Botë

I dyshuari për sulmin në Austri kishte “motiv terrorist islamik”, thonë autoritetet

Austri

Foto: New York Times

Autoritetet austriake kanë bërë të ditur se personi i akuzuar për therjen me thikë të gjashtë kalimtarëve në mes të ditës, duke lënë tëv vdekur një djalë 14-vjeçar dhe të lënduar pesë të tjerë, ishte i motivuar nga "terrorizmi islamik".

I dyshuari, një 23-vjeçar sirian, është arrestuar pas sulmit në qytetin jugor të Villach të shtunën, raporton AP.

Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, u ka thënë gazetarëve në Villach se sulmuesi kishte lidhje me grupin e Shtetit Islamik dhe u radikalizua në internet brenda një kohe shumë të shkurtër.

Guvernatori i shtetit, Peter Kaiser, falënderoi një burrë 42-vjeçar, gjithashtu një sirian që punonte për një kompani të shpërndarjes së ushqimit, i cili u nis me makinë drejt të dyshuarit dhe ndihmoi në parandalimin e përkeqësimit të situatës.

“Kjo tregon se sa ngushtë e keqja terroriste, por edhe e mira njerëzore mund të bashkohen në një kombësi të njëjtë”, ka deklaruar ai.

Rasti shënon sulmin e dytë vdekjeprurës xhihadist në Austri në vitet e fundit. 

Në nëntor 2020, një burrë që kishte tentuar më parë t'i bashkohej grupit të Shtetit Islamik ka kryer një sulm në Vjenë, i armatosur me një pushkë automatike dhe një jelek të rremë shpërthyes, duke vrarë katër persona përpara se të qëllohej për vdekje nga policia.