Botë

I dërguari i OKB-së në Siri kërkon heqjen e sanksioneve pas rënies së Assadit

Geir Pedersen

Foto: Associated Press

I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Geir Pedersen, ka thënë të dielën gjatë një vizite në Damask se ai shpreson të shohë një "përfundim të shpejtë të sanksioneve" pas rënies së ish-presidentit Bashar al-Assad.

Qeveria siriane ka qenë nën sanksione të rrepta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe të tjerët për vite me radhë, si rezultat i reagimit të ashpër të Assadit për shkak të luftës civile që filloi në formë të protestave paqësore antiqeveritare në vitin 2011, raporton AP.

Lufta ka vrarë gati gjysmë milioni njerëz dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë prej 23 milionë banorësh të paraluftës.

Rindërtimi është penguar në një masë të madhe nga sanksionet që synonin të parandalonin rindërtimin e infrastrukturës dhe pronës së dëmtuar në zonat e kontrolluara nga qeveria në mungesë të një zgjidhjeje politike.

Tani që Assad ka rënë, Pedersen u ka thënë gazetarëve se "ne mund të shpresojmë të shohim një fund të shpejtë të sanksioneve në mënyrë që të mund të shohim me të vërtetë një tubim rreth ndërtimit të Sirisë".

Pedersen po qëndron në Damask për t'u takuar me zyrtarë të qeverisë së re të përkohshme të krijuar nga ish-forcat opozitare që rrëzuan Assadin, të udhëhequr nga grupi militant islamik Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS.

HTS është cilësuar një grup terrorist nga SHBA-ja, gjë që mund të komplikojë gjithashtu përpjekjet për rindërtim, por zyrtarët në Washington kanë treguar se administrata Biden po shqyrton heqjen e përcaktimit.

Qeveria e përkohshme parashihet të qeverisë deri në mars, por administrata e re nuk e ka bërë ende të qartë procesin sipas të cilit një qeveri e re e përhershme do ta zëvendësojë atë.

Pedersen bëri thirrje për "drejtësi dhe përgjegjësi për krimet" të kryera gjatë luftës dhe që komuniteti ndërkombëtar të rrisë ndihmën humanitare.