Fotot influencueseve evropiane po përdoren nga mashtrues për ta promovuar ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe senatorin, JD Vance. Në platformën X kanë filluar të përhapen llogari të rreme me foto të grave të bukura që deklarojnë mbështetjen ndaj Trumpit dhe fushatës së tij, duke shpërndarë dezinformata dhe teori konspirative. E gratë e përfshira janë të zemëruara nga vjedhja dhe përdorimi i fotove pa miratimin e tyre, meqë kjo po u ndikon edhe në jetën reale, nga dëmtimi i reputacionit e deri te stresi i madh emocional dhe psikologjik
Luna nga shteti i Wisconsin, 32-vjeçare e përshkruar si “mbështetëse e MAGA-s së Trumpit”, ka fituar shumë ndjekës qëkur i është bashkuar platformës X, në mars. Llogaria e saj është bërë pikë e njohur e lëvizjes “Bëje Amerikën Madhështore Përsëri” (MAGA), duke e lavdëruar rikandidimin e ish-presidentit Donald Trump, duke promovuar teori konspirative për kundërshtaren e tij, zëvendëspresidenten Kamala Harris dhe duke i reklamuar bisedat republikane për afro 30 mijë ndjekës, të cilëve ajo u drejtohet si “patriotë”.
“A do ta mbështesnit Trumpin si president të përhershëm? Jam kurioze ta di nëse e mbështesni Trumpin si unë”, ka postuar @Luna_2K24, duke ndarë një foto me rroba banje dhe duke u kërkuar ndjekësve ta komentojë flamurin amerikan nëse bien dakord me të. Rreth 45 mijë njerëz e kanë parë postimin.
Por Luna nuk është e vërtetë. Fotot e postuara nga @Luna_2K24 janë të Debbie Nederlof, një influencuese gjermane e modës, e cila as nuk do të votojë në zgjedhjet presidenciale në nëntor. Kur 32-vjeçarja, që ka një fëmijë dhe punon në dy vende pune, është pyetur për llogarinë, ajo ka qenë e zemëruar dhe e irrituar që fytyra e saj po përdorej për të krijuar propagandë pro-Trump.
“Për të qenë e sinqertë, 'Çfarë dreqi?’ ishte reagimi im. Kjo sepse nuk kam të bëj asgjë me SHBA-në, me Trumpin dhe me politikën atje. Pse të më interesojë mua politika e SHBA-së?” ka thënë ajo.
Nederlofi është një nga 17 gratë evropiane – influencuese nga Holanda, Gjermania, Danimarka dhe Rusia – fotot e të cilave janë duke u përdorur nga të panjohurit për ta promovuar Trumpin dhe senatorin JD Vance, ka gjetur CNN dhe Qendra për Rezistencën e Informacionit (CIR), organizatë jofitimprurëse e cila është përkushtuar si ekspozuese e abuzimeve të të drejtave të njeriut.
Llogaritë e rreme janë në mesin e 56 profileve të identifikuara nga CNN-i dhe CIR-ja, duke përdorur hetim digjital dhe mjete për kërkim të fotove për ta mbështetur kandidimin e Trumpit. Nuk ka indikacion që fushata e Trumpit është e përfshirë.
Ekspertët thonë se kjo mund të jetë vetëm Maja e Ajsbergut. Një analizë e 56 llogarive tregon se të gjitha përdorin foto të grave të reja të bukura, të cilat deklarojnë mbështetjen për Trumpin dhe përdorin hashtagët e tillë si #MAGAPatriots, #MAGA2024. Gjithashtu është gjetur se fotot janë manipuluar dhe se janë shtuar slogane pro-Trump nëpër foto.
Llogaritë postojnë mesazhe të ngjashme, që përfshijnë gabime në gjuhën angleze. Shumica janë krijuar gjatë muajve të fundit dhe numri i ndjekësve është rritur shpejt. 15 nga llogaritë e rreme janë të verifikuara dhe tetë prej tyre është gjetur se kanë përdorur foto të vjedhura. CNN-i ka intervistuar katër nga gratë evropiane.
