Një 26-vjeçar është vetëdorëzuar në polici, duke thënë se ai ishte përgjegjës për sulmin me thikë në Solingen që la tre të vdekur dhe tetë të plagosur, gjatë një festivali që shënonte 650 vjetorin e qytetit, njoftuan autoritetet gjermane të dielën herët.
Policia e Duseldorfit ka thënë në një deklaratë të përbashkët me zyrën e prokurorit se burri "deklaroi se ishte përgjegjës për sulmin".
“Përfshirja e këtij personi në krim aktualisht është duke u hetuar intensivisht”, thuhet në deklaratë.
I dyshuari është një shtetas sirian i cili kishte aplikuar për azil në Gjermani, konfirmoi policia për Associated Press.
Të shtunën, grupi militant i Shtetit Islamik mori përgjegjësinë për sulmin, pa dhënë prova. Grupi ekstremist tha në faqen e tij të lajmeve se sulmuesi kishte në shënjestër të krishterët dhe se ai kreu sulmet të premten mbrëma "për t'u hakmarrë për myslimanët në Palestinë dhe kudo".
Sulmi vjen në mes të debatit mbi emigracionin, pak para zgjedhjeve rajonale të dielën e ardhshme në rajonet e Saksonisë dhe Thueringisë të Gjermanisë, ku partitë kundër imigracionit si “Alternativa populiste për Gjermaninë” pritet të ecin mirë.
Në qershor, kancelari Olaf Scholz u zotua se vendi do të fillojë përsëri dëbimin e kriminelëve nga Afganistani dhe Siria pas një sulmi me thikë nga një emigrant afgan, që la të vdekur një oficer policie dhe katër të tjerë të plagosur.
Sulmi i së premtes e zhyti qytetin e Solingenit në tronditje dhe pikëllim. Një qytet me rreth 160,000 banorë pranë qyteteve më të mëdha të Këlnit dhe Duseldorfit, Solingen po mbante një "Festival të Diversitetit" për të festuar përvjetorin e tij.
LEXO EDHE: