Presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump, ka premtuar të fillojë dëbimin më të madh të imigrantëve pa dokumente në historinë e SHBA-së. Mbështetja për deportimet është aq e fortë sa qeveria e shtetit të Teksasit i ka ofruar Trumpit 567 hektarë tokë jashtë qytetit të Rio Grandes për të ndërtuar objekte paraburgimi për imigrantët pa dokumente, lëvizje kjo që u përshkrua si “kafaz masiv” që do të “ushqejë shkeljen e të drejtave civile”
Ndërkohë që jashtë binte borë, besimtarët u mblodhën në Kishën Lincoln United në Chicago për t’u lutur dhe për të diskutuar për atë që do të ndodhë kur Donald Trumpi të marrë detyrën javën e ardhshme. Presidenti i sapozgjedhur amerikan ka premtuar të fillojë dëbimin më të madh të emigrantëve pa dokumente në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Data 20 do të mbërrijë shumë shpejt”, ka thënë Tanya Lozano-Washington para kongregacionit, pasi shpërndau filxhanë me çokollatë të nxehtë dhe kafe për të ngrohur turmën prej rreth 60 vetash.
Me lokacion në Pilsen, lagje kryesisht me latinë, kisha ka shërbyer për kohë të gjatë si qendër për një kohë të gjatë për aktivistët pro-imigracionit në komunitetin e madh hispanik të qytetit. Por shërbimet e së dielës tani mbahen vetëm në anglisht, pasi ato personale në gjuhën spanjolle janë anuluar.
Vendimi për t’i mbajtur ato në formë elektronike, u mor nga frika se tubimet do të ishin shënjestër e aktivistëve kundër emigracionit ose vetë Agjencisë për çështjet e Imigrimit dhe Doganave (ICE).
Presidenti i ardhshëm ka thënë se do të dëbojë miliona imigrantë të paligjshëm, madje ka kërcënuar që do të bastisë edhe vendet e punës dhe raportet sugjerojnë se ai mund të heqë dorë edhe nga një politikë e gjatë që i ka lënë kishat jashtë arrestimeve të ICE-së.
Sipas famullitarit David Cruseno me origjinë amerikane, “kërcënimi është shumë real”.
Cruseno ka thënë se nëna e tij hyri në vend ilegalisht nga Meksika, por ka punuar dhe paguar taksa në SHBA qe 30 vjet.
“Me ardhjen e administratës së re, është pothuajse si një persekutim”, ka thënë ai për BBC-në. “Ndihemi sikur jemi duke u veçuar dhe synuar në një formë që është e padrejtë, edhe pse ne bashkëpunojmë me këtë vend pafundësisht”.
Por mbi 2.253 kilometra larg, në jug, në Luginën Rio Grande të Teksasit, një tjetër komunitet imigrantësh ka pikëpamje shumë të ndryshme për inaugurimin e afërt të presidentit, shenjë kjo se si komunitetet latine është thellësisht i ndarë sa i përket imigracionit të paligjshëm dhe qasjes së Donald Trumpit për kufirin SHBA-Meksikë.
“Imigrimi është thelbësor... dhe i duhur”, u shpreh banori David Porras, fermer dhe botanist. “Por me Trumpin, ne do ta bëjmë atë siç duhet”.
Kalimet ilegale të kufirit
Rajoni ndahet nga Meksika vetëm nga ujërat e cekëta të lumit dhe bimësisë së dendur. Vendasit thonë se realiteti i përditshëm i të jetuarit afër kufirit ua ka hapur sytë gjithnjë e më shumë ndaj asaj që shohin lidhur me rreziqet e imigracionit të paligjshëm.
“Ka pasur raste kur familje emigrantësh kanë trokitur në derën time të pasme, duke kërkuar ujë, strehim”, ka thënë Amanda Garcia, banore e Qarkut Starr, ku gati 97% e banorëve identifikohen si latinë. “Njëherë na pati ndodhur një incident ku një vajzë e re ishte vetëm me dy burra, dhe mund ta vërenim qartë që ishte e lodhur dhe po abuzohej”.
Dhjetëra banorë në dy qarqet përbërëse të Luginës Rio Grande, Starr dhe Hidalgo, kanë përshkruar një sërë incidentesh të tjera të lidhura me kufirin, duke filluar nga gjetja e imigrantëve në pronat e tyre, e deri tek përndjekjet e rrezikshme ndërmjet autoriteteve dhe kontrabandistëve.
Shumica prej latinëve të Teksasit janë vetë imigrantë, ose fëmijë apo nipër migrantësh. Dikur bastion i fuqishëm i demokratëve, Qarku Starr favorizoi Trumpin në zgjedhjet e 2024-ës, në herën e parë që qarku u fitua nga republikanët në më shumë se 130 vjet.
Në nivel kombëtar, Trumpi mblodhi rreth 45% të votave të latinëve, rritje kjo e madhe prej 14 për qind në krahasim me zgjedhjet e vitit 2020.
Fitorja në Qarkun Starr, sipas vendasve, ishte për shkak të qëndrimit të Trumpit lidhur me politikat kufitare.
“Ne jetojmë në një vend të rendit dhe ligjit”, ka thënë Demesio Guerrero, shtetas amerikan me origjinë nga Meksika, i cili jeton në qytetin e Hidalgos. “Ne duhet të jemi në gjendje ta dimë se kush hyn dhe del nga vendi”, ka shtuar ai, duke folur në spanjisht. “Përndryshe, ky vend është i humbur”.
Ashtu si mbështetësit e tjerë të Trumpit në Luginën Rio Grande, edhe Guerrero ka thënë në mënyrë të vazhdueshme se ai “nuk ishte kundër imigrimit”.
