Një sulm izraelit në Iran dëmtoi objektet në një bazë ushtarake të fshehtë në juglindje të kryeqytetit iranian, të cilin ekspertët në të kaluarën e kanë lidhur me programin e dikurshëm të armëve bërthamore të Teheranit, dhe në një bazë tjetër të lidhur me programin e tij të raketave balistike, tregojnë fotot satelitore të analizuara të dielën nga Associated Press.
Disa nga ndërtesat e dëmtuara ishin në bazën ushtarake Parchin të Iranit, ku Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dyshon se Irani në të kaluarën kreu teste të eksplozivëve të fortë. Irani ka këmbëngulur prej kohësh që programi i tij bërthamor është paqësor, megjithëse IAEA, agjencitë perëndimore të inteligjencës dhe të tjerë thonë se Teherani kishte një program aktiv armësh deri në vitin 2003.
Dëmi tjetër mund të shihet në bazën ushtarak pranë Khojir, për të cilën besohet se fsheh një sistem tuneli nëntokësor dhe vende të prodhimit të raketave.
Ushtria e Iranit nuk e ka pranuar dëmtimin as në Khojir dhe as në Parchin nga sulmi i Izraelit herët të shtunën, megjithëse ka thënë se sulmi ka lënë të vdekur katër ushtarë iranianë që punonin në sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit.
Lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë të dielën se sulmi izraelit “nuk duhet të ekzagjerohet dhe as të nënvlerësohet.
Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka deklaruar po ashtu të dielën se sulmet e Izraelit "dëmtuan rëndë" Iranin dhe se breshëria "arriti të gjitha qëllimet e saj".
Mbetet e paqartë se sa vende në total janë shënjestruar në sulmin izraelit. Nuk ka pasur asnjë imazh të dëmtimit të publikuar deri më tani nga ushtria iraniane.
Zyrtarët iranianë kanë identifikuar zonat e prekura si provincat Ilam, Khuzestan dhe Teheran. Fushat e djegura mund të shiheshin në imazhet satelitore nga “Planet Labs PBC” rreth vendit të prodhimit të gazit natyror të Iranit Tange Bijar në provincën Ilam të shtunën, megjithëse nuk ishte menjëherë e qartë nëse kishte lidhje me sulmin. Provinca Ilam ndodhet në kufirin Iran-Irak në Iranin perëndimor.
Dëmi më i madh mund të shihet në imazhet e “Planet Labs të Parçinit” rreth 40 kilometra në juglindje të qendrës së Teheranit, pranë digës Mamalu. Atje, një strukturë dukej se ishte shkatërruar plotësisht, ndërsa të tjerat dukeshin të dëmtuara nga sulmi.
Në Khojir, rreth 20 kilometra larg nga qendra e Teheranit, dëmtimi mund të shihet në të paktën dy struktura në imazhet satelitore.
Në një deklaratë të lëshuar menjëherë pas sulmit të shtunën, ushtria izraelite ka thënë se kishte në shënjestër “objektet e prodhimit të raketave që Irani gjuajti në shtetin e Izraelit gjatë vitit të kaluar”.
Shkatërrimi i vendeve të tilla mund të prishë shumë aftësinë e Iranit për të prodhuar raketa të reja balistike për të rimbushur arsenalin e tij, pas dy sulmeve ndaj Izraelit.
Garda Revolucionare paraushtarake e Iranit, e cila mbikëqyr programin e raketave balistike të vendit, ka qenë e heshtur që nga sulmi i së shtunës.
