Botë

I dyshuari për plagosjen e Ficos dërgohet në shtëpinë e tij për hetime

I dyshuari

I dyshuari për plagosjen e Ficos

Policia sllovake ka dërguar të premten në shtëpinë e tij, të dyshuarin për tentativë vrasjeje ndaj kryeministrit, Robert Fico, për të bërë kërkime.

Televizioni sllovak Markiza, ka publikuar pamje ku shihet i dyshuari derisa dërgohet në shtëpinë e tij në qytetin Levice të premten në mëngjes. Mediumi po ashtu ka raportuar se me këtë rast, policia ka konfiskuar një kompjuter dhe disa dokumente, raporton AP.

I dyshuari më pas është nxjerrë nga shtëpia dhe është futur në veturë të policisë, derisa nga pamjet e marra shihet se ai është i veshur me jelekë antiplumb.

Policia nuk e ka publikuar ende identitetin e të dyshuarit, për shkak të një ndalimi nga prokurorët për ta bërë këtë.

Fico, 59 vjeç ishte gjuajtur me armë zjarri pesë herë në afërsi, nga një person, derisa po i përshëndeste përkrahësit e tij në qytetin Handlova.

Ngjarja ka ndodhur jashtë një qendre kulturore atje, pas një takimi që Fico kishte pasur me kabinetin e tij qeveritar.

Të premten zyrtarët qeveritarë sllovakë kanë deklaruar se ai i është nënshtruar edhe një operacioni, derisa sipas tyre, gjendja e tij mbetet e rëndë.

LEXO EDHE: