I dërguari i SHBA-së, Amos Hochstein, ka arritur në Bejrut të martën për bisedime me zyrtarët, për armëpushim mes grupit të armatosur Hezbollah dhe Izraelit, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve të Libanit, disa orë pasi drafti i propozuar nga Washingtoni është mbështetur nga grupi i përkrahur nga Irani, raporton Reuters.
Vizita shfaq përparim në diplomacinë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që synon t’i japë fund konfliktit, i cili u shndërrua në luftë gjithëpërfshirëse në fund të shtatorit, kur Izraeli filloi ofensivë të intensifikuar kundër Hezbollahut.
Si qeveria libaneze ashtu edhe Hezbollahu, kanë rënë dakord me propozimin e SHBA-së për armëpushim, që është dorëzuar me shkrim javën e kaluar dhe kanë bërë disa komente mbi përmbajtjen, ka thënë Ali Hassan Khalil, ndihmës i kryetarit të parlamentit, Nabih Berri.
Nuk ka pasur komente të menjëhershëm nga Izraeli.
Hezbollahu e ka miratuar aleatin e moçëm, Berri për ta negociuar marrëveshjen për armëpushim, por si ai ashtu edhe Izraeli e kanë përshkallëzuar luftën, teksa kanë vazhduar edhe përpjekjet për zgjidhje politike.
Khalili ka thënë se Izraeli po përpiqet të negocionte “nën zjarr”, referencë për përshkallëzimet e bombardimeve ndaj Bejrutit dhe periferive jugore të kontrolluara nga Hezbollahu. “Kjo nuk do të ndikojë në qëndrimin tonë”, ka thënë ai.
Ai nuk ka pranuar të japë detaje rreth shënimeve që Libani ka bërë për draftin, por ka thënë se ato ishin paraqitur “në një atmosferë pozitive” dhe në përputhje me Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i ka dhënë fund luftës së kaluar midis Hezbollahut dhe Izraelit në vitin 2006.
Kushtet e Rezolutës 1701 kërkojnë që Hezbollahu të mos ketë prani të armatosur në zonën midis kufirit libanez-izraelit dhe lumit Litani, i cili kalon rreth 30 kilometra në veri të kufirit.