Botë

I riu arrestohet në Gjermani, po planifikonte sulm me bomba

polici gjerman

Një i ri është arrestuar në Gjermani pasi dyshohet se po planifikonte të ndërtonte bomba për të kryer një sulm ekstremist, kanë thënë autoritetet të enjten.

Sipas prokurorëve në Koblenz, ai akuzohet për përgatitjen e një akti të rëndë dhune.

Prokurorët kanë shtuar se besojnë se i dyshuari u bë radikal përmes internetit dhe shpërndau propagandë që glorifikonte veprimet e grupit të Shtetit Islamik, raportoi AP. 

Hetuesit kanë thënë se i dyshuari u informua përmes internetit se si t’i ndërtonte bombat.

Nuk pati indikacione se sulmin po e planifikonte ta kryente së shpejti, pasi hetuesit nuk gjetën eksplozivë apo substanca që përdoren për t’i bërë ata.

I dyshuari u dërgua në mbajtje në pritje të aktakuzës.