Hunter Biden është deklaruar fajtor për të nëntë akuzat në çështjen e tij federale të evazionit fiskal, duke i zënë në befasi prokurorët ndërsa përgatiteshin të fillonin rastin gjyqësor ndaj tij.
Djali i presidentit amerikan, Joe Biden kishte mohuar më parë akuzat se ai me dashje ka shmangur pagesën e tatimit mbi të ardhurat prej 1.4 milionë dollarësh nga viti 2016 e deri më 2019, raporton BBC.
Fillimisht Biden, 54 vjeç, ka thënë se donte të pranonte akuzat duke ruajtur pafajësinë e tij, por prokurorët e kundërshtuan këtë formë.
Tre muaj më parë, ai është shpallur fajtor për një rast të veçantë për akuza lidhur me armëmbajtje dhe përdorimin e drogës, duke u bërë djali i parë i dënuar penalisht i një presidenti në detyrë të SHBA-së.
Vendimi i minutës së fundit të Bidenit u njoftua në një gjykatë në Los Anxhelos të enjten, ndërsa pritej të fillonte përzgjedhja e jurisë për rastin. Më shumë se 100 anëtarë të mundshëm jurie ishin mbledhur për të filluar procesin e përzgjedhjes së panelit.
Avokati i Bidenit, Abbe Lowell ka deklaruar se klienti i tij donte të hiqte dorë nga gjyqi "për hir të interesit privat", për të kursyer miqtë dhe familjen e tij nga dëshmimi për diçka që ndodhi "kur ai kishte varësi nga droga”.
Gjykatësi Mark Scarsi ka thënë se me pranimin e fajësisë, Bideni përballet me një dënim maksimal prej 17 vitesh burgim dhe gjoba që variojnë nga 500,000 deri në 1 milion dollarë.
Vendimi për dënim do të merret më 16 dhjetor, një muaj pas zgjedhjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe një muaj para se babai i tij të largohet nga detyra.
Presidenti Biden ka deklaruar më parë se nuk do ta përdorte pushtetin ekzekutiv që ka për të falur djalin e tij.