrugë detare, kryesore tregtare globale, por ka stacionuar anije të marinës dhe avionë luftarakë në ato që SHBA-ja i quan operacione të lirisë së lundrimit, gjë që ka sfiduar pretendimet e Kinës për pothuajse të gjithë Detin e Kinës Jugore. 

SHBA-ja ka paralajmëruar vazhdimisht se është e detyruar të mbrojë Filipinet – aleatin e saj më të vjetër të traktatit në Azi – nëse forcat, anijet ose avionët filipinas sulmohen, përfshirë në Detin e Kinës Jugore. Jaishankar, i cili ndodhet në një vizitë tre-ditore në Filipine, pritet gjithashtu të takohet me presidentin e Filipineve, Ferdinand Marcos Jr. dhe zyrtarë të tjerë të lartë.