Nederlofi ka thënë se nuk është hera e parë që fotot e saj janë vjedhur dhe përdorur pa miratimin e saj. Por është hera e parë që janë përdorur për të promovuar agjendë politike. Profili i rremë ka postuar mesazhe konspirative, që pretendojnë se zgjedhjet në SHBA po manipulohen dhe se Trumpi është duke u përballur me përpjekje të tjera për atentat. Gjithashtu janë përdorur shprehje anti-LGBTQ, anti-transgjinore, anti-vaksinim, raciste dhe ksenofobike.
Paraqitja e llogarive në “X” vjen gjatë garës presidenciale mes Harrisit dhe Trumpit, ndërsa ndërhyrja e huaj në zgjedhjet e 2016-s ende është e freskët në kujtesën kolektive të Amerikës. Pas fitores së Trumpit më 2016, u shfaq debati mbi rolin që luajtën “trollët” rusë për ta ndihmuar zgjedhjen e tij, duke shpërndarë dezinformata dhe mesazhe të krijuara, për të krijuar ndarje mes elektoratit në platformat e mediave sociale si Facebook dhe Twitterin e atëhershëm.
Tani peizazhi politik dhe digjital është ndryshe. Trumpi ka krijuar platformën e tij personale “Truth Social” dhe miliarderi Elon Musk e ka blerë Twitterin dhe e ka riaktivizuar llogarinë e ish-presidentit. Të dy burrat janë shfaqur në një bisedë në “X Spaces”, duke diskutuar zgjedhjet e 2024-s, ndërsa ndanë përbuzjen e tyre të ndërsjellë për mediat kryesore. Musk ka predikuar rëndësinë e lirisë së fjalës në internet, ndërsa Trumpi ka bërë të paktën 20 pretendime të rreme, për emigracionin, ekonominë, politikën e jashtme dhe Harrisin.
Nën udhëheqjen e Muskit, X ka ndryshuar mekanizmat dhe ekipet e dizajnuara ndaj sigurisë kundër teorive të rreme dhe konspirative në platformë. Komisioni Evropian ka hetuar X-in që nga viti i kaluar mbi pretendimet se nuk është në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale, rregullore që synon parandalimin e aktiviteteve të dëmshme në internet dhe përhapjen e dezinformatave.
Legjislacioni është dizajnuar t’i mbrojë konsumatorët si Nederlofi, por ajo dhe influencueset e tjera kanë thënë se kanë hasur në probleme sa i përket ndërmarrjes së veprimit nga platformat - kur raportojnë për përdorimin e fotove pa miratim e vjedhje të identitetit - çka reflekton sfidat e zbatimit të rregullave dhe rritjen e kërcënimeve online ndaj grave.

Fakti kundër trillimit
Për Nederlofin, çdo ditë është e ngarkuar. Përgjatë javës kohën ia kushton: djalit 6-vjeçar, qenit Lou, punës së përditshme dhe punës si influencuese e Instagramit.
Nederlofi ka treguar se si ka vendosur të bëhet influencere.
“Çmimi i jetesës – është i lartë. Gjithçka që dua është që djali im të ketë një të ardhme më të mirë”, ka thënë ajo, duke shtuar se ka shpresuar që postimi i fotove do t’i rriste kërkesat për modelim.
Kjo dëshirë për ekspozim është ajo çka e ka shtyrë atë të fillojë t’i ndajë fotot e saj. Tani ajo ka mbi 74 mijë ndjekës në Instagram. Por me rritjen e ndjekësve erdhi edhe shpërndarja e llogarive të rreme nëpër platforma të ndryshme.
“Jo vetëm që përdorën fotot e mia, por edhe të djalit dhe qenit tim. Si mundën ata?” ka thënë ajo, duke treguar se njëherë dikush ka përdorur fotot e qenit për të mbledhur para për një operacion të supozuar të kataraktit. “Jam okuliste e trajnuar – dhe kjo është çmenduri”.
Ajo është përpjekur t’i raportojë llogaritë e rreme – por vazhdimisht ka mbetur e zhgënjyer.
“Gjithmonë thonë se nuk ka prova të mjaftueshme se është false”.
