Botë

I dyshuari për tentim-vrasjen e Ficos përballet me akuza për terrorizëm

Tentim vrasja ndaj Ficos

Tentim vrasja ndaj Ficos

Foto: Associated Press

I dyshuari për tentim vrasjen e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, po përballet tani me akuzat për terrorizëm, ka bërë të ditur të enjten Prokurori i Përgjithshëm i shtetit.

I dyshuari, i identifikuar vetëm si J.C., ishte akuzuar fillimisht për tentim vrasje. 

Prokurori i Përgjithshëm, Maroš Žilinka, ka thënë në një deklaratë se ndryshimi në akuza bazohet në të dhënat që kanë siguruar hetuesit. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera. 

Zyrtarët e qeverisë fillimisht thanë se ata besonin se ishte një sulm i motivuar politikisht i kryer nga një "ujk i vetmuar", por më vonë njoftuan se një "palë e tretë" mund të ishte përfshirë në "veprim në dobi të autorit".

Fico aktualisht është duke u rikuperuar në shtëpi nga plagët e shumta që pësoi në atentatin e 15 majit, kur u qëllua në bark, ndërsa përshëndeti mbështetësit në qytetin Handlova.

Sulmuesi u arrestua menjëherë.

Fico ka qenë prej kohësh një figurë përçarëse në Sllovaki dhe më gjerë. Ai u kthye në pushtet për herë të katërt vitin e kaluar pasi partia e tij e majtë fitoi zgjedhjet parlamentare shtatorin e kaluar, duke bërë fushatë me mesazh pro-rus dhe anti-amerikan.

Kritikët e tij shqetësohen se Sllovakia mund të braktisë kursin e saj properëndimor dhe të ndjekë drejtimin e Hungarisë nën kryeministrin, Viktor Orbán.