Një 19-vjeçar sirian, i dyshuar për therjen e një turisti spanjoll në Memorialin e Holokaustit në Berlin, kishte planifikuar për javë të vriste hebrenj, ka thënë Policia gjermane nga hetimet e para.
Sulmi ka ndodhur të premten mbrëma, kur azilkërkuesi iu kishte afruar nga mbrapa viktimës 30-vjeçare para se ta therte dhe të largohej nga vendi i krimit.
I dyshuari i arrestuar po mbante me vete sixhade, një kopje të Kuranit, dhe armën e dyshuar në çantën e tij, duke sugjeruar se mund të ketë një “motiv fetar” sipas policisë, raportoi BBC.
Pasi ishte dërguar në spital me plagë serioze në qafën e tij, viktima ka hyrë në operim dhe është vendosur në komë, por jeta e tij nuk është më në rrezik.
Policia është duke hetuar lidhje të mundshme me konfliktin e tanishëm në Lindjen e Mesme, por ajo ka deklaruar se deri tani nuk ka prova që e lidhin të dyshuarin me ndonjë grup apo individë të caktuar.
Po ashtu ajo po heton nëse i dyshuari vuan nga probleme mendore. Policia ka thënë se ai nuk ka qenë i dyshuar për vepra të tjera kriminale dhe nuk ka qenë i njohur për policinë më herët.
Gjashtë persona që ishin dëshmitarë kur ka ndodhur sulmi janë duke u intervistuar nga autoritetet lokale.
Ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, ka përshkruar sulmin si një “krim i neveritshëm dhe brutal” për të cilin i dyshuari “duhet të dënohet sipas ligjit”.
“Do të përdorim të gjitha masat për të deportuar shkelësit e dhunshëm përsëri në Siri”, ka shtuar ajo.
Disa sulme kanë ndodhur në Gjermani muajt e fundit, në qytetet e Mannheimit, Solingenit, Magdeburgut, Aschaffenburgut dhe Munihut.
Të gjithë të dyshuarit ishin imigrantë, dhe imigrimi është bërë problem kryesor për votuesit para zgjedhjeve federale që do të mbahen të dielën.
Memoriali i Holokaustit në Berlin ishte hapur në vitin 2005 për të kujtuar gjashtë milionë hebrenjtë e Evropës të vrarë nga regjimi nazist dhe përmban 2,711 pllaka guri.
Orë pa sulmit në kryeqytetin gjerman, Policia suedeze ka arrestuar tre burra afër ambasadës së Izraelit në Stokholm, nën dyshimin e përgatitjes së një sulmi të dhunshëm.