Ajo ka thënë se e vetmja herë kur kjo ka funksionuar, ka qenë kur shoku i saj fotograf i ka kërcënuar me padi kundër fotove të vjedhura.
Në mesin e ndjekësve të llogarisë së rreme është profili zyrtar i senatorit republikan të Pennsylvanias, Doug Mastriano. Sa i përket mesazheve që po i përdor llogaria e X, Nederlofi ka thënë: “Nuk me intereson aspak për Trumpin”.
Demi Maric, studente 27-vjeçare e biznesit dhe influencere e Instagramit me seli në Amsterdam, është gruaja tjetër e identifikuar nga hetimi i CNN-it dhe CIR-së. Fotografitë e saj janë përdorur nga një llogari e rreme “MAGA” në X, nën emrin Gabriela dhe emrin e llogarisë @queen0_gabriela.
Postimet e saj përfshijnë foto të Maricit, e ulur në një tavolinë restoranti duke mbajtur pije në dorë me përshkrimin: “Nëse e mbështet bashkimin e RFK Jr në lëvizjen tonë, dua t’ju ndjek! Shpresoj se të gjithë patriotët ta kenë një fundjavë të bukur”. Ose foto të saj në krevat, me përshkrimin: “Natën e mirë të gjithë votuesve të Trumpit! Shihemi nesër”.
Marici, e rritur në jug të Holandës, ka thënë se ka filluar të fokusohet në llogarinë e Instagramit në vitin 2020 dhe që atëherë fotot e saj janë vjedhur disa herë. Një rast ka pasur ndikim në jetën e saj reale. Ajo është bërë pjesë e një padie në SHBA, pasi një person e ka mashtruar një burrë me fotot e saj dhe i ka marrë para.
“Më duket e çuditshme që isha pjesë e një padie, edhe pse nuk kisha të bëja me rastin”, ka thënë ajo.
“Duke u vjedhur foto influencuesve, këto llogari e dinë vlerën e krijimit të një personi të besueshëm me të cilin ndjekësit lidhen – ndajnë foto të grave në plazh, në kafene, ose duke bërë makijazhin”, ka thënë Benjamin Strick, drejtori i hetimit të CIR-së. “Disa nga këto llogari po postojnë edhe dezinformata dhe teori konspirative – që në disa raste marrin shumë klikime”.
Gratë evropiane të intervistuara nga CNN-i thonë se llogaritë e rreme kanë pasoja reale: nga dëmtimi i reputacionit deri te stresi i madh emocional dhe psikologjik.
Neriah Tellerup Andersen, influencere 22-vjeçare dhe profesioniste e marketingut digjital nga Kopenhaga, fotot e të cilës po përdoren nga llogaria pro-Trump @eva_maga1996, ka thënë: “Ndihem e përdorur, sikur dikush po merr diçka nga unë. Është imazhi im. Nuk dua që njerëzit të mendojnë se unë e bëj atë që promovojnë këto llogari”.
Kamilla Broberg, influencere 30-vjeçare e modës dhe fitnesit nga Kopenhaga, është njëjtë e mërzitur nga dëmi potencial i reputacionit të saj.
Ajo ka filluar të postojë foto të jetës së saj në Instagram për ta motivuar veten në fitnes dhe që nga atëherë ka bashkëpunuar me brende të fitnesit. Ajo ka insistuar se nuk është në rregull që njerëzit t’i vjedhin fotot e saj. Por me këtë është përballur psikologia e trajnuar gjatë viteve të fundit. Njëherë një person ia ka vjedhur fotografinë me rroba banje dhe e ka manipuluar ashtu që të duket sikur është e zhveshur.
“Kjo ishte më e tmerrshmja”, ka thënë ajo.
Që nga viti i kaluar, llogaria @Alinamaga33 i ka vjedhur fotografitë e saj dhe i ka postuar me mesazhe pro-republikane.
“Nuk kam qenë kurrë në SHBA”, ka thënë Broberg.
Këto llogari vazhdojnë të lulëzojnë në X pavarësisht se është kundër Kushteve të Shërbimit, ku thuhet: “Nuk mund të pozosh si dikush që nuk ekziston, për t’i mashtruar njerëzit për atë që je dhe që përfaqëson”.