“Por ata duhet ta bëjnë atë në mënyrën e duhur”, është shprehur ai. “Ashtu si të tjerët”.
Trumpi “nuk është aspak antiimigrant, apo racist”, ka pranuar Marisa Garcia, banore në Qarkun Starr. “Ne thjesht jemi lodhur nga ata imigrantë pa dokumente që vijnë dhe mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan në pronën ose tokën tonë dhe të përfitojnë nga sistemi. Nuk është raciste të thuash se gjërat duhet të ndryshojnë dhe ne gjithashtu duhet të përfitojmë nga kjo”.
Mbështetja për dëbimet
Mbështetja për deportimet është aq e fortë sa Qeveria e shtetit të Teksasit i ofroi Donald Trumpit 567 hektarë tokë jashtë qytetit të Rio Grandes për të ndërtuar objekte paraburgimi për imigrantët pa dokumente, lëvizje kjo që u diskutua shumë dhe u përshkrua nga Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU) të Teksasit, si “kafaz masiv” që do të “ushqejë shkeljen e të drejtave civile”.
Ndonëse kjo pjesë e tokës, e vendosur midis një rruge paqësore në Rio Grande është aktualisht e qetë, zyrtarët në qytet besojnë se përfundimisht mund të jetë një bekim për zonën.
“Nëse e shikoni nga ana zhvillimore, është e mrekullueshme për ekonominë e qytetit”, ka thënë një zyrtar i Rio Grandes, Gilberto Millan për BBC-në. “Ka disa konotacione negative për të, padyshim që është një zonë paraburgimi. Ju mund ta shihni atë në këtë mënyrë, por padyshim që ju duhet një vend për të strehuar këta njerëz”.
Numri i imigrantëve që vijnë përmes Meksikës ka shënuar rënie të madhe, kalimet ilegale të kufirit muajin e kaluar kanë qenë më të ulëta se ato të janarit të 2020-s.
Por kjo çështje është ende shumë e pranishme në rrugët e qyteteve si Chicago, larg kufirit jugor.
Është njëri prej disa qyteteve të udhëhequra nga demokratët që kanë miratuar të ashtuquajturat ligje të “qytetit të shenjtë” që kufizojnë bashkëpunimin e policisë lokale me autoritetet federale të emigracionit.
Si përgjigje, që nga viti 2022, guvernatorët republikanë në shtetet jugore si Teksasi dhe Florida kanë dërguar mijëra emigrantë drejt veriut me autobusë dhe aeroplanë.
Tom Homan, i cili u zgjodh nga Trumpi për të udhëhequr politikat kufitare, ka thënë në një mbledhje të republikanëve në Chicago muajin e kaluar se qyteti do të ishte “pika fillestare” për dëbimet masive.
“Më 21 janar, ju do të shihni shumë agjentë të ICE-së në qytetin tuaj që kërkojnë kriminelë dhe anëtarë të bandave”, pati deklaruar Homan. “Numëroni ditët. Do të ndodhë”.
Shumë politikanë vendas, përfshirë kryebashkiakun e Chicagos, Brandon Johnson dhe guvernatorin e shtetit, JB Pritzker, kanë shprehur mbështetjen për ligjet e “qytetit të shenjtë”.
Kundërshtimet lidhur me politikat e Trumpit
Por kjo politikë nuk përkrahet botërisht. Në nëntor, Trumpi fitoi mbështetje në shumë lagje latine.
Së fundmi, dy ligjvënës demokratë hispanikë u përpoqën të ndryshonin nenet e ligjeve të “qytetit të shenjtë” dhe të lejonin njëfarë bashkëpunimi të policisë së Chicagos me autoritetet federale. Ky veprim u bllokua të mërkurën nga Johnsoni dhe aleatët e tij.
Tani për tani, besimtarët në kishën Lincoln United po bëjnë plane dhe po vëzhgojnë me kujdes politikat e Trumpit.
“Unë jam i frikësuar, por nuk mund ta imagjinoj se çfarë ndjejnë njerëzit pa dokumente”, ka thënë D Camacho, imigrant legal 21-vjeçar nga Meksika, i cili ishte në mesin e kongregacionit në kishë të dielën.
Zyrtarët konsullorë meksikanë në Chicago dhe gjetkë në SHBA kanë thënë gjithashtu se po punojnë në një aplikacion telefonik që do t’ua mundësojnë imigrantëve meksikanë të lajmërojnë të afërmit dhe zyrtarët konsullorë nëse ndalohen apo deportohen.
Zyrtarët në Meksikë e kanë përshkruar sistemin si një “buton paniku”.
Organizatorët në kishën Lincoln United janë duke kontaktuar gjithashtu edhe me ekspertë ligjorë, për t’u ofruar këshilla vendasve se si të kujdesen për financat e tyre dhe fëmijët në rast dëbimi, duke u ndihmuar edhe me dokumentet e identifikimit dhe informacione të tjera në anglisht.
Disa imigrantë të gjeneratës së dytë kanë thënë se po mundohen që të përforcojnë spanjishten e tyre, në mënyrë që të mund të përcjellin informacion ligjor ose të përkthejnë për imigrantët që intervistohen nga autoritetet.
“Nëse dikush me pesë fëmijë kapet nga autoritetet, kush do të kujdeset për fëmijët? A do të dërgohen në qendra sociale? A do të ndahet familja?”, ka thënë Emma Lozano, nëna e Tanya Lozano-Washington dhe aktiviste e komunitetit kishtar.
“Këto janë llojet e pyetjeve që njerëzit kanë”, u shpreh ajo. ‘Si mund t’i mbrojmë familjet tona - cili është plani?”