Që nga fundi i 2022-s, SHBA-ja ka pësuar rritje në numrin e imigrantëve kinezë. Imigrantët kanë thënë se kanë ardhur në SHBA për t’u larguar nga varfëria, humbjet financiare ose kërcënimet me burgim. Por pas komenteve të Trumpit dhe republikanëve të tjerë, që i përshkruajnë si “grup të koordinuar të burrave të moshës ushtarake” që kanë ardhur në SHBA “për ta krijuar një ushtri dhe për ta sulmuar Amerikën”, organizatat aziatike të avokimit shqetësohen për mundësinë e rritjes së ngacmimeve dhe dhunës ndaj komunitetit aziatik
Ishte ora 7 e mëngjesit kur Wang Gangu, imigrant kinez 36-vjeçar, nxitoi për të gjetur një punë ditore në lagjen Flushing të New Yorkut.
Kur një punëdhënës u afrua me makinë në rrugë, afër një farmacie dhe furre kineze, Wangu dhe dhjetëra burra të tjerë u grumbulluan rreth makinës. Ata ishin duke shpresuar të gjenin punë në një zonë ndërtimi, fermë, ose gjithçka që do të paguante.
Wangu nuk kishte fat, edhe pasi kishte pritur për dy orë të tjera. Kjo ishte një ditë tjetër pa punë që nga kalimi ilegal i tij në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në shkurt, për të kërkuar një të ardhme më të mirë financiare sesa në vendin i tij Wuhan, Kinë.
Problemet ditore të imigrantëve kinezë në Flushing janë shumë të ndryshme prej mënyrës se si është përpjekur t’i përshkruajë ish-presidenti Donald Trump dhe republikanët e tjerë, si “grup të koordinuar të burrave të moshës ushtarake” që kanë ardhur në SHBA “për ta krijuar një ushtri dhe për ta sulmuar Amerikën”.
Që nga fillimi i vitit, teksa të ardhurit kinezë janë përpjekur ta gjejnë veten në SHBA, Trumpi ka aluduar për burrat kinezë të paktën gjashtë herë dhe ka sugjeruar të paktën dy herë se ata janë duke krijuar “ushtrinë imigrante”. Ka ardhur deri në atë pikë që është duke u diskutuar edhe në mediat konservatore dhe platformat sociale.
“Ata janë duke ardhur nga Kina, – 31, 32 mijë gjatë muajve të fundit – janë të gjithë në moshën ushtarake dhe janë shumica meshkuj”, ka thënë Trumpi në një tubim fushate të muajit të kaluar në Schnecksville, Pennsylvani. “Dhe mua më duket, se ata po përpiqen ta ndërtojnë një ushtri të vogël në vendin tonë. A janë duke u përpjekur ta bëjnë këtë gjë?”
Ndërsa Trumpi dhe të tjerët janë duke shfrytëzuar rritjen e kalimeve kufitare të kinezëve dhe shqetësimet rreth kërcënimeve gjeopolitike të Kinës, organizatat aziatike të avokimit shqetësohen për mundësinë e rritjes së ngacmimeve dhe dhunës ndaj komunitetit aziatik. Aziatikët në SHBA veç se kanë përjetuar rritje të incidenteve të nxitura nga ksenofobia gjatë pandemisë COVID-19.
“Retorika çnjerëzore e Trumpit dhe sulmet flagrante ndaj komuniteteve imigrante, sigurisht, vetëm sa do të nxisin më shumë urrejtje, jo vetëm ndaj imigrantëve kinezë, por ndaj të gjithë aziatikëve në SHBA”, ka thënë Cynthia Choi, bashkëthemeluese e Stop AAPI Hate, koalicion kundër racizmit. “Në mesin e klimës tashmë të acaruar politike dhe vitit të zgjedhjeve, të gjithë e dimë se sa e dëmshme mund të jetë një politikë e tillë”.
