Botë

Hungaria do t’i kërkojë BE-së rimbursim për fondet e shpenzuara për mbrojtjen e kufijve

Kufi hungarez

Foto: Associated Press

Hungaria po synon ta detyrojë komisionin ekzekutiv të Bashkimit Evropian që t'ia rimbursojë fondet që ka shpenzuar për mbrojtjen e kufijve, ka thënë të enjten një zyrtar qeveritar.

Çështja po shihet si mundësi potenciale e thellimit të një konflikti me BE-në lidhur me politikat kufizuese të Hungarisë për imigracionin dhe azilin, raporton AP.

Qeveria hungareze ka udhëzuar ministrin e vendit për Çështjet Evropiane që të negociojë me Komisionin Evropian për të zgjidhur konfliktin, nga i cili Hungaria është gjobitur me 200 milionë euro për shkeljen e rregullave të bllokut për dhënien e azilit, ka deklaruar shefi i kabinetit të kryeministrit Viktor Orban, Gergely Gulyas në një konferencë shtypi.

Qeveria kundër imigracionit e Hungarisë ka qenë prej kohësh në kundërshtim me BE-në lidhur me politikën e saj kufizuese për sigurimin e mbrojtjes për refugjatët dhe azilkërkuesit.

Por konflikti u ashpërsua në qershor kur Gjykata Evropiane e Drejtësisë urdhëroi Hungarinë të paguante një gjobë prej 200 milionë eurosh për shkeljen e vazhdueshme të rregullave të azilit të bllokut dhe 1 milionë euro shtesë në ditë derisa shteti t’i përputhë politikat me ligjin e BE-së. Qeveria në Budapest është duke e vonuar pagesën.

Në përgjigje të gjobave, qeveria nacionaliste e Orbanit kërcënoi se do t'u sigurojë emigrantëve transport falas me autobus nga kufiri jugor i Hungarisë për në selinë e BE-së në Bruksel, gjë për të cilën, Komisioni Evropian u zotua të martën se do të hakmerrej.

Të enjten, Gulyas sqaroi se vetëm individët që kishin fituar azil politik nga Hungaria do të kishin të drejtë për udhëtim falas në kryeqytetin e Belgjikës.

Gulyas kritikoi gjithashtu një vendim të fundit të Gjermanisë për të vendosur kontrolle kufitare përgjatë të nëntë kufijve të saj, me qëllim që të godasë migracionin e parregullt, një vendim që ka vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e zonës Shengen dhe kërcënon të përmbysë unitetin evropian.

Hungaria ka afat deri më 17 shtator për të kryer pagesën e gjobave të vendosura nga gjykata e lartë e BE-së.