Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, i ka hequr Hungarisë të drejtën për të pritur takimin e ardhshëm të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes, ku do të diskutohet për luftën në Ukrainë.
Kjo vjen disa javë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, një rol në të cilin normalisht do të ishte nikoqire e ngjarjes, dhe mes zemërimit për një takim që kryeministri hungarez Viktor Orban zhvilloi me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë në fillim të këtij muaji.
Borrell ka theksuar se veprimet e Hungarisë duhet të kenë pasoja dhe se “ne duhet të dërgojmë një sinjal, edhe nëse është një sinjal simbolik”.
Hungaria e përshkroi masën si “plotësisht fëmijërore”, raporton BBC.
Çdo gjashtë muaj, nën çdo presidencë të re të Këshillit, ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të BE-së mbajnë takime jozyrtare për të diskutuar çështjet më të mëdha globale me të cilat përballet blloku.
Takimi i radhës do të zhvillohet në 28-30 gusht dhe pritej të mbahej në Budapest, por Borrelli ka njoftuar se ato do të mbahen në Bruksel.