Gregg Ortoni, drejtor kombëtar i Këshillit kombëtar të aziatikëve amerikanë, ka thënë se shumë komunitete azio-amerikanë mbeten “të prekur nga frika” dhe disa nga aziatikët nuk ndihen të sigurt ta përdorin transportin publik.
“Dijenia se ne mund ta kalojmë këtë retorikë përsëri, është shqetësuese”, ka thënë ai.
‘Ky udhëtim është vdekjeprurës’
Wangu, i cili ka udhëtuar për disa javë nga Ekuadori për në kufirin jugor të SHBA-së, e pastaj i ka kaluar 48 orë në një objekt paraburgimi për imigrantë para se të shkonte në Flushing, ka thënë që ideja se migrantët kinezë janë duke e krijuar një ushtri të tillë “nuk ekziston” në mesin e imigrantëve që ai ka takuar.
“Është e pamundur të ndodhë kjo gjë”, ka thënë ai. “Ne kemi ardhur këtu për të bërë para”.
Imigrantët nga Flushingu, enklavë e populluar nga kultura kineze në Queen, kanë thënë se kanë ardhur në SHBA për t’u larguar nga varfëria dhe humbjet financiare gjatë mbylljes së rreptë të Kinës në pandemi, ose për t’u larguar nga kërcënimet e burgimit në një shoqëri shtypëse ku ata nuk mund të flasin ose ta ushtrojnë lirshëm fenë e tyre.
Shumë prej tyre kanë thënë se luftojnë për t’i kaluar ditët. Jeta në SHBA nuk është ashtu siç e kishin imagjinuar.
Që nga fundi i 2022-s – kur ka filluar lëshimi nga mbyllja trevjeçare e pandemisë në Kinë – SHBA-ja ka pësuar rritje në numrin e imigrantëve kinezë. Në vitin 2023, autoritetet amerikane kanë arrestuar më shumë se 37 mijë shtetas kinezë në kufirin Meksikë-SHBA, numër 10 herë më i lartë sesa i vitit paraprak. Vetëm në dhjetor, zyrtarët kufitarë kanë arrestuar 5.951 shtetas kinezë në kufirin jugor, nivel mujor rekord, para se të ulej numri gjatë tre muajve të parë të këtij viti.
Kohëve të fundit SHBA-ja dhe Kina kanë filluar të bashkëpunojë përsëri për t’i dëbuar imigrantët kinezë që janë duke qëndruar ilegalisht në vend.
Gjithsesi, nga mijëra të ardhur kinezë që e kanë kaluar ilegalisht kufirin për në SHBA, nuk ka prova se janë përpjekur të krijojnë forca ushtarake ose rrjete trajnimi.
Është e vërtetë që shumica e të ardhurve janë të rritur e beqarë, sipas të dhënave federale. Ndërsa të dhënat nuk përfshijnë gjininë, rrugëtimin e rrezikshëm e kanë kaluar më shumë burrat sesa gratë, çka përfshin fluturimin për në Amerikën Jugore dhe pastaj udhëtimin e gjatë e të mundimshëm deri te kufiri i SHBA-së.
Imigrantët kinezë në Flushing kanë thënë që arsyeja pse numri i burrave që vijnë vetëm është kaq i lartë është shpenzimi – shpeshherë më shumë se 10 mijë dollarë për person për t’i mbuluar shpenzimet e fluturimit, akomodimit, pagesat ndaj udhëzuesve lokalë dhe ryshfetet për policinë e vendit gjatë udhëtimit të tyre. Arsyeja tjetër mund të jetë politika e planifikimit familjar të Kinës që për një kohë të gjatë e ka shtrembëruar raportin gjinor ndaj meshkujve.
Kjo është gjithashtu e rrezikshme, ka thënë një burrë 35-vjeçar kinez që e ka treguar vetëm mbiemrin Yin për shkaqe sigurie ndaj gruas dhe fëmijëve, të cilët janë në Kinë.
Ai ka ardhur në Flushing në prill, pesë javë pasi ishte larguar nga qyteti jugor kinez Shenzen. Ka udhëtuar përgjatë xhunglës së rrezikshme të Panamasë, Darien Gap dhe përgjatë Meksikës. Shenjat e udhëtimit të tij vërehen akoma: Flokët e tij të rrëmujshme, lëkura e nxirë me rrudha dhe trikoja, dikur e bardhë, që nuk ishte larë për javë të tëra.
“Ky udhëtim është vdekjeprurës. Njerëzit vdesin. Nuk është i përshtatshëm për gratë – nuk është i përshtatshëm për askënd”, ka thënë Yin.
Ai ka thënë se si kryefamiljar, ka ardhur i vetëm, me shpresën se familja e tij do të mund t’i bashkëngjitej më vonë.
‘Ndjekja e një jete më të mirë’
Teksa disa në Kinë kanë vendosur të largohen përmes skemave të investimeve ose programeve të talentit në vendet e zhvilluara, të tjerët që nuk kanë burime të mjaftueshme janë nisur për në Amerikën Latine pasi kanë marrë vesh për udhëtimin deri në SHBA nga rrjetet sociale.
Kur arrijnë, shumica prej tyre shkojnë në qytetet e mëdha si Los Angelesi, Chicago dhe New Yorku, në pjesë ku ka komunitete kineze, ku shpresojnë të gjejnë punë dhe ta nisin një jetë të re.
Imigrantët që arrijnë në Flushing kanë thënë se kanë ardhur në Amerikë për t’u larguar nga Kina, e jo për të luftuar në emër të saj.
Chen Wangu, 36-vjeçar, nga provinca juglindore kineze Fujian, ka thënë se ka vendosur të vijë në SHBA në vitin 2021, pasi ka postuar komente kritike në Twitter për partinë në pushtet. Ai ishte paralajmëruar nga policia lokale.
“Kisha frikë se mos burgosesha, prandaj kam ardhur në Amerikë”, ka thënë Chen.
Pas më shumë se dy vjetësh, ai është akoma i papunë dhe jeton në një tendë në male, që i janë bërë si shtëpi. Ai e ka ndërtuar një gardh me degë të thara dhe e ka hapur një gropë, në mënyrë që t’i lajë rrobat dhe veten aty.
Ai ka thënë se jeta në SHBA nuk ishte siç e ka pritur, por se shpreson që ndonjë ditë ta marrë statusin legal, në mënyrë që të udhëtojë lirshëm nëpër botë dhe ta jetojë një jetë të qetë në një kabinë të ndërtuar vetë.
Cheni, i cili ka shërbyer shkurtimisht në ushtrinë kineze dy dekada më parë, ka thënë se në përgjithësi është takuar me njerëz nga shoqëria e ulët kineze gjatë rrugëtimit të tij nëpër Amerikën Qendrore. Ai nuk ka takuar askënd që ka shërbyer në ushtrinë kineze dhe i ka përshkruar bashkatdhetarët e udhëtimit si njerëz që thjesht “janë duke ndjekur një jetë më të mirë”.
Historia e gjatë e stereotipave aziatikë
Për të qenë të sigurt, liderët e inteligjencës amerikane kanë shqetësime të mëdha rreth kërcënimit që përbën qeveria autoritare kineze për vendin përmes spiunazhit, aftësive ushtarake dhe më shumë. Ka pasur gjithashtu krime të kryera nga imigrantët kinezë, duke përfshirë arrestimin e një shtetasi kinez në mars që e ka shkelur një zonë ushtarake në Californi, por nuk ka pasur prova për ta mbështetur supozimin se imigrantët nga Kina janë duke ardhur në SHBA për të luftuar me amerikanët.
Zëvendëssekretari i Shtetit, Kurt Campbell, i ka quajtur shtetasit kinezë “imigrantë ekonomikë” gjatë një takimi në prill të mbajtur nga Komiteti Kombëtar i Marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Kina ka thënë se e kundërshton fuqishëm imigracionin ilegal dhe policia atje i ka arrestuar disa persona që janë përpjekur të largoheshin. Postimet në platformat sociale që ofrojnë këshilla dhe udhëzues për të shkuar ilegalisht në SHBA janë të censuruara në Kinë. Në vend të tyre, ka postime që paralajmërojnë për rreziqet gjatë rrugës dhe diskriminimin racor në SHBA.
