Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, ka dhënë detaje për BBC-në lidhur me vrasjen e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar.
Majori Doron Spielman ka treguar se IDF-ja ka operuar në Rafah me synimin për t'i kapur “terroristët më të lartë” – përfshirë Yahya Sinwarin.
Spielman ka thënë se në operacionet e tyre, forcat e IDF-së gradualisht mbyllën rrugët, shkatërruan tunelet dhe kufizuan lëvizjet “në një zonë gjithmonë e më të vogël”. Kjo e detyroi Sinwarin të “lëvizte si një i arratisur” dhe përfundimisht “të bënte një gabim”.
“Në fakt, vetëm dje e bëri gabimin. Ai u largua nga tuneli, hyri në një kompleks banesor dhe Hamasi hapi zjarr ndaj trupave izraelite. Një tank u kundërpërgjigj dhe ai u vra në atë sulm”, ka treguar Spielman.