Shfaqja e llogarive të rreme ka ardhur pas mosmarrëveshjeve publike mes Muskut dhe Thierry Bretonit, komisioner i Tregut të Brendshëm të BE-së, që në mënyrë të përsëritur ka vënë në pyetje pajtueshmërinë e X ndaj Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA) të bllokut.
Ligji synon të mbrojë “konsumatorët dhe të drejtat e tyre online duke vendosur rregulla të qarta dhe proporcionale”. Sipas dispozitave të tij, platformat online duhet të sigurohen që përdoruesit të jenë qartësisht të identifikueshëm, në mënyrë që rreziqet e imitimit, që mund t’i dëmtojnë individët ose të mashtrojnë publikun, të mund të ulen dhe ta ndalojnë imitimin.
Në një letër të hapur të postuar më 12 gusht, Bretoni e ka paralajmëruar Muskun se duhet ta parandalojë “shumëfishimin e përmbajtjes dëmtuese” dhe të bindet me DSA-në, ose të përballet me “masat e përkohshme”.
Sipas Thomas Regnierit, zëdhënës i Komisionit Evropian për ekonominë, hulumtimin dhe inovimin digjital, “vjedhja e identitetit është e ndaluar, jo vetëm nga DSA-ja, por edhe nga ligji i BE-së, të drejtës ndërkombëtare, prandaj kjo mund të jetë ilegale dhe mund të merret parasysh në procedimin aktual që kemi kundër X”.
Përpjekjet e orkestruara
Postime nga këto llogari shpesh kanë mesazhe identike ose të ngjashme, të cilat postohen nëpër platforma të ndryshme, duke e zgjeruar shtrirjen dhe duke e bërë dezinformatën më të përhapur sesa ç’duket.
Por kush mund të jetë pas kësaj fushate?
Emily Horne, ish-udhëheqësja e politikave të komunikimit global në Twitter dhe ish-drejtoreshë për shtyp në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën e Bidenit, ka thënë se këto llogari mund të kenë përputhje me një individ që ka lidhje ose përfaqëson një qeveri, edhe pse nuk mund ta konfirmojë lidhjen.
“Niveli i sofistikimit tregon se mund të jetë cilido nga përfaqësuesit, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Kinën. E dimë që ata përpiqen të përhapin dezinformata për fushatën e zgjedhjeve të 2024-s”.
Fakti që këto llogari shfaqin gra të reja tërheqëse në foton e profilit dhe përditësohen rregullisht me postime, sinjalizon se “ndoshta ka aktivitet të koordinuar prapa skenave, sepse kjo është gjë e vështirë për t’u bërë. Niveli i manipulimit të imazheve individuale është përsëri një gjë e vështirë për t’u automatizuar dhe për t’u bërë vazhdimisht”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, ish-drejtoresha e politikave publike në Facebook, Katie Harbath, ka ngritur shqetësime për shpërndarjen e lehtë të verifikimit në X, çka shfaq mangësitë e sistemit të tyre.
Por çfarë është interesante, kanë thënë Harbathi dhe Horne, është mizogjini sistematike që ka bërë që këto lloje të profilit të marrin vëmendje në platforma.
“Postimet që e përfshijnë imazhin e grave kanë tendencë të marrin vëmendje më të madhe nga audiencat e synuara për këtë lloj përmbajtjeje, veçanërisht burrat e rinj dhe të pakënaqur që mund të jenë më të prirë të angazhohen në llojin e kësaj përmbajtjeje”, ka thënë Horne.
Në Trier të Gjermanisë, ku ka mbërritur lufta e SHBA-së për anatominë e trupit të grave, Nederlof hamendëson nëse do të ketë politika që do ta mbrojnë me të vërtetë online.
“Çdo ditë, fytyra, trupi, fotot e identiteti im vidhen dhe kjo më zemëron shumë. Nuk jam ajo, nuk kam qenë dhe nuk do të jem kurrë unë dhe njerëzit duket të mos e ndjekin llogarinë e rreme”, ka thënë ajo.