Ministria e Jashtme e Kinës ka thënë se pretendimet e Trumpit për ushtrinë e imigrantëve kinezë kanë “mospërputhje të madhe me faktet”.
Steven Cheungu, drejtor i komunikimit për fushatën e Trumpit, ka thënë në një deklaratë me email se çdo amerikan duhet të shqetësohet nga kinezët e moshës ushtarake që e kalojnë kufirin e SHBA-së.
“Këta individë nuk janë identifikuar ose ekzaminuar dhe ne nuk ia kemi idenë se me kë kanë lidhje ose çfarë qëllimi kanë”, ka thënë Cheungu. “Kjo krijon precedent të rrezikshëm për aktorët dhe individët e këqij për ta shfrytëzuar kufirin poroz të Joe Bidenit, për të dërguar njerëz të panumërt të moshës ushtarake në Shtetet e Bashkuara, plotësisht të papenguar”.
Narrativa e krijimit të ushtrisë është ndarë gjithashtu nga shumë konservatorë të tjerë.
“Ata janë burra të moshës ushtarake, kryesisht beqarë dhe kjo nuk është koincidencë”, ka thënë republikani Mike Garcia i Californisë, gjatë një interviste muajin e kaluar. Ai ka pohuar me kokë kur prezantuesja Maria Bartiromo ka sugjeruar se imigrantët mund të përdoren si “diversantë” nëse presidenti kinez Xi Jinping “e urdhëron këtë”.
Sapna Cheryani, profesoreshë e psikologjisë në Universitetin e Washingtonit, ka thënë se pretendimet ndaj imigrantëve kinezë – të bëra pa prova – janë ndërtuar mbi një histori të gjatë të stereotipave se aziatikët nuk e kanë vendin në SHBA, ide që ka nxitur dhunën ndaj azio-amerikanëve.
“Nëse kjo retorikë është duke ndodhur përsëri, një gjë që mund ta parashikojmë është se njerëzit do ta përdorin këtë dhe do të ndihen të sigurt të marrin pjesë në këto akte të neveritshme”, ka thënë ajo.
Li Kai, gjithashtu i njohur si Khaled, mysliman 44-vjeçar nga Tangshani i provincës veriore Hebei, qytet afër Pekinit, ka thënë se është i shqetësuar nga deklaratat e Trumpit sa i përket imigrimit ilegal dhe myslimanëve, por ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër, përpos ta bëjë të mundur funksionimin e jetës së re në SHBA.
Ai është një nga të paktit që e ka bërë këtë rrugëtim me familjen e tij. Ai ndan një krevat marinari dhe divan me gruan dhe dy djemtë e tij në shtëpinë e përkohshme në Flushing, ku ka të vendosur në mur flamurin e Amerikës.
Li ka thënë se janë larguar nga Kina vitin e kaluar, pasi kishte marrë pjesë në një tubim rreth të ardhmes së një xhamie lokale që ishte shkatërruar nga policia dhe se kishte frikë se mos arrestohej. Ai e ka zgjedhur SHBA-në, sepse ka shoqëri të lirë, ku fëmijët e tij kanë mësuar të recitojnë nga Kurani.
Ai ka thënë se të gjithë imigrantët, që kishte takuar gjatë udhëtimit të tij nga Kina për në SHBA, ishin duke u përpjekur t’i përmirësojnë aspektet e jetës dhe se vetë ai ishte mirënjohës për këtë mundësi. Kur djemtë e tij janë në shkollë, ai studion për patentë shofer dhe shpreson se do ta gjejë një punë dhe të fillojë t’i paguajë taksat.
“Tani që kam sjellë familjen time këtu, dua të kem një jetë të qëndrueshme”, ka thënë ai. “Dua t’i shpaguaj”.