Një i dërguar i SHBA-së pritet të arrijë në Liban të martën për bisedimet rreth armëpushimit midis Izraelit dhe Hezbollahut, me Bejrutin që ka qëndrim pozitiv në lidhje me përpjekjet e Washingtonit për t’i dhënë fund luftës, por duke kërkuar ndryshime në mënyrën se si do të monitorohej armëpushimi, ka thënë një zyrtar i lartë libanez.
Udhëtimi i të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë, Amos Hochstein, vizita e së cilit është konfirmuar nga disa burime libaneze, por jo nga Washingtoni, pritet të bazohet në një propozim të SHBA-së për armëpushim të paraqitur në qeverinë e Libanit javën e kaluar, raporton Reuters.
Diplomacia e armëpushimit e Washingtonit është rikthyer në fokus, teksa aleati i tij, Izraeli e ka intensifikuar ofensivën. Sulmet izraelite në dy lagje të Bejrutit kanë vrarë gashtë njerëz, duke përfshirë një zyrtar të lartë të Hezbollahut të dielën, hera e parë që Izraeli ka goditur zonat qendrore të kryeqytetit në pesë javë luftime.
Fuqitë botërore thonë se armëpushimi në Liban duhet të bazohet në Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe Hezbollahut të armatosur rëndë.
Kushtet kërkojnë që Hezbollahu i mbështetur nga Irani t’i zhvendosë armët dhe luftëtarët në veri të lumit Litani, rreth 20 kilometra në veri të kufirit izraelit.
Hezbollahu ka pësuar goditje të rënda, që kur Izraeli e ka rritur ofensivën e tij kundër grupit në fund të shtatorit, duke vrarë liderin, Sayyed Hassan Nasrallah dhe duke e goditur Libanin me sulme ajrore. Grupi ka vazhduar të lëshojë raketa drejt Izraelit verior, ku sirenat janë dëgjuar sërish të hënën.
Hezbollahu i ka dërguar shënime kryetarit të Parlamentit libanez, Nabih Berri, për propozimin e armëpushimit të SHBA-së, se nuk do ta pengonin armëpushimin, ka thënë zyrtari libanez.
Por, Libani ishte kundër propozimit për ta zgjeruar komitetin monitorues të armëpushimit, që të përfshihen ndoshta edhe Gjermania ose Britania.
Izraeli është ankuar prej kohësh se Rezoluta 1701 nuk është zbatuar kurrë siç duhet, duke vënë në dukje praninë e luftëtarëve të Hezbollahut dhe armëve të tyre përgjatë kufirit. Libani thotë se Izraeli e shkeli rezolutën duke shkelur rregullisht hapësirën ajrore libaneze.