Botë

Ikën pasi llava përfshiu qytetin dhe mund të mos kthehen kurrë më

Qyteti islandez Grindavik, që ishte shtëpi e afro 3800 banorëve, aktualisht është i boshatisur dhe nuk dihet nëse do të jetë ndonjëherë i sigurt për t’u jetuar në të

Banorët e Grindavikut gjatë javëve dhe muajve të fundit kanë përjetuar forcat e pamëshirshme të natyrës, duke dëshmuar sërish pse Islanda shpesh quhet “Toka e Zjarrit dhe Akullit”.

Tri shtëpi në këtë qytet në gadishullin Reykjanes në jugperëndim të Islandës u shkatërruan në janar kur llava e shkrirë shpërtheu përmes dy çarjeve të krijuara nga sistemi vullkanik Svartsengi.

Dikur një fshat i njohur për peshkim dhe që lulëzonte me ekipe sportive dhe popullatë të re, Grindavik tash është i boshatisur.

Njerëzit kanë ikur dhe kanë filluar ta kuptojnë se mund të mos kthehen kurrë më atje.

Kaq e pasigurt është e ardhmja e tyre, sa që një grua tha se do të donte që shtëpia e saj të ishte gëlltitur nga llava.

Pesë shpërthime vullkanike në tri vjetët e fundit

Gjatë tri vjetëve të fundit, gadishulli ka pasur pesë shpërthime vullkanike.

Më 10 nëntor, pas një numri alarmues të tërmeteve dhe dyshimeve për magmë nën qytet, autoritetet e Islandës urdhëruan evakuimin e Grindavikut, shtëpi e rreth 3800 banorëve.

Në ditët pasuese u bë e qartë se disa shtëpi janë rrënuar plotësisht shkaku i aktiviteteve sizmike. Banorët shpresonin të ktheheshin në shtëpi, pasi u zvogëlua intensiteti i tërmeteve, por në mes të dhjetorit nisi një shpërthim i fortë në kraterin Sundhnuks në afërsi, që zgjati tri ditë.

Përgjatë rrugës nga kryeqyteti Reykjavik deri te aeroporti Keflavik, u vërejt një çarje afro 4 kilometra e gjatë që po nxirrte llavë të shkrirë. Dukej sikur po hapeshin “portat e ferrit”.

Grindavik ishte kursyer për momentin, pasi shpërthimi ndodhi rreth 3 kilometra larg, por u zbuluan çarje tjera në qytet, duke detyruar autoritetet t’i mbyllin ato dhe të nisnin riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.

Tragjedia e janarit

Tragjedia goditi më 10 janar kur një burrë që punonte në qytet ra në një nga të çarat. Pas një kërkimi të shkurtër, operacioni u ndërpre për shkak të rreziqeve.

Katër ditë më vonë, një tjetër shpërthim filloi në mënyrë të rrezikshme afër Grindavikut.

Në javët që çuan te shpërthimi i janarit, Qeveria e Islandës kishte vendosur të ngrinte mure mbrojtëse në përpjekje për të parandaluar rrjedhjen e llavës drejt Grindavikut dhe termocentralit gjeotermik Svartsengi që gjendet aty pranë.

Në orët e para, muret mbrojtëse dolën të dobishme, megjithëse çarja ishte hapur deri diku edhe përmes njërit prej mureve.

Kjo nënkuptoi se llava rrodhi në sasi të vogël edhe drejt qytetit, por muret e mbanin larg pjesën më të madhe të saj.

Rreth mesditës së 14 janarit, po shfaqej tym nga prapa mureve.

Madhësia e mureve pengonte të shihej se çfarë po shkaktonte tymin.

Por, ishte frika se mund të jetë një çarje tjetër që hapet pas mureve, duke e lënë kështu qytetin tërësisht të pambrojtur.

Ajo frikë u konfirmua në minutat ne ardhshëm.

Një çarje ishte hapur 100 metra larg shtëpive në Grindavik dhe u tha se më nuk mund të bëhej asgjë për t’i shpëtuar shtëpitë atje.

Ishte fatkeqësia më e gjerë natyrore që kishte parë Islanda në 51 vjetët e fundit.

Nëpërmjet televizorëve, islandezët shikonin teksa llava kaploi shtëpitë e tyre, një ngjarje zemërthyese për ta.

Por, ajo përhapje nuk zgjati shumë dhe tri shtëpi u dogjën.

Të shpërndarë nëpër Islandë

Tash në shkurt, banorët e Grindavikut e gjejnë veten të shpërndarë nëpër Islandë dhe të paaftë për të jetuar në qytetin e tyre të lindjes.

Pall Valur Bjornsson u desh të largohej nga shtëpia e tij në Grindavik dhe u vendos në kryeqendër, Reykjavik.

Ai vlerëson se Qeveria nuk ka menaxhuar mjaftueshëm mirë, që të zbutet pasiguria që banorët e Grindavikut ndjejnë për të ardhmen e vetë.

“Është e qartë se reaguesit nuk ishin të përgatitur për një ngjarje si kjo. Deri më tash, të gjitha veprimet e tyre janë karakterizuar nga nxitimi dhe hutimi, dhe informacioni që u është dhënë banorëve të Grindavikut ka ngatërruar njerëzit në vend se t’i zgjidhin problemet. Është e qartë se reaguesit në asnjë mënyrë nuk kanë qenë të përgatitur për një ngjarje si kjo, gjë që absolutisht është e pabesueshme duke marrë parasysh se këto tërmete e shpërthime nisën tre vjet më parë”, ka thënë Bjornsson.

Jeta e tyre u përmbys më 10 nëntor. Autoritetet nuk u kanë dhënë atyre ndonjë datë se kur mund të kthehen dhe nuk është e qartë nëse qyteti ndonjëherë do të jetë i sigurt qyteti për të jetuar në të. Edhe nëse banorët lejohen të kthehen, disa mund të jenë shumë të traumatizuar për t’u kthyer.

Po ashtu përballen me barrën financiare të hipotekave për shtëpitë ku nuk mund të jetojnë.

Islandezët dhe qeveria e tyre janë bashkuar në ofrim të ndihmës. Banorëve të qytetit po u sigurohet strehimi dhe një projektligj po synon që të zbusë problemet e tyre.

Kur Bryndis Gunsslaugsdottir tha në një takim me banorët e Grindavikut se do të donte që llava t’ia shkatërronte shtëpinë, ajo u prit me duartrokitje të forta.

Është e vështirë të imagjinohet niveli i dëshpërimit. Por, kur e pyet atë, disi merr kuptim.

“Në këto 80 ditë, banorët e Grindavaikut nuk kanë pasur shtëpi. Komuniteti ynë po lëndohet dhe nuk e kemi idenë se çfarë na pret në të ardhmen”, ka thënë Bryndis.

Duke e detajuar evakuimin dhe mbylljen e Grindavikut, si dhe vdekjen e një burri në qytet, ajo thotë se ka pasur tepër tragjedi.

“Unë thash se do të doja shtëpinë time nën llavë, pasi atëherë do të mbaronte kjo paqartësi. Do të kompensohesha dhe do të mund të ndërtoja një jetë të re dhe të përqendrohem në dhimbjen emocionale që pason me humbjen e një komuniteti. Mendoj se shumë banorë të Grindavikut pajtohen se kjo paqartësi është armiku ynë më i keq tash”, ka thënë Byrnis.

Fati i Grindavikut nuk dihet, megjithëse komuniteti po mban shpresën se do të rikthehet.

Nuk ka asnjë mënyrë për të thënë se kur ose ku do të fillojë shpërthimi i ardhshëm në gadishullin Reykjanes. Por, shkencëtarët islandezë pajtohen se nuk është çështje nëse, por se kur.