Ish-luftëtari i Ultimate Fighting Championship (UFC), Conor McGregor do të kandidojë për president të Irlandës gjatë zgjedhjeve që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Ish-luftëtari kontrovers të enjten ka njoftuar kandidaturën e tij me qëndrime kundër imigracionit.
McGregori, i cili kohët e fundit është ngritur si figurë e të djathtës ekstreme në Irlandë, ka deklaruar në media se do të kandidojë për president për të kundërshtuar një pakt të ri të migrimit të Bashkimi Evropian që synon shpërndarjen e barrës së azilkërkueseve në mënyrë të barabartë në të gjithë bllokun, ka raportuar “CNN”.
Ai ka deklaruar se nëse zgjidhet president do të mbajë referendum rreth këtij pakti të BE-së. “Edhe pse e kundërshtoj shumë këtë pakt, nuk është zgjidhja as e imja e as e qeverisë, por e populli të Irlandës! Gjithmonë”, ka shkruar ai.
“Kush do të ngrihej tjetër ndaj qeverisë për të kundërshtuar këtë nismë? Çdo kandidat që ata përpiqen ta vendosin nuk do të rezistojë, unë do ta bëj”, ka shkruar ai në një postim në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram, ku ka 46 milionë ndjekës.
Postimi erdhi disa ditë pasi McGregor, 36 vjeç, u shfaq në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e SHBA-së Donald Trump, në Ditën e Shën Patrikut, ku ai u bë përkrahësi i fundit evropian i presidentit të SHBA-së, në promovimin e qëndrimeve kundër imigrimit.
Lideri irlandez, Micheal Martin ka deklaruar se komentet e McGregorit “nuk reflektojnë shpirtin e Ditës së Shën Patrikut, apo qëndrimet e popullit të Irlandës”.
Më herët McGregorit ishte fytyra e Ultimate Fighting Championship. I lindur në Dublin, McGregor ishte luftëtari i parë që mbante dy rripa të UFC-së në të njëjtën kohë. Sipas Forbes, ai ishte sportisti më i paguar në botë në vitin 2021.